Ulqini kërkon mbështetje nga Qeveria e Malit të Zi

Gjekë Gjonaj

Këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, në vazhdim të seancës e cila ka filluar punën më 29 maj, miratuan përfundimet me gjashtë pika  për rastin K1. Rikujtojmë se  me vendimin e Gjykatës së Apelit dhe më pas të Gjykatës Supreme, Komuna është e detyruar që firmës “Rekretaurs” nga Budva t’i paguajë gjashtë milionë euro, për shkak të shembjes së Pushimores së Kosovës në kompleksin turistik në Plazhin e Madh në vitin 1983. Klubet e këshilltarëve kanë rënë dakord që:

  1.  Me këtë vendim , pa fajin e saj, Komuna është dëmtuar dhe me të edhe qytetarët e saj të cilëve mund t’u privohet e drejta e realizimit të   të drejtës së qeverisjes lokale të garantuar me Kushtetutën e Malit të Zi.
  2. Kuvendi i Komunës së Ulqinit fton Qeverinë  e Malit të Zi që të ndërmarrë masa për tejkalimin e kësaj situate në mënyrë që Komuna të funksionojë ligjërisht dhe pa pengesa ashtu që t’ia mundësojë qytetarëve të saj të gjitha  të drejtat dhe  obligimet që burojnë nga Kushtetuta e Malit të Zi të cilat mund të  cenohen me vendimin e plotfuqishëm aktual.
  3. Të formohet Komisioni parlamentar i Kuvendit Komunal i cili ka për detyrë të analizojë  rrjedhat e proceseve gjyqësore në mbrojtjen e lëndës K\1. Materialet t’i përgatisë dhe prezantojë  Komisionit Sekretariati  për Mbrojtjen  e Pasurisë deri më datën 21.06.2019.
  4. Obligohet kryetari i Komunës Loro Nrekiq të formojë grupin  për takim me ministrin  e Financave të malit të Zi dhe kryetari e Qeverisë së Malit të Zi në lidhje me gjetjen e mundësisë për tejkalimin e vështirësive që do të rezultojnë pas kalimit  të 60 ditëve te debllokimit të llogarisë bankare.
  5. Mbledhja e Kuvendit Komunal, në të cilën do të  shqyrtohet raportet nga përfundimet 4 dhe 5, të mbahet deri më 30.07.2019
  6. Obligohet Sekretariati për Mbrojtjen e  e Pasurisë që Kuvendit t’ia dorëzojë draftet e mjeteve juridike që do të ndërmarrë. formohet një komision i Kuvendit Komunal, i cili ka për detyrë të analizojë rrjedhat e proceseve gjyqësore në mbrojtën e lëndës K1 dhe të propozojë masat  të cilat ndoshta do të ndikojë që e gjithë ky proces të rishqyrtohet.

Sekretari për financa në Komunën e Ulqinit Sead Osmanoviq vlerësoi se situata financiare për momentin është e mirë, pçor gjithçka mund të vështirësohet nëse aktivizohet bllokimi i llogarisë bankare për shkak të rastit K1.

Në  seancën e djeshme  këshilltarët miratuan edhe vendimet mbi pajimin e  tokës ndërtimore për objektet legale dhe ilegale, sikurse edhe vendimin mbi  rendin komunal dhe rregullimin e komunikacionit.

Kuvendi unanimisht miratoi edh tri vendime lidhur me funksionimin e   Parging Servisit. Me këto vendime i mundësohet kësaj ndërmarrje të sapoformuar  që të shfrytëzojë hapësirat publike për parking, duke menduar se  në këtë mënyrë përfundimisht do të zgjidhet kaosi shumëvjeçar në komunikacion në këtë qytet. Në rend të ditës , të seancës e cila siç u paralajmërua do të vazhdojë ditën e enjte, kanë mbetur edhe   disa  pika.