Ulqini sivjet ofron më shumë por çmimet mbesin të njëjta, thotë Gjeka

Foto: Koha Ditore

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq i shoqëruar nga zyrtarë e afaristë nga kjo komunë, kanë prezantuar ofertat turistike të Ulqinit për vitin 2019.

Në një takim me biznese të mbajtur sonte, Nrekiq tha se që nga marrja e mandatit të tij si kryetar i Ulqinit, para 10 muajve, prioritet e ka investimin në këtë komunë. Kurse pohoi se panairi sotëm ka një synim, që të ofrohen ofertat e turizmit.

“Panairi ka një pikësynim, i cili është i konceptuam asisoji që operatorët e turizmit të afrohen me njëri-tjetrin dhe në atë mënyrë të zbatojnë atë që këto të gjithë së bashku të bëjnë një të më të mirë për komunën e Ulqinit. Qytetarët e Kosovës janë dhe e ndjejnë vetën si me qenë në shtëpi të tyre në Ulqin”, tha ai.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se bashkëpunimi turistik duhet të jetë dykahor.

“Bashkëpunimi turistik ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e në këtë rast Ulqinit në veçanti, por edhe viseve të tjera shqiptare deri më tani ka qenë shumë mirë, shpresoj që ky bashkëpunim të vazhdoj edhe më tutje. Turizmi që e kemi zhvilluar deri tash në raport me Ulqinin, Malin e Zi ka qenë një turizëm njëkahor, unë tash e kisha kërkuar edhe nga ju këtë lloj turizmi ta kthejmë në dykahor. Republika e Kosovës ka zona shumë të rëndësishme turistike, sidomos të cilat mund të shfrytëzohen nga qytetarët e Ulqinit dhe në vise tjera shqiptare, gjatë kohës së dimrit, andaj të vazhdojmë të punojmë së bashku”, tha Shala.

Fatmir Gjeka, drejtor i Organizatës Turistike të Ulqinit, tha se tashmë kosovarët do të kenë më të lehtë turizmin në Ulqin.

“Kemi plazhe të mira, ushqim të mirë, njerëz miqësor dhe përmbajtje të reja. Jam i bindur se ajo që është e rëndësishme për ju, se për Ulqin do të udhëtoni më rehatshëm, sepse ka përfunduar ekstruksuksioni i rrugës nga vendkalimi kufitar me Shqipërinë deri në qytetin tonë në Ulqin. Po ashtu janë lehtësuar edhe procedurat e hyrjes në Mal të Zi. Kjo vlen sidomos për fëmijët, për të cilat mjaftojnë vetëm certifikatat e lindjes ose librezat shëndetësore, për të kaluar kufirin. Me kënaqësi mund të them se oferta jonë është përmirësuar, ndërsa çmimet kanë mbetur praktikisht njëjtë”, tha ai.

Komuna e Ulqinit sot në Prishtinë ka prezantuar ofertën turistike për sezonin veror 2019, ku është hapur edhe një panair për prezantimin e ofertave turistike. /KohaNet/