Ali Cenaj: Rama, më në fund!

Ali-cenajDiçka e madhe po ndryshon me shpejtësi të paimagjinueshme për rajonin dhe shqiptarët. Pas paraqitjes së bujshme të kryeministrit, Edvin Rama, në Beograd dhe vizitës në Luginë të Preshevës, në kokat e shqiptarëve këndej kufirit shumëçka ka ndryshuar brenda natës. Madje rrënjësisht. As berishistët më të mëdhenj sot nuk janë më ata që ishin dje.

Me paraqitjen dinjitoze, pa asnjë kompleks inferioriteti që, ç’është e vërteta, na ka karakterizuar shpesh në komunikim me Beogradin, kryeministri shqiptar ua tha atë që do të duhej ta thoshte.

Të vërtetën. Realitetin e ri të krijuar me shtetin e Kosovës para të cilit Serbia s’ka më pse t’i mbyllë sytë. Atë që e dinë edhe vetë, që më në fund ua kanë thënë edhe diplomatë të tjerë që e kanë vizituar kryeqendrën serbe, por që këtë t’ua thotë kryeministri shqiptar, Vuçiq e të tjerët s’mundën ta përballojnë dot. Dhe për pak plasi skandali i dytë, pas atij të dronit me atë hartën e famshme në ndeshjen Serbi – Shqipëri në stadiumin e Beogradit.

Një thyerje e madhe e paragjykimeve për Edvin Kristaq Ramën,siç e quante shpesh Berisha, për ta anatemuar në sytë e popullatës shumicë këndej kufirit, ka ndodhur në kokat e veriorëve. Një çlirim i beftë nga paragjykimet për “të shiturin”, “grekun”, “serbofilin” Edi Rama, ka ndodhur këto dy ditë.

Ndryshim radikal. Aq sa, pajtoheni edhe ju, po të ishte Shqipëria në prag të zgjedhjeve dhe po të kishin të drejtën e votës edhe shqiptarët jashtë kufijve, ashtu siç e kanë serbët e Kosovës që votojnë në zgjedhjet e Serbisë, apo kroatët e Bosnjës në zgjedhjet e Kroacisë, Edi Rama do të mblidhte si me fshesë të gjitha votat e shqiptarëve këndej kufirit.

Sepse me paraqitjen që do të nderonte çdo kryeministër, me elokuencën, sharmin e batutat inventive la pa mend opinionin serb, që duket se ende jeton në kohëra të shkuara, që s’mund të kapërcente diçka të tillë. Jo për tjetër, por se vinte nga një shqiptar i panjohur për ta, që nuk koincidente fare me “shiptarin” e mbetur në kokat e tyre nga kohëra të shkuara. Si diçka i pagdhendur, i padenjë për respektin e njëjtë me të tjerët.

Çka ka Shqipëria, çka e lidh atë me Kosovën?, – thoshte kryeministri Vuçiq, si të kishte rënë nga Marsi? Kosova është pjesë e Serbisë, – shtonte ai me mendësinë e Millosheviqit e Millosheviqëve të tjerë para tij e fjalorin që ka huqur kohën e hapësirën.
Si të ishte ajo Shqipëria e vogël, e mbyllur dhe e izoluar. Shqipëria që s’ishte as vrima e fundit e kavallit aty ku merreshin vendimet për rajonin.

Në Beograd duket se s’ka pasur kush t’ua kumtojë se kohërat e tilla kanë përfunduar. Shqipëria është kjo e kryeministrit Edi Rama. Se kohës së komplekseve që mund të kenë pasur shqiptarët e përçmuar karshi serbëve të “modernizuar” në ish-Jugosllavi i ka ardhur fundi.

Roli i Serbisë së dikurshme si faktor rajonal, vend lider pa të cilin në këto hapësira s’lëvizte asgjë, vend që garantonte stabilitetin e rajonit, këtë rol tashmë e ka marrë Shqipëria. Dhe këtë në Beograd s’po mund ta pranojnë. Shqipëria e shqiptarët tashmë janë garantues të paqes e stabilitetit rajonal. Jo Serbia por Shqipëria është anëtare e NATO-s, e përzgjedhur nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, vendi lider dhe koordinues për gjashtë vendet e rajonit në rrugën e përbashkët për në BE.

Ky faktorizim i Shqipërisë është problemi. Jo i shqiptarëve, por i serbëve që duket se u pëlqen të jetojnë jashtë kohës e hapësirës. Diçka e madhe vërtet po ndryshon me shpejtësi të paimagjinueshme për rajonin e shqiptarët. Ndryshe nga të tjerët para tij, Enver Hoxha që më 1946 shkonte në Beograd për të kërkuar mbrojtjen e pushtetit të fituar me ndihmën e jugosllavëve, Ahmet Zogut që u kthye në Shqipëri me pushkët e serbëve apo të tjerëve që shkonin në Beograd për të marrë “dorë”, kryeministri Edvin Rama shkoi dhe u kthye ashtu siç i ka hije. Me dinjitet. Pa asnjë kompleks.

Në kokat e shqiptarëve ndryshoi shumëçka. Madje rrënjësisht. As berishistët më të mëdhenj sot nuk janë më ata që ishin dje. Po të kishin të drejtën e votës Edi Rama vërtet do t’i fshinte të gjitha votat e shqiptarëve këndej kufirit. Kush e di, kështu si kanë nisur, edhe kjo mund të bëhet.

Shqipëria është kjo e kryeministrit Edi Rama. Se kohës së komplekseve që mund të kenë pasur shqiptarët e përçmuar karshi serbëve të “modernizuar” në ish-Jugosllavi, i ka ardhur fundi. /Zeri/