Zgjedhjet në Maqedoni: Dalje e ulët e shqiptarëve, Reka merr mbi 73 mijë vota

Blerim Reka me 10 për qind, detyron balotazhin Pendarovski-Siljanovska

Blerim Reka nuk do jetë kandidat në balotazh për presidentin e ardhshëm të Maqedonisë Veriore. Por rezultati i tij i mirë, me mbi 10 për qind të votave të fituara, ka detyruar balotazhin, pasi asnjëri nga dy kandidatët maqedonas nuk arriti të fitojë gjysmën e nevojshme të votave.

Edhe pse nuk e pati mbështetjen e të gjitha partive shqiptare, rezultati zgjedhor e ka trimëruar Rekën, i cili të dielën mbrëma, pas zgjedhjeve, paralajmëroi një pranverë të re për vendin.

Me mbi 73 mijë votat e grumbulluara apo 12 për qind të votuesve, ish-ambasadori Reka ka detyruar balotazhin mes kandidatit të LSDM-së, Stevo Pendarovski, i cili kishte mbështetjen e 31 partive të tjera, përfshirë BDI-në e Ali Ahmetit, dhe të kandidates së opozitës nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska.

Pas numërimit të mbi 90 për qind të votave, Pendarovski ka fituar mbi 42.62 për qind apo 270 mijë vota, ndërkaq Siljanovska ka marrë 267 mijë vota apo 42.46 për qind. Balotazhi do të zhvillohet më 5 maj.

Krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare, dalja ka qenë shumë më e ulët sidomos në vendbanimet me shumicë shqiptare. Pjesëmarrja ka qenë 39.83 për qind e trupit të përgjithshëm votues, apo 700 mijë qytetarë nga mbi 1.8 milionë votues.

Veç dalje së ulët, mbi 30 mijë vota kanë qenë të pavlefshme. Zgjedhjet për presidentin e pestë, i pari pas ndërrimit të emrit në “Republika e Maqedonisë së Veriut”, nuk i ka përshkuar ndonjë parregullsi e madhe./koha.net/