TAKIM LETRAR ME SHKRIMTARIN PËR FËMIJË HAJRO ULQINAKU NË SHKOLLËN FILLORE NË KATËRKOLLË

Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, të premten (më 31 maj 2019), në Shkollën Fillore „Bedri Elezaga“ – Katërkollë u organizua takim letrar me Hajro Ulqinakun, njërin prej shkrimtarëve më të mirë të letërsisë shqipe për fëmijë.  

Nxënësit kanë paraqitur interesim të posaçëm për krijimtarinë e Ulqinakut. Në një bisedë të ngrohtë me nxënësit, shkrimtari është përgjigjur në pyetjet e tyre të shumta lidhur me atë se si është bërë shkrimtar, çfarë e nxitë që të shkruajë, rolin e vendlindjes dhe detit në krijimtarinë e tij, librin e tij më të mirë etj. Nxënësit kanë lexuar edhe pjesë nga krijimtaria e tyre, të shkruara enkas me këtë rast.

Në emër të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, nxënësit dhe mësimdhënësit e pranishëm i ka përshëndetur kryetari i saj, Ismet Kallaba, kurse shkrimtari Asllan Bisha, mik i shkrimtarit Ulqinaku, ka folur shkurtimisht për krijimtarinë e tij.

Në fund të takimit letrar, shkrimtarët Ulqinaku dhe Bisha kanë dhuruar disa libra për nxënësit  pjesëmarrës dhe bibliotekën e kësaj shkolle.

Krahas nxënësve, në takim kanë marrë pjesë edhe drejtori i shkollës, Arsim Cuca, dhe një pjesë e personelit mësimor të shkollës.

Takimi letrar është organizuar nga SHAI “Art Club” në bashkëpunim me Shkollën Fillore “Bedri Elezaga”. Ai është përgatitur nga mësimdhënësja e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Zaime Çapriqi. 

Që prej disa vitesh, SHAI “Art Club” organizon takime letrare në shkollat në gjuhën shqipe në Malin e Zi, që kanë për qëllim komunikimin e drejtpërdrejtë të nxënësve me vetë autorët dhe njohjen me krijimtarinë letrare të shkrimtarëve vendas.