Kryetari i KKSh-së Faik Nika viziton Luginën e Preshevës

Të premten, më datë 15.02.2019,  kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi z. Faik Nika, nënkryetari z. Iber Hoti dhe anëtari i Këshillit z. Tahir Tahiri, zhvilluan takim pune me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi z. Ragmi Mustafën dhe bashkëpunëtorët e tij. Takimi u mbajt në Luginë të Preshevës, ku u diskutuan mundësitë e koordinimit të aktiviteteve të dy institucioneve në fjalë. Theks i veçantë u tregua për kërkesat e Këshillit drejtuar Tiranës dhe Prishtinës zyrtare në lidhje me çeshtjet e arsimit, kulturës, medias, ruajtjes dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, përfaqësimit proporcional të shqiptarëve në institucione dhe për mundësitë e investimeve dhe zhvillimit ekonomik në dy vendet respektive ku jetojnë shqiptarët autokton, njofton shërbimi për informim i KKSh-së, transmeton Ulqini Online.

Gjatë kësaj vizite, kryetari Nika dhe bashkëpunëtorët e tij u takuan edhe me disa nga përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare që veprojnë në Luginë të Preshevës, me të cilët  diskutuan për gjendjen dhe sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Mal të Zi dhe ata në Serbi.