Instituti IDEA promovoi veprat e Pashko Vases

Nga Senad Maku*

Ditën e shtunë të datës 27.04.2019, në Hotelin Mediteran, Instituti IDEA në bashkëpunim me Fondacionin ALSAR, promovuan në qytetin e Ulqinit, dy veprat e ideologut dhe veprimtarit të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Pashko Vasa, me tituj: “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare” dhe “E vërteta mbi Shqipninë dhe shqiptarët”. Ky promovim mbushi sallën si dhe mblodhi figura të njohura të fushës akademike, udhëheqës të institucioneve si dhe të shoqërisë civile.

Të ftuarit që të flasin në lidhje me veprat e Pashko Vases, ishin:

Prof. Dr. Gazmend Shpuza, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Prof. Dr. Seit Mansaku, Dr. Nail Draga si dhe Prof. Mehdi Gurra.

            Idetë e këtij autori (Pashko Vases) në këto vepra janë shumë të rëndësishme për vetë peshën e jashtëzakonshme të figurës së tij. E çuditshme është se si pak është thelluar ndokush gjer më tani në to.

Pashko Vasa ishte një ofiqar i Perandorisë Osmane; ndër të tjera kreu detyrën e guvernatorit të Libanit. Historianët e quajnë mendimtar i nacionalizmit shqiptar, ideolog të Rilindjes Kombëtare, ideolog të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sipas një jetëshkrimi të tij, ai ka marrë medalje të klasit të parë dhe nga Papa, mes shumë medaljeve të tjera.

Vepra “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare” nuk është një punim i mirëfilltë historik, një paraqitje sistematike e ngjarjeve për principatën e vogël, sipas vetë autorit. Siç e thotë dhe titulli, bëhet fjalë për një skicë të thjeshtë të mbështetur në traditat gojore shqiptare.

“Nuk ka gjë më të vështirë,” shpjegon kështu Pashko Vasa, “se të shkruash historinë e Malit të Zi, prandaj dhe nuk kemi një pretendim të tillë.” “Mungesa e kulturës intelektuale nuk u ka lejuar malazezëve, as fqinjëve të tyre, shqiptarëve,” vazhdon ai, “t’ua përcjellin pasardhësve kujtimet e bëmave të tyre me ndonjë formë tjetër, përveçse nëpërmjet traditave gojore.” Një “por” vjen më pas. “Por, në Shqipëri dhe në Mal të Zi,” nënvizon autori, “legjendat e ruajtura përmes këngëve popullore janë vështruar si dokumente historike, Kështu që ideja për t’i përdorur ato në një punim serioz nuk na është dukur aspak e çuditshme.”

Gjithashtu Pashko Vasa në veprat e tij, që është akoma më interesante si i përshkruan ky mendimtar atdhetar muslimanët shqiptarë dhe marrëdhëniet e tyre me të krishterët:

“Muslimanët e Shqipërisë janë shqiptarë si dhe të krishterët; flasin po atë gjuhë, kanë po ato zakone, vazhdojnë po ato doke dhe po ato tradita. Në mes të atyre dhe të krishterëve kurrë s’ka pasur smirë të rrënjosur, as dhe armiqësira shekullore. Ndryshimi i fesë kurrë s’ka qenë një shkak për t’i shtytur në një përçarje sistematike; muslimanët e të krishterët, me pak përjashtime, gjithmonë kanë jetuar në një shkallë barazijeqë gëzojnë po ato të drejta dhe përmbushin ato detyra.”

Po ashtu shprehja e Pashko Vases: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, ka kuptimin e unitetit kombëtar dhe të respektit ndërreligjioz, dhe aspak nuk ka të bëj në kontekstin teologjik. I revoltuar me situatën e pafavorshme politike, të brendshme dhe atë ndërkombëtare, Vaso pashë Shkodrani ngre zërin kundër përçarjes, gjë që e shohim në vargjet tjera të mëposhtëm:

“Shqyptar’, me vllazen jeni tuj u vra/ Ndër nji qind çeta jeni shpërnda;/ Sa thonë kam fe sa thonë kam din;/ Njeni: “jam turk”, tjetri: “latin”/ Do thonë: “Jam grek”, “shkje” disa tjerë,/ Por jemi vllazen t’gjith more t’mjerë!”

Andaj veprat e Pashko Vases, janë mjaft interesante pikërisht për këndvështrimin e tij. Lexuesit i mjafton pak kohë dhe pak vullnet për ti lexuar.

Tubimin në fjalë e percollën mediat lokale si dhe ato nga rajoni, dhe krejt në fund për pjesmarrësit u shtrua një koktej i begatë si dhe u shpërndanë përpos librave të Pashko Vasës, mesin e tyre ishin edhe mbi 30 tituj të fushave të ndryshme të botuara nga fondacioni ALSAR dhe që u shpërndanë falas enkas në këtë natë.

Ulqin, Prill, 2019

*autori është kryetar i Institutit IDEA