“Interesim i shtetasve të Kosovës për të investuar në Ulqin”

Ulqini

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, që vije nga radhët e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), ka thënë se interesimi i afaristëve nga Kosova për të investuar në Ulqin, në sektorin e hotelerisë dhe ndërtimit është i lartë, madje sipas tij, interesimi nuk ka qenë asnjëherë më i madh.

“Sa u përket bizneseve nga Kosova ka interesim të madh për të investuar në Ulqin, sidomos ky interesim ka ardhur viteve të fundit. Shumë qytetarë të Kosovës po investojnë në Komunën e Ulqinit, në hotele, restorante dhe objekte ndërtimore. Interesimi kurrë nuk ka qenë më i madh se tani. Është shumë më mirë të vijnë qytetarët e Kosovës të investojnë në Ulqin se sa dikush tjetër. Ulqini është etshëm për investime”, ka thënë Nrekiq për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka thënë se janë duke investuar në projekte milionëshe në infrastrukturë dhe në parkingje.

“Pa zhvillimin e infrastrukturës nuk ka zhvillim, andaj ne kemi investuar 5 milionë euro për kanalizimin e katër lagjeve dhe çështjes ekologjike. Po ashtu, 20 milionë euro për investimin e ujësjellësit në tërë qytetin. Kemi ujësjellësin regjional por që 40 vite nuk kishte investime. Ajo që vlen të theksohet është se do të investojmë edhe në parkingje servil. Tani jemi duke i bërë sinjalizimet për vendet e parkingut në mënyrë që turistëve tanë t’u sigurojmë parking të mjaftueshëm dhe mos të kenë telashe sikur më parë”, u shpreh Nrekiqi.

Sa u përket polisave të sigurimit, respektivisht Kartonit të Gjelbër, ai ka apeluar që të hiqet sa më parë, për të cilën gjë ka kërkuar dhe mbështetjen e të dy qeverive.

“Kartoni jeshil është problem për të dy qeveritë dhe qytetarët e të dyja vendeve. Qeveria e Malit të Zi është me e vullnetshme se sa e Kosovës për ta zgjidhur këtë problem. Meqenëse të dy qeveritë kanë raporte të mira miqësore, kjo çështje duhet të zgjidhet në nivel qeverish. Ka qenë një takim para disa muajsh, ku kam biseduar me kryeministrin e Malit të Zi për këtë çështje, edhe pse na dukën shuma të vogla, janë shumë të mëdha si për vizitorët në Ulqin ashtu dhe për ne. Kartoni i Gjelbër duhet të hiqet sa më parë dhe do të bëjë çmos si në ministri ashtu dhe te presidenti i shtetit që të hiqet sa më parë dhe të evitohen disa barriera ligjore”, u shpreh ai.

Ai ka folur edhe për çmimin e çadrave ne plazhet e Ulqinit, për të cilën ka vërejtje se është i lartë.

“Çmimi i çadrave është çështja e pronarëve të plazheve. Ne nuk mund të bëjmë diçka pasi kjo është çështje e pronarëve dhe ata paguajnë tatim deri në 41 000 euro, 50 000, 60 000 euro përgjatë sezonit. Pra, janë çmime në bazë të së cilave duhet të fitojnë edhe pronarët. Duhet të bëhet një lloj balancimi me çmimin e të mirave detare”, ka thënë ai.

(Epoka e re / Albulena MAVRAJ)