Nga Qani  Osmani

Korrupsioni është një dukuri negative, e cila pengon zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të një vendi. Kjo dukuri me të drejt quhet “kancer i shoqërisë”, sepse një njeri i prekur nga kanceri e humb imunitetin, ndërsa një shtet me shkallë të lartë të korrupsionit humb besueshmërin e qytetarëve. Korrupsioni është një fjalë shumëdimensionale, dhe për të janë dhënë shumë përkufizime. Një përkufizim më i thjeshtë do të ishte si “abuzim me pushtetin, që i është dhënë , besuar një personi, i cili këtë pushtet të besuar e përdor për përfitime personale, vetiake”. Çdo kush që i shërben vetes në mënyrë jo morale dhe jo etike, është i korruptuar. Pra , korrupsionin mund ta definojmë si “sjellje e pandershme ose mashtruese nga ata që janë në pushtet, në mënyrë tipike që përfshin ryshfetin”.

Korrupsioni është dukuri e vjetër sa edhe vet civilizimi. Motivet dhe format e korrupsionit kanë pësuar ndryshime gjatë kohës, si në elementet materiale, psikike e morale, poashtu edhe në sofistikimin e mjeteve, mënyrave dhe metodave për realizimin e tij. Natyrisht, motivi më i theksuar dhe më i përhapur i korrupsionit konsiston në interesin material. Motive të korrupsionit mund të jenë privilegje të ndryshme: fitimi i pozitës, ndonjë titulli, shërbimi, përparësie, tenderi, konkursi, shpërblimi, reklame e të tjera, që në instancën e fundit përsëri të gjitha lidhen me interesin material.

Përmasat e korrupsionit, me të gjitha format dhe motivet e tij, varen nga niveli i zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe demokratik i shoqërive (shteteve) e vendeve të caktuara. Në këtë rast duhet theksuar se nuk ka asnjë vend në botë ku korrupsioni është në nivelin zero. Mirëpo, në kohën tonë ky fenomen negativ është përhapur shumë më tepër dhe ka marrë përmasa dhe dimensione brengosëse në vendet në tranzicion, siç është edhe Mali i Zi. Në këto shtete, që zakonisht janë të varfëra, të pazhvilluara në të gjitha aspektet dhe me papunsi të madhe, me institucione të brishta dhe joefikase të pushtetit shtetëror, korrupsioni ka lëshuar rrënjë të thella dhe shtrihet në të gjitha sferat dhe segmentet e shoqërisë. Sipas analizave më të thella të insitucioneve ndërkombëtare, korrupsioni politik konsiderohet se është forma më e rrezikshme, ngase prej tij gjenerojnë sisteme, nënsisteme dhe lloje të tjera të korrupsionit.

Korrupsioni paraqet shkelje flagrante të rendit kushtetues, që do të thotë shpërdorime me mjetet publike për hir të interesave të ngushta politike, kështu duke i goditur rëndë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të qytetarit. Sfida për parandalimin dhe pengimin e korrupsionit është një çështje relativisht e shtrirë në fusha të ndryshme shoqërore dhe e shpërndarë njikosisht në institucione publike.

Efektet e korrupsionit janë nga më të ndryshmet, pasi një prej pengesave të një shoqërie apo shteti është rrezikimi i integrimeve evro-atlantike dhe pengimi i funsionimit të vlerave demokratike të sistemit juridiko-politik, dhe si pasojë e kësaj paraqiten rreziqet për zhvillimin normal të ekonomisë. Ndër masat e munshme për parandalimin e korrupsionit mund të jenë pengimi sa më efikas i keqpërdorimit me pushtetin nga ana e subjekteve politike, ngritja e vetëdijes kolektive të personave që kryejnë detyra publike, transparenca dhe përgjegjësia e pushtetit në lidhje me dhënien e tenderave dhe transparenca mbi investimet kapitale.

Duhet të jetë shteti i së drejtës, ai që e mbron të drejtën dhe ligjin, dhe njëkosisht të garantojë rrugën e cilësuar të suksesit në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pavarësimin e organeve gjyqësore, depolitizimin e administratës shtetërore, prandaj që pushteti mund të pengojë luftën ndaj kriminalitetit duhet të ketë shtrirje e zbatim sundimi i së drejtës.

Korrupsioni paraqitet si dukuri kur personi zyrtar ka ndikim apo është i implikuar plotësisht me pushtetin, ose ndryshe me sektorin publik dhe abuzon me detyrën publike duke shpërdoruar me mjetet publike. Kjo dukuri e shëmtuar vret në mënyrë të tërthortë aparatin e shtetit, duke mos e lejuar të zhvillohet normalisht drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe stabile. Korrupsioni është mjeti kyç që ekonominë dhe tregun e vendit e dëmton në mënyrë të tërthortë. Kjo dukuri e kundërligjshme paraqitet ose realizohet nga persona publik të pandërgjegjshëm, që veprojnë jashtë ligjit.

Demokracia e brishtë hedh pikpamjen e mundshme se shtetet që zgjedhin si parakusht “demokratizimin” e institucioneve, konkretisht sjellin shpesh paqartësi të shumta tek qytetarët dhe ndërkombëtarët, pasi në të shumtën e rasteve zyrtarët e lartë të partive politike nuk i deshifrojnë dhe as i shpalosin shpenzimet reale gjatë fushatave zgjedhore, por gjithjnë i fshehin paratë e shpenzuara apo i shfaqin shpenzimet e tyre me shifra joreale.

Korrupsioni është përgjegjëse e defiçitit, pasi shpërdorimi me detyrën zyrtare sjellin këto paqartësi brenda shtetit, duke dëmtuar ekonominë dhe reformat e vendit. Agjencia shtetërore për anti-korrupsion duhet të funsionojë i pavarur nga organet shtetërore, dhe ndërkohë do të ishte e udhës që të kryejë vëzhgimin e zyrtarëve të lartë shtetëror në rast të implikimit të tyre me korrupsion, duke i ndjekur rekomandimet për parandalimin e saj në shkallë vendi. Sidomos, përgjatë kësaj edhe pushteti duhet të angazhohet për luftimin, reduktimin dhe parandalimin e korrupsionit në shkallë insitucionale e më gjërë.

Si zakonisht në vendet me demokraci të brishtë korrupsioni është gjithnjë e më shumë prezent dhe në rritje të sipër, pasi politikat domonuese të pushtetit nuk e kanë si pikë prioritare parandalimin e korrupsionit, pasi vetë personat publik që menaxhojnë me institucionet në njëfar mënyre duket se janë të përfshyrë  në këtë dukuri të kundërligjshme përmes tenderimit, nepotizmit, rryshfetit, mitos e me radhë.

Në sistemet demokratike që specifikohen nga shteti i së drejtës, institucionet konsiderohen si transparente dhe të përgjegjshme në kryerjen e veprimtarive publike. Ndërkaq, Agjencia  shtetërore për pengimin e korrupsionit është mekanizëm i vetëm që angazhohet në mënyrë transparente dhe ligjore në pengimin e korrupsionit nga subjektet e ndryshme politike dhe personave zyrtarë që ushtrojnë veprimtar me interes të lartë publik. Mirëpo, duke u bazuar nga përvoja dhe realiteti politik në vendet me demokraci të brishtë në të shumtën e rasteve politika ruan ndikim ndaj këtij Agjencioni, që do të thotë se puna e këtij Agjencioni më së shpeshti varet nga politika, sesa nga sundimi i së drejtës. Pra, korrupsioni është forma më e keqe e mundshme që e vret në mënyrë të heshtur demokracinë.


By admini