Pragndeshje Mali Zi – Kosovë, futbollistët shqiptarë me fanella të ndryshme

Shkruan Gjekë Gjonaj

Nesër mbrëma në stadiumin e “ Buduqnostit” në Podgoricë do të luhet ndeshja ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, e vlefshme për grupin “A” eliminator të “Euro 2020” . Paralajmërimi i mëhershëm se për futbollistët e përfaqësueses së Kosovës do të përballen pikërisht me Malin e Zi për shqiptarët e këtushëm ishte një lajm dyfish i gëzuar dhe i këndshëm. Së pari për faktin që Kosova për herë të parë i jepet rasti që të marrë pjesë në një kompeticion kaq prestigjioz të futbollit. Dhe, së dyti për mundësinë e shumëpritur që u jepet shqiptarëve të Malit të Zi që në Podgoricë të shikojnë këtë ndeshje. Megjithatë, si çdo dëshirë tjetër, as kjo nuk do të jetë plotësisht e realizueshme, por vetëm pjesërisht. Edhe pse pritej që stadiumi të jetë i stërmbushur me malazezë, shqiptarë, por edhe me serbë, boshnjakë e qytetarë të tjerë që jetojnë në Mal të Zi , kjo ndeshje do të luhet pa praninë e shikueseve, pasi UEFA i dënoi malazezët për shkak të thirrjeve raciste në ndeshjen e fundit në Podgoricë ndaj Anglisë.

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes dhe i Malit të Zi Lubisha Tumbakoviq kanë publikuar listën me 25 futbollistët e ftuar për këtë ndeshje.Duke e shikuar listën e Kombëtares së Kosovës dhe të Malit të Zi vërejmë se shqiptarët që do të zbresin në fushë do të lujanë me fanella të ndryshme. Kështu futbollisti i njohur me origjinë nga Gjilani, Fatos Beqiraj , në përballjen e drejtpërdrejtë kundër skuadrës së origjinës, nuk do të veshë fanellën e “ dardanëve” por të Malit të Zi, për të cilën ka luajtur para pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA. Ndryshe nga Beqiraj portieri shqiptar nga Mali i Zi, Arijanet Muriqi, që luan për Manchester City, i cili më parë ka përfaqësuar Malin e Zi me të cilën ka luajtur dy ndeshje për grupmoshat U-21, tani ka përzgjedhur Kosovën . Të dy futbollistët shqiptarë me fanella të ndryshme janë kritikuar nga vendi i origjinës. Beqiraj pse nuk luan me Kosvën, por ka përzgjedhur Malin e Zi, kurse Muriqi pse nuk luan për përfaqësuesen e Malit të Zi.

Zgjedhja e tyre është diçka personale dhe duhet respektuar. Ata janë lojtarë profesionistë . Probleme me lojtarët që luajnë për kombëtaret e huaja dhe jo për vendin e origjinës i kanë të përditshme edhe shtetet tjera evropiane dhe botërore. Pra,ky fenomen nuk u ndodh vetëm shqiptarëve, por edhe kombeve të tjera. Ka kohë që kombëtaret e futbollit, ashtu si dhe shumë insitucione të tjera, janë prekur nga sëmundja e globalizmit. Futbolli i sotëm nuk është më i mbyllur brenda kornizave nacionale. Tash një lojtar mund të konsiderohet italian, gjerman apo ndonjë tjetër, mjaft që të këtë dëshirë të luajë për atë vend, t’i japin pasaportën dhe të plotësojë nja dy kushte të FIFA-s. Kjo është arsyeja që shpesh me përfaqësueset e ish-Bashkimit Sovjetik gjen ndonjë lojtar brazilian apo me Maltën një sulmues afrikan. Kjo është arsyeja që fjala vjen Xhaka, Shaqiri, Berhami, Xhemajli e plot të tjerë luajnë me Zvicrën. Ata kanë respektuar një vend ku janë formuar si futbollistë, por dhe si njerëz. Pos kësaj kanë respektuar këshillat e agjentëve të tyre, të cilët e shohin futbollin si industri dhe u mbushin shqipeve llogaritë bankare .

Anglia apo “ Tre luanët” janë lider të këtij grupi me gjashtë pikë, pas dy fitoreve në po aq ndeshje, dhe ndiqet nga Bullgaria që ka dy pikë në po aq ndeshje. Kosova renditet e treta me një pikë pas barazimit 1:1 me Bullgarinë në ndeshjken e parë debutuese në një fushatë kualifikuese për Kampionat Evropian. Grupin e mbyllin Mali i Zi në vendin e katërt me një pikë pas dy ndeshjeve dhe Republika e Çekisë pa pikë, e cila, si Kosova, ka zhvilluar vetëm një ndeshje.