“Çdo kund ndërtohet nga diçka, e në Krajë asgjë”

Ostrosi

Nga Hajrullah Hajdari

          Me ndarjen e re territoriale në Mal të Zi, në vitin 1957, komuna e Krajës ishte suprimuar dhe i ishte bashkangjitur komunës së Virpazarit, përkundër faktit se para se të themelohej komuna e Krajës, ajo i takonte Ulqinit dhe vepronte si nënprefekturë e kësaj komune dhe nga territori i asaj komune nuk kishte më shumë se 7 km. ndërsa pika më e afërme e komunës së Virpazarit ishte jo më pak se 25 km,.nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër Kraja ishe e populluar 100 % me shqiptarë dhe e natyrshme do të ishte që pas suprimimit të komunës Kraja t’i bashkangjitet Ulqinit, po ashtu me popullsi shumicë shqiptare. Sidoqoftë, Kraja i bashkangjitet komunës së Virpazarit, komunë me popullsi malazeze, shumë pak, deri atëherë,  e njohur dhe e frekuentuar nga kranjanët.

           Nga aspekti ekonomik bashkim i këtyre dy komunave ishte krejtësisht i pa justifikuar dhe jo profitabil nga se potenca ekonomike e Cërmnicës ishte edhe më e vogël se ajo e Krajës, zatën Crmnica çdo herë Krajën e ka quajtur “Debela Krajina” ( Kraja e majme) në kuptimin Kraja e  pasur dhe çdo herë pasuria e sajë ka qenë synim i plaçkitjeve. Nisur nga ky realitet Kranjanët, të bashkuar në komunën e Cërmnicës me qender në Virpazar, nuk mund të pritnin një prosperitet ekonomik më të mirë, ndonëse propaganda komuniste e kohës proklamonte një zhvillim të shpejtë ekonomik të këtij vendi. Ndërkaq, sigurisht, aspekti politik prevaloi mbi aspektin ekonomik në këtë ndarje të re territoriale, pra bashkangjitjen e Krajës komunës së Crmnicës. Kraja ishte shkëputur nga trungu amë, Shqipëria, vite më parë, ajo kufizohet me popullin e vet, me vllezërit e tyre dhe malazezet e dinin se  lidhjet familjare dhe pasuria e tyre qe kishin mbetur në anën tjetër të kufirit nuk harrohen lehtë. Mënyra më e mirë për të shuajtur ndjenjën e përkatësisë kombëtare të një populli është shkëputja e komunikimit me popullin e vet, arsimimi dhe komunikimi zyrtar në gjuhën joamtare, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, instalimi dhe veprimi i pushtetit  në formë dhe mënyrën më pak të kuptueshme për popullin pakicë, i cili kështu mbjellë frikën dhe shton respektin e sforcuar duke rrugëtuar drejtë harresës së përkatësisë se indentitetit të vet. Ajo që e prite Krajën, në komunën e Virpazarit, ishte administrata, gjyqësia e ekzekutivi, pra komunikimi,  në gjuhën malazeze,  shkollimi në disa fshatra, po ashtu në gjuhën malazeze, por një zhvillim i mirëfilltë dhe i barabartë ekonomik nuk mund të pritej. 

           Pushteti i Malit të Zi, më kohë i kishte programuar veprimet të cilat duhej ndërmarrë në territoret e bashkangjitura të komunës së Virpazarit. Nëpër mes njerëzve të  instaluar në pushtetin lokal të KPV të Krajës, të cilët u shërbenin më shumë pushtetarëve se fshatarëve të tyre e kjo si pasojë e respektit të sforcuar që ceka më lartë, por edhe për interesa personale, politika dhe pushteti  i Malit të Zi, me parrullën e barazisë politike të të gjithë popujve tentonte të tërhiqte vëmendjen nga e kaluara e tyre kulturoro-historike, nga përkatësia e tyre kombëtare, me fjalë të tjera mundohej të përfitonte besimin e kranjanëve për lojalitet dhe bashkëpunim.Por, për zhvillim ekonomik, për përmirësimin e kushteve të jetës, për kulturë e arsim të mirëfilltë nuk flitej edhe aq shumë. Megjithatë kranjanët dalëngadalë po i kuptonin marifetet politike të servuara, kështu disa nga ata nxënës që ishin regjistruar në shkollat e mesme në gjuhën malazeze, sidomos ato në normalen e Nikshiqit, u çregjistruan dhe vazhduan shkollimin në gjuhën shqipe në Kosovë e cila u bë udhërrefim dhe burim i dijës dhe arsimimit jo vetëm të kranjanëve, por e të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi.

            Kjo, natyrisht, nuk i pëlqente pushtetit dhe politikës shtetërore të Malit të Zi mbase e dinin se arsimimi në gjuhën amtare është bazë e zhvillimit dhe prosperitetit të një populli, është bazë e zhvillimit të ndjenjës kombëtare, bazë edhe për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik të një populli në përgjithësi e në veçanti të popujve pakicë.

            Pushtetarët e komunës së Virpazarit i kishin hetuar të gjitha këto ndaj dëshironin që përveç me veprime politike në Krajë të nxisin edhe një zhvillim ekonomik i cili do të ndikonte në vendosjen e besimit më të madh ndaj shtetit të Malit të Zi.

            Për të kuptuar të gjithë esencën e veprimit politik dhe ekonomik të pushtetit malazez në Krajë, më poshtë po paraqes një dokument arkivor që flet për Krajën, tema dhe mbrendësia e të cilit është ose mund të jetë aktual edhe sot e kësaj dite, pasi shumë nga problemet dhe brengosjet e atëhershme janë të pazgjidhura sot e kësaj dite, janë të paarritura, janë aktuale.

Kryetari i Këshilli Popullor i Komunës së Virpazarit, Gjuro Radoviq, me shkresën nr. 04-2609/1-59, datë 17 korrik 1959, i drejtohet Këshillit Ekzekutiv të Republikës Popullore të Malit të Zi – Sekretariatit për punë financiare, në të cilën përshkruan pozitën gjeografike dhe gjeomorfologjike të Krajës dhe analizon gjendjen ekonomike dhe kulturore të këtij territori i banuar krejtësisht me popullsi shqiptare, kryesisht të konfeksionit mysliman. Ai thekson se Këshilli ka ardhur në përfundim se gjendja është e paknaqshme në çdo aspekt dhe meqenëse kjo krahin gjendet në kufi me Shqipërinë, propozon që të ndërmerren disa masa në mënyrë që kjo gjendje të përmirësohet. Në shkresë theksohet:

          “ Ky territor përbëhet nga 35 fshatra dhe mëhalla dhe numron 5.500 banorë të pakicës kombëtare shqiptare. …

           Qendra e Krajës – Ostrosi, nga Virpazari është afër 35 km, ndërsa nga Shkodra (Shqipëri) vetëm 16 kilometra.

           Gjatë Luftës së II-të Botërore, lëvizja NÇL, në Krajë nuk ka qenë aspak e zhvilluar. Ato kanë qenë indifirent ndaj të gjitha ngjarjeve të zhvilluara atëherë, por indifirititeti i tyre më shumë ka ndihmuar armikun se sa levizjen tonë çlirimtare……

           Propaganda shqiptare, para dhe gjatë luftës ka shkuar në drejtim që ky territor t’i bashkohet Shqipërisë dhe në këtë ka gjetur mbështetje të mirë nga se kranjanët në aspektin ekonomiko-social janë të lidhur me Shkodrën, meqenëse atje kanë tokat e tyre, miqtë, kushërijtë dhe ajo ka qenë qendra në të cilën kryesisht kanë realizuar të gjitha prodhimet e veta, kanë zhvilluar marrëdhëniet tjera tregtare.

            Një numër i madh i Kranjanëve është shpërngulur në Shkodër, kështu që pushteti shqiptarë, këtë propogandë e kanë zhvilluar kryesisht nëpërmes tyre, duke u shërbyer me faktin se banorët e këtyre krahinave janë të demoralizuar.             

           Menjëherë pas çlirimit të Krajës, pushteti ynë, në këtë drejtim, ka hasur në disa vështirësi. Ka ndodhur që gjatë fjalimeve apo manifestimeve të ndëgjohet “ Duam Shkodrën” , “ çdo kund ndërtohet nga diçka, e të na asgjë” dhe haptas kërkojnë bashkimin me Shqipërinë. Në ditët e para të pas çlirimit, një numër i madh i Kranjanëve, në mënyrë që t’i shmangen shkuarjes në shërbimin ushtarak të Jugosllavisë, kanë ikur në Shkodër, ndërsa një numër janë fshehur në pyll.

            Udhëheqja e sotme e pushtetit dhe politikës Shqiptare shkon në të njëjtën vijë. Ato haptas shprehin pretendimet e tyre ndaj Kosmetit dhe vendeve tjera të banuara me shqiptar duke i thirur në luftë kundër regjimit të sotëm jugosllav. Shërbimi i fshehtë shqiptarë zakonisht u ofrohet personave të pakicave, në baza nacionale, si atyre të cilët gjendet të ata si dezerter, ashtu edhe atyre që i  gjejnë në territoret tona. Të ato haptazi shtrijnë urrejtjen ndaj malazezëve, serbëve etj.

Kjo politikë e cila zbatohet që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, ka pasur dhe ka ndikim të kranjanët. Ato ndihen shqiptarë dhe simpatizojnë Shqipërinë si të tillë, edhe pse sot konkretisht në regjimin e atjeshëm nuk shohin asnjë zgjidhje. Në favor të kësaj gjendje shkon edhe fakti se ajo masë përgjithësisht është me kulturë të prapambetur dhe jo mjaftueshëm e arsimuar. Nga ai teren nuk ka asnjë udhëheqës i rritur në atë mjedis e i cili  kishte mundur me i shpjegua ndryshimet shoqërore në vendin tonë. Ato janë njerëz gjysëm analfabet, me kuptime të vjetra dhe të prapambetura, të cilët duke i falenderuar prapambetjës së tyre, nuk mund të shkëputën nga ato kuptime.

           Kur bëhet fjalë për Kranjanë, duhet të kemi parasysh   se ato janë të gatshëm të strehojnë çdo kend, i cili fshihet nga pushteti pa marrë parasysh arsyen e fshehjes dhe qendrimin politik të tyre, nëse ka të bëjë me mikun e tyre. Ky fakt shqiptarëve, pas daljes se rezolutës se Informbirosë,  u ka ndihmuar në shumë çka.       

           Rezoluta e IB-së e vitit 1948, u ka interesuar kranjanëve vetë për arsye se iu ka kufizuar shkuarjen përtej kufirit për të punuar tokat e tyre në anën e Shqipërisë nga të cilat kanë pasur fitime të mëdhaja, madje ndaj asaj politikisht kanë qenë indiferent. Nga numri i përgjithshëm i popullsisë vetëm 4-5 sish janë burgosur për shkak të Informbirosë.

           Mirëpo Shqipëria, pas daljes se Informbirosë,  ndaj një numri të konsideruar të kranjanëve ia ka arritur të realizojë qellimet e veta. Këtë qëllim e ka arritur duke iu falenderuar një numri të madh të kranjanëve që banojnë në Shkodër dhe rrethinën e sajë. Sa për ilustrim po përmendim faktin se kanë pasur sukses të përfitojnë edhe ish kryetari e komunës Isa Ardoliqin, i cili njëkohësisht ka qenë edhe deputet popullor, nëpërmes të cilit kanë realizuar politikën dhe ndikimin e tyre. Karakteristike për këtë territor është se rinia shumë vështirë ndahet nga shtëpia e vetë dhe pak kush vazhdon shkollimin apo mësimin e ndonjë zanati.

          Sa i përket zhvillimit ekonomik dhe kulturor, nga çlirimi gjerë më sot, në këtë teren është bërë shumë pak. Në anën tjetër shqiptarët, në Shkodër dhe rrethinë, në afërsi të kufirit që shihet nga territori i jonë, me shpejtësi kanë punuar në ngritjen e disa objekteve siç janë: eletrifikimi i fshatrave, ndërtesa të ndryshme ( shkolla, shtëpi kultture, fabrika, kooperativa bujqësore, ndërtesa ekonomike me mbishkrime të ndriçuara), kanale të sistemit të meliorizimit për gjatë bazenit të liqenit të Shkodrës etj.

           Është e pamohueshme se këto objekte për ekonominë e Shqipërisë janë me rëndësi ekonomike, por një pjesë e tyre janë ndërtuar për qëllime propogande, pasi disa janë jo ekonomik si prsh. Termocentralet. Mirëpo shqiptarët, për të krijuar paknaqësi në pjesët tona ku jetojnë pakicat, janë të gatshëm të sakrifikojnë humbje të tilla

           Duhet të pranuar se në territorin e Krajës, sa ipërket zhvillimit ekonomik dhe kulturor deri me tani nuk është bërë sa duhet, edhe pse mundësit kanë qenë të mëdhaja, dhe kjo është një leshim i madh.

           Në këtë teren ekziston një kooperativë bujqesore e cila për çdo vit ballafaqohet me probleme të mëdha në organizimin e grumbullimit të prodhimeve bujqësore dhe furnizimin e popullsisë me mjete të ndryshme dhe materiale reprodukues. Kooperativa edhe sot, për transportin e mallrave dhe furnizimin, është e orijentuar në liqenin e Shkodrës, i cili për shkak të motit dhe mjeteve primitive, shpesh herë gjatë vitit ndërpritet. Përveç asaj kooperativa është e vëndosur në hapsira shumë të papërshtatshme e në të cilat nuk janë plotësuar as kushtet më themelore tekniko-sanitare.     

          Kushtet natyrore dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik dhe kulturor të këtij territori janë shumë të volitshme. Bujqësia dhe peshkimi janë degët kryesore ekonomike. Kranjanët janë prodhues shumë të mirë të duhanit. Prodhojnë në vit rreth 100 tona duhan të kualitetit të shkëlqyeshëm, i cili rreth 90 % shkon për eksport. Konfiguracioni malor i këtij terreni nuk lejon që të krijohen komplekse të mëdhaja për përdorimin e makinerisë për cilën do kulturë të prodhimtarisë bujqësore, kështu që as në perspektivë nuk mund të llogaritet në realizimin e sektorit shoqroro-socialist.

           Zhvillimin e bujqësisë në këtë rreth duhet kërkuar, gjegjesisht zbatuar nëpër mes të kooperativës bujqësore duke organizuar forma të ndryshme të bashkëpunimit ndërmjet kooperativës dhe prodhuesëve bujqësor.

           Kjo gjendje mundëson që ky rajon, në aspektin e propagandes shqiptare dhe sigurisë së vendit, të mbetet edhe më tutje vend i rrezikshëm. Për të arritur një shkallë të caktuar të zhvillimit dhe për të mundësuar levizjen e metejshme të të gjitha forcave dhe faktorëve brenda këtij rajoni, është e nevojshme që më parë të krijohen kushtet e nevojshme, gjegjësisht të sigurohen për këtë rajon elementet më themelore për zhvillimin e mëtejshem ekonomiko-kulturor. Lidhur më këtë do ishte e nevojshme të ndërmerren këto masa:

  1. a/ Të ndërtohet rruga automobilistike, e gjatë 4 km. nga Ostrosi deri në Sjerç dhe kështu të lidhet qenndra e ardhshme e Krajës me liqenin e Shkodrës, e cila do mundësonte kalimin e kooperativës bujqësore nga Sjerçi në Ostros.

b/   Të vazhdohet dhe të mbarohet rruga automobilistike Ostros – Katërkollë, e gjatë rreth 75 km. e kështu të lidhen të gjithë fshatrat me bregdetin tonë, gjegjësishtë me pakicën shqiptare në Katërkollë dhe Ulqin.

Për ndertimin e objekteve nën “ a “ dhe “ b “ duhet të sigurohen mjetet financiare në lartësi prej 60,000,000 dinarë. Në këtë shumë nuk duhet llogaritur mjetet të cilat do të formohen e angazhohen nga vetëkontributi dhe të ardhurat tjera lokale, të cilat po ashtu janë të nevojshme, sepse me shumën e përmendur nuk mund të përfundohen objektet e përmendura të cilat kalojnë nëpër teren të vështirë.

  • Elektrifikimi i këtij teren është një ndër masat më të rëndësishme për zhvillimin ekonomiko-kulturor të kësaj krahine. Lidhur më këte ky Këshill e ka punuar programin investiv për elektrifikimin e këtij rajoni nga Virpazari deri në kufi me Shqipërinë – Skje.Sipas këtij projekti nevojiten 60.000.000 dinarë
  • Me qëllim të eliminimit të anafalbetizmit dhe ngritjes kulturoro-arsimore të popullatës të kësaj ane është e nevojshme të ndërtohen pesë objekte për shkollat fillore dhe një objekt për shkollën tetëvjeçare. Kjo për arsye se hapsirat e deritanishme të shkollave fillore në asnjë aspekt nuk i plotësojnë kushtet për zhvillimin normal të mësimit, pasi ato janë të vëndosura në shtëpia private, të errta e pandriçim. Në territorin e kësaj krahine sot, në shkollat fillore dhe tetëvjeçare, vijojnë mësimin mbi 700 fëmijë.

Për ndërtimin e këtyre objekteve, është e nevojshme që përveç të ardhurave lokale dhe të ardhurave të tjera të sigurohen edhe 45.000.000 dinarë. Me këto mjete do të ndërtoheshin 5 shkolla fillore dhe një tetëvjeçare me hapsiat më themelore për zhvillimin normal të mësimit.

  • I gjithë ky teren paraqet një tërësi gjeomorfologjike të varfër  burime të ujit. Vetëm në një vend gjendet një burim i cili do mund të çohet poshtë deri në qendren e ardhshme të Krajës. Për pjesën tjetër të këtij tereni është e nevojshme të ndërtohen cisterna të betonit të cilat do të mbusheshin me shi dhe uji do të përdorej si për të  pirë njerëzit, ashtu dhe për të paitur bagëtinë.  

Për këtë qëllim duhet të sigurohen 35.000.000 dinarë.

  • Më parë kemi cekur së në këtë territor jetojnë më shumë se 5.500 banorë, të cilët për shkak të jetës primitive dhe ushqimit rregullisht janë të ekspozuar sëmundjeve të ndryshme ngjitëse dhe për këte arsye është detyrë  urgjente që në qendër të kësaj krahine të ndërtohet një stacion shëndetësor – ambullanta e cila do të zgjidhte disa raste të veçanta dhe urgjente në lëminë e higjenës dhe shëndetësisë.

Për këtë qëllim duhet të sigurohen 10.000.000 dinarë.

  • Me qëllim të sigurimit të kuadrit të nevojshëm dhe profesional dhe likuidimit të analfabetizmit në këtë rajon, është e nevojshme të ndërtohet objekti i banimit për kuadrat më të nevojshme të cilët do të punonin në shkollën tetëvjeçare, në ambullantë dhe në institucionet të tjera.

Për këtë qëllim duhet të ndërtohen rreth 15 banesa të cilat kushtojnë nga 2.500.000 dinarë e gjithësejtë rreth 36.000.000 dinarë.

  • Për mbi 1.100 të rinj e të reja të këtij tereni, nuk ekzistojnë  as kushtet më themelore për zbavitje dhe kulturë, kështu që ata janë lënë vetë të organizojnë ndonjë gëzim dhe ato në kuadër të dasmave, sipas zakoneve të prapambetura të tyre, pastaj me rastin e kryerjes së riteve fetare, festave të Bajramit etj.

Për shkak të kësaj gjendje nuk ekziston mundësia e organizimit të jetës kulturoro-zbavitëse dhe ngritjes kulturore në përgjithësi si të gjeneratës së tashme, ashtu edhe për gjeneratat e ardhshme. Për këtë arsye është e nevojshme të ngritet një shtëpi kulture në kuadër të secilës do të ndërtohej edhe një sallë e filmit. Për këtë qëllim do duhej të sigurohen 15.000.000 dinarë.

Shuma e përgjithshme për realizimin e masave më të nevojshme për krijimin e kushteve

 themelore për zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij rajoni është 255.000.000 dinarë.

         Theksojmë se pa realizimin e këtyre investimeve nuk do të kemi mundësi që në asnjë mënyrë të zgjidhim problemet e ardhshme themelore, meqenëse objektet e përmendura janë çelës i zhvillimit të mëtutjeshëm të kësaj ane.

          Ndërtimi i këtyre objekteve, në radhë të parë, do të ketë karakterin e zgjidhjes së nevojave kulturore dhe gjendjes së përgjithshme politike në këtë teren, …… dhe për këte arsye iu drejtohemi që këto investime të kryhen nga mjetet buxhetore.”

           Nëse vështrojmë ne retrospektivë, jo vetëm karakterin e kësaj shkrese, gjendjen faktike, dje dhe sot e kësaj dite, në të gjitha lëmit  e jëtës në Krajë do të nxjerrim vetëm një përfundim, të hidhur sigurisht. Plotë 60 vite kanë kaluar nga kjo kërkesë, ndërkaq kushtet për të vazhduar jetën normale, jo vetëm kulturore në Krajë, jo që nuk u përmirësuan, ato përkeqësohen edhe më shumë, zhvillim ekonomik nuk ka ngase nuk ekziston asnjë repart apo fabrikë siç na ishte dikur, së së paku, ajo kooperativë bujqësore. 60 vite kaluan nga ajo shkresë e Krajës edhe sot i mungon burimi i jetës, i mungon uji, i mungojnë njerëzit ajo po boshatiset, perspektiva e zhvillimit ka vdekur. Para 60 viteve zyrtarët e komunës së atëhershme të Virpazarit e theksuan faktorin politik si të rëndësishëm për zhvillimin e pakicës shqiptare në këto treva, po sot? Është evidente se politika sot ka arritur vetëm një qëllim, ndoshta për politiken primare, madhore, boshatisjen e këtij vendi që dikur ishte shumë i rëndësishëm për Shkodrën ( Mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu, i kishte liruar Kranjanet nga taksat e doganat e prodhimeve të cilat i çonin ne tregun e Shkodrës), për Crmnicën, Malin e Zi, po për të njëjtët favore. Ato 1.100, e sot shumë më shumë,të rinj e të rejash, tani janë fuqi puntore, intelegjencë, kontribues të arsimit e kulturës në çdo kontinent po thuaj. Ato kudo brohorisin: jemi kranjanë, jemi shqiptarë por në Krajë nuk ndëgjohet më ajo që cekej në shkresën e përmendur “ çdo kund ndërtohet diçka e në Krajë asgjë” mbase s’ka mbetur kush të kërkojë, e politika bënë punën e vet.