Marrëdhënie e shkëlqyeshme e fqinjve garant për avancimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu u takua sot me Ministrin në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërsië, Gent Cakaj.

Bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë si marrëdhënie të shkëlqyeshme, pa çështje të hapura, por gjithmonë me mundësi të përmirësimit.

Në takimin e hapur dhe miqësor nënkryetari i Kuvendit e njoftoi ministrin Cakaj me skenën politike të Malit të Zi, para së gjithash lidhur me rastin e bojkotit të dytë të opozitës, i bindur se vendi i vetëm për zhvillimin e dialogu politik është pikërisht Kuvendi. Grupi i punës për avancimin e atmosferës zgjedhore që u krijua në Parlamentin e Malit të Zi, momentalisht nuk funksionon, shkruan Ulqini Online.

Mali i Zi, u shpreh nikoqiri, është shteti për të cilin çështja e fqinjësisë së mirë është prioritare dhe se ka marrëdhënie shumë të mira me të gjithë fqinjët.  

Konfliktet e brendshme politike që i jetojmë sot në të dy shtetet, vazhdoi Nimanbegu, janë sfida të demokracisë, por gjithnjë japin një shpresë së do të zgjidhen në të mirën e qytetarëve. Ne si shqiptarë në Malin e Zi tentojmë që mos të krijojmë probleme të tepërta që do të rëndonin pozicionet edhe ashtu diametralisht të kundërta të pozitës dhe opozitës, gjithmonë të përkushtuar maksimalisht për pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi.  Por, gjithsesi jemi të angazhuar plotësisht për forcimin e institucioneve shtetërore.

 Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme tëShqipërisë, Gent Cakaj vlerësoi lart pozitën e Malit të Zi si lider  rajonal në integrimet në BE dhe shprehu bindjen se nga Mali i Zi do të kenë përkrahje për integrimet e vonuara të Shqipërisë dhe për votimin për ulkësen e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit (më 2021). Sa u përket marrëdhënieve ekonomike vlerësuan se, ndonëse të mira, ato mund të avancohen edhe më shumë, e një prej faktorëve që do të ndihmojnë në këtë drejtim janë edhe pikat e reja kufitare, por edhe bashkëpunimi përmes fondeve IPA

Lidhur me pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, bashkëbiseduesit  ndërruan mendimet e veta për rolin proaktiv, e madje edhe si obligim kushtetues të Shqipërisë në këtë drejtim.

Ministri në Detyrë uroi nënkryetarin për rezultatin e arritur në zgjedhjet e para në komunën e Tuzit duke shprehur bindjen e vet se rezultatet nuk do të mungojnë as më vonë drejt përparimit të komunës së Tuzit në një komunë të zhvilluar.

U shqyrtuan edhe çështjet bashkëpunimit të Shqipërsië me Malin e Zi, e veçanërisht me shqiptarët në planin e arsimit, kulturës etj.

Në fund, bashkëbiseduesit u pajtuan se takimet e tilla të të gjitha niveleve të Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi janë shumë frytëdhënëse  dhe inkurajuese edhe për shqiptarët këtu.