Athanas Gegaj , dizertacioni për Skënderbeun

Nga MOIKOM ZEQO

Në shekullin e XX shquhet një nga historianët më serioz të Skënderbeologjisë, Athanas Gegaj. Ai studioi në Francë dhe u doktorua në Universitetin e Lovenit në Dizhon. Doktoratura e tij flet dhe fokusohet tek Arbëria e shekullit të XV dhe  tek figura e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Është një vepër disiplinore ku janë respektuar kriteret e perfeksionizmit të një historiani që i referohet dokumenteve dhe sintezës së analizave me anë të një metodologjie shkencore. Libri i Athanas Gegajt qe ndryshe nga shumë libra paraardhës me të njëjtin subjekt dhe mund të konsiderohet  si një kuotë më e epërme, siç e ka cilësuar dhe Fan Noli “është ndofta më e mbaruara, që ka parë dritën gjer më sot si nga forma, nga lënda, edhe nga baza dokumentare”.Për Athanas Gegajn Arbëria ka qenë vendi që ka ndjerë kundërgoditjet e lëvizjeve që kanë tronditur popujt e Europës Juglindore por veçanërisht në shekullin e XV, bashkë me shtetet e tjerë ballkanikë ajo bëri qëndresë të gjatë dhe heroike, nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe kjo ka një rëndësi jo vetëm për historinë e saj por edhe për historinë Europiane. Në këtë rrafsh janë shkruar shumë vepra dhe punime por që mund të ndahen në dy kategori: nga njëra anë këto ngjarje janë evokuar nga kronikanët, veçanërisht arbërorë për të ringjallur guximin e bashkëkohësve të tyre, duke i kujtuar lavditë e stërgjyshërve, nga ana tjetër ato zënë një vend të rëndësishëm në historinë e popujve të Europës në fund të Mesjetës dhe në fillim të epokës moderne, si dhe kanë rëndësi për studimin e rënies së Perandorisë Bizantine. Por,  nën vështrimin e Athanas Gegajt “asnjë vepër deri tani nuk  i është nënshtruar studimit kritik të këtyre ngjarjeve të para sipas pikëpamjes shqiptare. Por, qëllimi i tyre mbrojtës e shpreh vlerën historike, prandaj një shqyrtim i ri kritik është i nevojshëm”. Historia e popullit shqiptar në shekullin e XV është një subjekt shumë i gjerë, ajo shtron pyetje të shumta dhe mjaft të ndërlikuara. Por shekulli i XV është  aq i rëndësishëm saqë i vendos ngjarjet e Skënderbejadës në kuadrin e historisë Europiane aq më tepër që Arbëria në këtë shekull ishte në procesin dhe në rrugën e bashkimit nga pikëpamja politike, pra edhe të një vetëdije  ftillëzuese kombëtare. Në rrafshin europian  lufta e Skënderbeut është detyrimisht një ndërlidhje e pashmangshme në atë që quhet faktori europian, duke pasur parasysh raportet intensive për gati 25 vjet me Mbretërinë e Napolit, Republikën e Venedikut, Papatin, Raguzën dhe Hungarinë.

Është për t’u vënë në dukje se Disertacioni i Athanas Gegajt mbështetet mbi burimet historike të cilat ai i klasifikon si të dorës së parë dhe të dorës së dytë. Burimin kryesor (kuptohet të dorës së parë) Athanas Gegaj konsideron një vepër të hartuar në latinisht të një farë Antonio d’Antivari, ose Antibarensis (Tivarasin) që kinse e kishte hartuar sipas të dhënave të të vëllait, oficer i gardës së Skënderbeut. Këtë vepër në latinisht e përdori historiani italian Biemmi për veprën e tij kushtuar historisë së Gjergj Kastriotit që u botua për herë të parë në Brescia të Italisë në 1742 dhe pastaj në një botim tjetër të ri më 1756. Vepra e të ashtuquajturit Tivarasi siç thotë Biemmi qe gjetur vetëm në një kopje libri, në gjendje të keqe, kopje që i mungonin disa fletë. Biemmi jep titullin që gjendej në fund të veprës “Historia Scanderbegu edita per quendam Albanesem, Venetus impressa industria atque impenda Erhardi Radolt de Augusta, anno Domini 1480, die 2 mensis aprilis ducante Joanne Mocenyco inclyto Duce”. Biemmi përmend se shkrimi latin qe me shkronja gotike dhe botimi nuk qe i ndarë në libra, apo kapituj. Kjo histori fillonte me ardhjen e Skënderbeut në Krujë dhe mbaronte me rrëzimin e të njëjtit qytet nga Ballaban Pasha. Biemmi e ka shfrytëzuar gjerësisht dhe në substancë historinë e këtij Tivarasi, por ka shfrytëzuar edhe të dhënat e librit të Marin Barletit për të mbushur boshllëqet lëndore të burimit të tij, dmth., të veprës së Tivarasit. Athanas Gegaj e beson që vepra e Tivarasit është diçka e vërtetë. Prandaj shkruan: “Ajo përbën një punë të shquar për epokën, ajo na jep të dhëna të çmuara dhe të sakta për pjesën më të madhe të ngjarjeve  pa e zmadhuar rëndësinë, larg apologjisë së Skënderbeut, shpesh ajo kritikon qëndrimin e tij, ajo nuk fsheh vështirësitë e brendshme të vendit dhe zbulon intrigat dhe komplotet e princërve të tij. Para së gjithash ajo na dhuron “një histori beteje”, por ajo na njeh gjithashtu me fakte shumë të rëndësishme për gjendjen e brendshme të vendit dhe zakonet e banorëve të saj”. Për Athanas Gegajn Kronika e Tivarasit ka shërbyer dhe shërben si një kronikë me shumë vlera. Por Gegaj i njeh edhe kritikat mohuese, gjersa nuk harron të shkruaj: “Ka pasur hipoteza të ndryshme për të goditur autorin e Historisë së Tivarasit, por të gjitha këto duken të paqëndrueshme. Ajo që mund të pohojmë është që ai qe me origjinë nga Tivari dhe mesa duket ishte klerik. Faullmerajer e njeh autorin, por nuk e ka parë veprën e tij, ai ka dashur ta identifikojë me Pal Engjëllin, kryepeshkopin e Durrësit, por asgjë nuk e provon këtë njehsim, përkundrazi kjo duhet hedhur poshtë, sepse Pal Engjëlli kish vdekur më 1469, kurse vepra daton më 1480”. Pra Athanas Gegaj, kësisoj, nuk ka dyshime dhe beson plotësisht kompilimin historik të Biemmit të bazuar në një kronikë, të ashtuquajtur autentike, por që për shumë dijetare modernë nuk është gjë tjetër veçse një vepër apokrite që nuk ka ekzistuar kurrë. Burimi i dytë kryesor për Athanas Gegajn është vepra e Marin Barletit. Barleti është një historian humanist Rilindas, që shkruan për të ndezur ndjenjën kombëtare të bashkatdhetarëve të vet. Për të Skënderbeu është një Hero Kombëtar që duhet krahasuar me heronjtë e lashtësisë, Aleksandrin e Madh, ose Pirron, jeta e Skënderbeut ka qenë një dramë e vërtetë dhe si rrjedhojë detyra kryesore e historianit duhet të konsistojë që t’i bëjë të ringjallen episodet. Por për Athanas Gegajn “pohimet e Barletit nuk janë të gjitha të sajuara, madje duket që ai ka pasur në dispozicion dokumenta të shumta që i kanë shërbyer për shumë pjesë të veprës, njoftime me vlerë dhe shumë të sakta, por mënyra si e ka kuptuar detyrën e tij e ka çuar ta bëjë atë në një formë pak kritike”.Kurse burimi i tretë është ai i Gjon Muzakës, bashkëkohës dhe shok armësh i Skënderbeut. Gjoni iku në Itali, ku më 1510 harton një kronikë mbi familjen e tij dhe ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Ndonëse kronika e Gjon Muzakës ka dhe pjesë që nuk kanë interes të historisë shkencore siç është një histori mitologjike mbi origjinat e Stemave të Engjëllorëve, apo një gjenealogji e trilluar të familjes së Muzakajve, prapëseprapë kronika e tij përbën një dokument shumë të çmuar për Historinë e Arbërisë së shekullit të XV. Muzaka ka rrëfime të ngjashme me ato të Barletit për rininë e Skënderbeut, qëndrimin e tij në oborrin e Sulltanit, kthimin në Arbëri, kthimin  në katolik dhe përpjekjet për formimin e Lidhjes së Lezhës. Por në pjesë të tjera Muzaka është krejt i ndryshëm nga Barleti. Mund të supozohet që Muzaka e ka njohur kronikën e Barletit dhe ndoshta ka kopjuar ose përsëritur pjesën që flet për Skënderbeun në rininë e tij. Por në fakt Gjon Muzaka nuk i kushton ndonjë vend të madh Skënderbeut dhe për më tepër duket qartë se ai nuk e simpatizon atë. Ja njeh vlerat ushtarake Skënderbeut, por nuk ngurron të thotë edhe pakënaqësitë, që Skënderbeu u rrëmbente tokat dhe pronat feudalëve të tjerë arbërorë, për arsye të qendërzimit të pushtetit të vet.Përsa i përket kronikanëve të dorës së dytë Athanas Gegaj përmend disa botime të vitit 1539 dhe 1545 të mbështetura “në dorëshkrimin latin të Abatit Demetrio Franco, thesarmbajtës të heroit Skënderbe, por këto vepra sipas Gegajt nuk kanë rëndësi të madhe sepse janë të varura nga Barleti”. Ndërkohë Athanas Gegaj përmend burimet bizantine, kronikanët turq si dhe burime të tjera arkivore.Libri i Athanas Gegajt ka rëndësi edhe për sot nga pikëpamje e vështrimit të përgjithshëm, paraprijës dhe përshkrues për situatën e brendshme të Arbërisë në mesjetë. Kjo gjë nis që me kohën e copëtimit të Perandorisë Romake, ku vendet e quajtura më vonë Ballkanike u bashkuan me Perandorinë e Lindjes, gjë që ka përcaktuar fatin e tyre për shumë shekuj. Në shekullin e VII dobësimi i Bizantit stimuloi dyndje të madhe. Sllavët pushtues përqafuan qytetërimin e popujve që pushtuan, përqafuan fenë e krishterë. Por ky pushtim zhduku si të thuash racën ilire në pjesën më të madhe të gadishullit, një pjesë e madhe e banorëve të vjetër humbën gjuhën dhe traditat e tyre . Të vetmit në gjithë gadishullin, arbërorët, pasardhës të ilirëve mbetën mbijetues duke ruajtur individualitetin e tyre. Hapësirat e banuara nga arbërorët në mesjetë janë quajtur si Arbania, Arbanon, Rabon, Albania, Albanum si dhe Albanon. Termi “Arvania” del që në mijëvjeçarin e fundit të shekullit të VII. Në shekullin e X takojmë emrin “Arbanon” që bizantinët quanin territoret e vendosur ndërmjet Shkodrës, Durrësit, Ohrit dhe Prizrenit. Shekuj më vonë në kohën e Karl Topisë (1358-1388), të quajtur si “Dominus totius Albaniae (“zotëri i tërë Arbërisë”), Arbanoni i bizantinëve vendoset në jug të Arbërisë. Në mesjetë në shumë dokumente përmenden të dy emrat Arbania si dhe Albania. Në letrat e Papëve përmenden “Arbanensis Princeps” si dhe “Judex Albanorum” dhe në këto emra  dallohen kryesisht feudalët e Arbërisë Qendrore. Deri në shekullin e XVI Gjon Buzuku e quan këtë tokë “Arbëri”.Gjatë mesjetës tokat e Arbërisë nga pikëpamja fetare i takonin Kishës së Perëndimit, por pas pushtimit sllav u bë e fortë tendenca e lidhjes me Kishën e Lindjes të Perandorisë së Bizantit. Megjithatë arbërorët i ruajtën lidhjet me kishën e Perëndimit dhe shpesh kronistët bizantinë e quanin Arbërinë si “Latinia”. Familjet e mëdha arbërore që luajtën rol në historinë mesjetare janë disa që meritojnë të përmenden. Në shekullin e XII Princi Progoni qeverisi në Arbërinë Qendrore jashtë ndikimit serb. Gjatë sundimit të tij  ai u shkëput nga pushteti Bizantin. Të njëjtën gjë bëri dhe i vëllai Gjini dhe më pas Dhimitri.Familja e madhe e Topiajve  përfshinë dy degë: atë të veriut që mban emrin Topiaj dhe atë të jugut të quajtur Araniti-Komnena. Sundimi i Topiajve shtrihet nga Durrësi deri në Artë, zotëron qytetin e Krujës deri në Ohr. Topiajt patën lidhje martesore me shtëpinë mbretërore të anzhuinëve të Napolit. Më i njohuri i kësaj familje Tanush Topiaj njihej nga Papa me titullin “Konti Imatias, titull ky i konfirmuar dhe nga mbreti Robert në 1838. Andrea Topiaj i biri i Tanushit u martua me vajzën jo të ligjshme të mbretit Robert të Napolit me gjithë kundërshtimin e tij që ia kish caktuar vajzën një Princi të Poleponezit. Andrea pati dy djem: Karli dhe Gjergji. Karl Topiaj më 1358 zotëronte Krujën dhe në 1363 mori pushtetin edhe në qytetin e Durrësit. Topiaj u bë një zot i fuqishëm, fortifikoi Krujën dhe Kalanë e Petrelës dhe pranë Elbasanit ndërtoi një Manastir ku vendosi reliket e shenjtorit Gjon Vladimirit si dhe u varros vetë në këtë manastir. Nga dy letra të Papës Grigori i XII del se Karl Topiaj ishte katolik. Ai vdes më 1388 duke lënë si pasardhës të birin Gjergjin, i cili vdiq më 1392 dhe Durrësi ra në duart e Venedikut.

Athanas Gegaj në  rrafshin e sinopseve lakonike shkruan dhe për familjet e tjera të mëdha siç janë Balshajt, Dukagjinët, familja e Koja Zakarisë, familja Jonimëve, e Muzakajve, e Spatajve, por dhe për familjet arbërore më në jug në Janinë dhe në Artë, siç ishte familja e Zenebishtëve apo familja e Gropajve me qendër në qytetin e Ohrit. Gegaj ndalet  edhe familja e Kastriotëve për të përshkruar disi më gjerë origjinën dhe rolin e kësaj familje në histori. Për Athanas Gegajn Kastriotët ishin një racë e pastër arbërore, sepse “kemi dëshminë e qartë të vetë Skënderbeut”. Emri i tyre më i vjetër është Mazreku, i panjohur nga kronikanët e kohës, më pas u zëvendësua nga mbiemri Kastrioti. Për Gegajn familja e Kastriotëve mbiemrin e parë e ka marrë nga fshati Mazreku që ndodhet midis Shkodrës dhe Drivastit, në bregun e djathtë të Drinit, kurse mbiemri Kastrioti që mbijetuar në histori lidhet padyshim me lokalitetin e Kastrit në Mirditë që ndodhet midis fshatrave të Dibrës, Minellës, Kashnjetit dhe Vigut. Kastriotët kanë zotëruar një pjesë të madhe të territoreve në verilindje të Shkodrës dhe të Lezhës dhe deri në Prizeren. Në perëndim takoheshin  me pronat e Dukagjinasve që përfshinin fushën e Zadrimës dhe lokalitetin e Fandit. Por nuk mund të përcaktohen me saktësi kufijtë që ndanin pronat e këtyre dy familjeve. Në kohën  e fuqizimit të shtetit të Balshajve Dukagjinasit dhe Kastriotët u shpronësuan nga pasuritë e tyre, por  mbas rrëzimit të Balshajve Kastriotët i fituan sërish pronat.

Gjon Kastrioti, i ati i Gjergj Kastriotit njihet si “Zot i Matit”. Ai zotëronte prona në rrethinat e Shkodrës dhe të Lezhës. Por qyteti i famshëm i Krujës nuk bënte pjesë në pronat e tij. Gjon  Muzaka pohon se Kastriotët zotëronin Matin, por nuk pranon që qenë dhe zotër të dy Dibrave. Gjoni kish disa kështjella si Petrelën, Stelushin dhe Zvedigradin në Dibrën e Sipërme. Gjon Kastrioti qe i lidhur me Republikën e Venedikut, në 1413 atij iu dha titulli ” i Qytetarit të Nderit”. Për të shpëtuar jetën dhe pasuritë e tij nga sulmet turke në 1417 Gjoni shpallet Vasal i Venedikut. Më pas Gjon Kastrioti i sprapsur nga forcat turke i dërgon djemtë e tij si peng në Adrianopojë. E njeh autoritetin e Sulltanit dhe e quan “miosignor”. Megjithëse i ka humbur shumicën e pronave Gjoni është akoma zot i një pjese të territorit të dikurshëm. Nga fundi i jetës Gjoni afrohet me Republikën e Raguzës. Vdiq më 1443. Pronat e tij u morën nga turqit dhe në Krujë u vendos Hasan Beu, ishte djali i Ajdin Beut dhe Elena Muzakës.

Për Athanas Gegajn gruaja e tij Vojsava qe “nga një familje me origjinë shqiptare”.

Ata lindën 4 djem, Reposhin, Stanishën, Konstandinin dhe Gjergjin dhe pesë vajza të cilat u martuan të gjitha me zotër arbërorë, Marina me Stefanin  Princin e Malit të Zi, Vllaica me Gjin Muzakën, Angjelina me Vlash Aranitin, vëllain e Gjergj Aranitit, Angjela ose (Jella) me Pal Balshën, dhe Mamica me Muzak Topinë. Gjergj Kastrioti ka lindur rreth viteve 1404-1405. Në 1410 gjatë pushtimeve të Muratit të II, Gjoni ka lënë peng njërin prej djemve të tij, ndoshta Reposhin.  Gjoni midis viteve 1421-1422, në emër të djemve i dhuroi Manastirit të Hilandarit në Athos dy fshatra. Athanas Gegaj e analizon kështu këtë fakt: “Ky veprim ka shtuar kureshtjen e historianëve, nëse Gjoni ishte katolik, ndërsa djemtë ishin kthyer në mysliman, pse babai i tyre i dhuronte këto fshatra një manastiri Ortodoks. Si mund të shpjegohet kjo? Së pari, bëhet fjalë për një akt të kryer para dhënies peng të djemve të Gjon Kastriotit. Pastaj, në qoftë se dihet me siguri që Reposhi dhe Gjergji janë kthyer në mysliman mund të dyshohet për të tjerët. Duke pasur parasysh fanatizmin e fesë në atë kohë, besohej se kthimi i tyre në fenë islame ka qenë i detyruar, sipas pikëpamjes së tyre, ai ishte një veprim oportunist, që i jepte Sulltanit siguri për besnikërinë e tyre. Përsa i përket dhuratës që iu bë Manastirit ortodoks bëhet fjalë në fakt për këmbim pronash midis Gjonit dhe murgjve. Por dhe mund të supozohet se ai ia ka bërë murgjve këtë dhuratë, për të cilën nuk është për t’u çuditur shumë sepse kishte ortodoks midis njerëzve të tij”.

Historinë e rinisë së Skënderbeut Athanas Gegaj e përshkruan sipas traditës, që ai ka shkuar si peng, arriti të bëhej i preferuari i Sulltanit, ka hyrë në trupën e Jeniçerëve dhe ka marrë pjesë në disa beteja në Azinë e Vogël. Që kur u kthye turk atë e quajtën Iskender dhe meqë ishte me origjinë të lartë i shtuan titullin bej ose beg dhe prej këtej vjen emri Skënderbej ose Skënderbeg. Pas vdekjes së Gjonit më 1443 Sulltani vendos guvernator të Krujës Hasan Beun dhe u dha urdhër atij të pushtoheshin të gjitha fortesat e Kastriotëve që u morën pa rezistencë. Nëna e Skënderbeut me vajzën e vogël Mamicën u fshehën në një vend të panjohur të Matit. Atje Vojsava vdiq para kthimit të të birit. Në 1443 në betejën e Kunovicës pranë Nishit  ushtrinë turke e drejtonin Karabegu, Pashai i Rumelisë por dhe Skënderbeu. Skënderbeu i la pozicionet e tij dhe mbas shpartallimit të turqve, së bashku me të nipin dhe me 300 kalorës, mbasi i morën dhe Kancelarit të Sulltanit Urdhrin e falsifikuar që e emëronte zot të Krujës u kthye në Krujë. Sapo u kthye  botërisht Skënderbeu e quajti veten të krishterë, pastaj mori fortesën e Petrelës dhe të Spellushit dhe pak më vonë të Stefigradit. Ky moment historik është quajtur në mënyrë dyfishtë si “Çlirimi i Skënderbeut dhe çlirimi i Arbërisë”. Pikërisht tani fillon epoka e madhe dhe e pashembullt Skënderbejane.

***

Ka përherë një lloj hapësire paraprijëse të çdo ngjarjeje të madhe historike, ku elementët përmbajtjesor shfaqen, duke bërë paralajmërimin e asaj që do të ndodh më pas.

Dy familjet e mëdha Aranitët dhe Kastriotët i kanë pasur lidhjet shumë më të hershme. Ka gjasa që Gjergj Araniti edhe Gjon Kastrioti edhe më pas Gjergji ishin njohur në rrethanat kur sundimi otoman përdorte institucionin e pengut, si një garanci besnikërie. Kështu Gjergj Araniti dihet se ka qenë në oborrin e sulltanit për ca kohë. Rreth viti 1427 u largua dhe erdhi në Arbëri. Në 1432 Andrea Topia bëri një sulm duke i shkaktuar humbje të mëdha turqve. Është pikërisht Andrea Topia ai, të cilit i takon merita e parë e shkatërrimit të një ushtrie turke. Sipas Gegajt Topiajt patën dhe një degë të familjes në jug, të vetëquajtur Aranit. Në të vërtet familja Aranitase është shumë e vjetër. Ajo përmendet që në kohën e Perandorit të Bizantit Bazilit II, kur një stratek i shquar David Araniti spikati në një betejë në perandorinë bullgare në 1016. Në shekullin XIII familja e Aranitëve u lidhën në një martesë me komnerët dhe kështu familja mbiquhej Aranit Komneni. Por vetëm në shekullin XIV mund të përcaktohet më me siguri historia e kësaj familjeje. Në shekullin XV Gjergj Araniti u bë i famshëm për fitoret e tij kundër turqve. Mbas revoltës të vitit 1432 menjëherë sulltan Murati i II dërgoi kundër Arbërisë një ushtri të fuqishme të komanduar nga Ali Beu. Prijësit Arbëror, u organizuan edhe nën komandën e Gjergj Aranitit, e pritën këtë sulm me vendosmëri dhe shkatërruan trupat turke ne 1433 në malet e thepisura të Kurveleshit. Disfata turke qe kaq e madhe sa lajmi i fitores së Gjergj Aranitit u përhap në europë dhe u përshëndet me entuziazëm të madh. Një vit më pas një tjetër ushtri turke erdhi në Arbëri, por dhe ajo u shkatërrua. Një ushtri e tretë, e drejtuar nga Isak Beu i Shkupit u kthye gjithashtu nga kryengritësit Arbëror. Këto tri fitore e shtuan hovin e revoltës. Në kështjellën e Gjirokastrës ndodhej një garnizon turk, një luftëtar i familjes Zenerdisi i sulmoi por fati i tij qe tragjik, udhëheqësi i kryengritjes, u kap u burgos dhe u vra. Pas kësaj disfate në muret e Gjirokastrës, Gjergj Araniti e vijoi rezistencën e tij në male.

Sulltani qe i detyruar që të njihte një farë autonomie për zotrit Arbëror, gjithmonë duke kërkuar garanci për besnikërinë bënte që të çoheshin djemtë e tyre si peng në oborrin e tij.

Disfata që pësuan Turqit në Nish nga forcat e Huniatit në 1443 u dha shpresa të reja Arbërve. Pikërisht në këtë laktë kohor Skënderbeu u kthye dhe mori pushtetin në Principatën e familjes së tij. Ndërkohë duhet thënë se Gjergj Araniti i sulmoi përsëri turqit rreth viteve 1443-1444.