Shkolla e Vjetër në Katërkollë dhe Ura e Vjetër e Klleznës

Dy monumente të harruara në Anë të Malit

Shkolla e parë e Anës së Malit, që tani quhet nga banorët e këtyre anëve Shkolla e Vjetër, pa dyshim ishte një shkollë e cila ndriti mendjet dhe dinjitetin e popullit të kësaj treve. Një shkollë e cila dallohej nga mënyra e punës.

Gani Karamanaga

Shkolla e vjetër e Katërkollës

Shkolla e vjetër e Katërkollës u ndërtua në vitin 1933 dhe ka qenë e hapur deri në vitin 1972, derisa u ndërtua godina e re. Nëpër klasat e kësaj shkolle kanë kaluar shumë mësues të kësaj treve, por edhe jashtë Anës së Malit, të cilët ia ngritën vlerat e saj. Para se të hapet kjo shkollë, në Anë të Malit në kohën e Jugosllavisë së vjetër ka pasur disa shkolla që kanë punuar nëpër shtëpitë private ose ndonjë objekt tjetër, siç ishte mejtepi në fshatin Selitë, ku mësimet zhvilloheshin në gjuhën serbe, nga mësues të ardhur.

Me hyrjen e Italisë, 1941-1944, në Anë të Malit, Ulqin, Krajë e vise tjera shqiptare, për herë të parë u hapën shkollat në gjuhën shqipe. Mësuesit e parë kanë qenë nga Shqipëria. Këtu po veçojmë një nga mësuesit e parë të kësaj shkolle, i cili ka qenë Prenk Jakova. Një njeri i cili bëri shumë për muzikën shqiptare.

Shkolla e parë e Anës së Malit, që tani quhet nga banorët e këtyre anëve Shkolla e Vjetër, pa dyshim ishte një shkollë e cila ndriti mendjet dhe dinjitetin e popullit të kësaj treve. Një shkollë e cila dallohej nga mënyra e punës. Mësimet në këtë shkollë zhvilloheshin në atë mënyrë që nxënësit të mos shkonin në shtëpi pa kuptuar lëndët mësimore. Ora e mësimit në lëndën e fizikës, matematikës, bazave politeknike e shumë lëndëve të tjera, përveçqë shpjegoheshin në teori, shpjegoheshin edhe në mënyrë praktike, ku në parkun e shkollës ishin të instaluara nga vetë nxënësit, shumë vegla teknike të lëndëve të përmendura, që nxënësit të kuptonin mësimet më së miri. Nxënësit që mbaronin klasat në këtë shkollë, kur shkonin për të studiuar më lart, ishin të dalluar çdokund tjetër sepse shkolla kishte një disiplinë dhe kriterium të rrallë.

Shkolla fillore e Katërkollës ishte një vend mësimi, pune dhe argëtimi. Krahas punës mësimore, nxënësit i organizoi në grupe të ndryshme punuese, sportive dhe artistike, të cilët sipas vizionit dhe punës së drejtorit Junuz Divani bënë punë të madhe për rregullimin me plan të ambienteve të shkollës dhe oborrit të saj, plot lule e gjelbërim pishash të larta. Ngritën punishten e shkollës, barnatoren e shkollës, kooperativën e nxënësve, fushën sportive, kopështin e shkollës, i cili ishte kabinet natyror (me relievin e Anës së Malit dhe Ulqinit, me teoremën e Pitagorës, me pajisje për prodhimin e rrymës elektrike, me makinën e avullit, me pajisje për demonstrimin e shtypjes së ujit, me mullirin e thjeshtë, me basenin e peshqve, me shtëpiza me shpezë, lepuj, bletë, saksi me lule etj.).

Junuz Divani u lind më 15 gusht 1906 në  Tivar. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Ulqin, ndërsa normalen në Danillovgrad dhe në Dubrovnik.

Kontributin më të madh e dha në shkollën fillore të Katërkollës, ku filloi punën më 5 shtator 1947. Mësimdhënësit dhe nxënësit e Anës së Malit, të udhëhequr nga veprimtari Junuz Divani, ia dolën që shkollën e tyre, pa kushte për punë, madje edhe pa dyer e dritare, ta shndërrojnë në shkollë model (sidomos në vitet 1955 – 1965). Për shkollën e Katërkollës folën dhe shkruan me admirim shumë vizitorë vendas dhe të huaj.

Junuz Divani ishte edhe në krye të fushatës për zhdukjen e analfabetizmit, u angazhua edhe për emancipimin e femrës në fshat, për vazhdimin e shkollimit të nxënësve anamalas.

Në përgjithësi, shkollën fillore të Katërkollës e cilësuan edhe si “Meka e Re”, ndërsa drejtorin e saj, Junuz Divanin, e quajtën “Makarenko i Anës së Malit”. Andaj, Junuz Divani zë vend nderi në historinë e re të shkollës dhe arsimit shqip në Mal të Zi.

Junuz Divani si pensionist jetonte në Ulqin dhe disa herë jemi takuar. Ka pasur nevojë dhe për vizita te mjeku, kështu që vizitat ishin të shpeshta (edhe pse djali i tij, Ibrahim Divani, ishte mjek i njohur në Tivar dhe Ulqin në atë kohë).

Propozoj që Shkolla e vjetër e Katërkollës të kthehet në pronësi të Bashkësisë Lokale ose të Qendrës për Kulturë. Të bëhet rikonstrukimi dhe kthimi në gjendje të mëparshme. Pse jo,  muze i arsimit në Anë të Malit.

Ura e Klleznës

Ura e Vjetër në Kllezën është një urë prej guri e ndërtuar në vitin 1696 mbi përroin e Megjureçit, në Kllezën Nalt të Komunës së Ulqinit. Ajo ka këto dimensione: gjatësia 12 m, gjerësia 3.60 m, lartësia nga fundi i përroit 9.26 m dhe trashësia e gurëve te çelësi 80 cm.

Thuhet se mjeshtri i cili e ka ndërtuar këtë urë ka qenë nga Dibra. Atij kjo punë i është ofruar nga klleznorët; ai ka thënë se gëlqerja e cila do të përdoret për ndërtim duhet të qëndrojë në gropë 15 vjet. Pas kësaj periudhe, mjeshtri dibran dhe një punëtor tjetër e kanë ndërtuar këtë urë. Pas kryerjes së punës, mjeshtri është vrarë dhe është varrosur në afërsi të xhamisë së Klleznës, ku edhe sot ekziston varri.

Nëpër këtë urë kanë qarkulluar banorët e Klleznës, por edhe të tjerët të cilët kanë udhëtuar nga kjo anë për në Ulqin e gjetiu. Ndërsa, me rastin e ndërtimit të rrugës UlqinKrythë në vitin 1954, pranë kësaj ure është ndërtuar ura e re për qarkullimin e mjeteve të komunikacionit, dhe nga ajo kohë ura e vjetër humbi vlerat e mëparshme duke u bërë dytësore. Që nga ndërtimi i saj nuk është bërë ndonjë ndërhyrje apo restaurim i saj, ndërsa në vitin 1982 ajo pësoi goditje, sepse mbi urë, pasi u hoqën gurët, u vendosën tubacionet e ujësjellësit të Millës, duke krijuar kanalin përkatës. Por për fat të mirë ura nuk pësoi dëme të mëdha, edhe pse një gjë e tillë ka mundur të ndodhë.

Ndërkaq sikur të kishte pasur trajtimin e monumentit të kulturës në Mal të Zi, një gjë e tillë nuk do të kishte ndodhur.

Lufta e Klleznës për mbrojtjen e Ulqinit

Rreth 3 000 vetë që morën pjesë në mbrojtjen e Ulqinit, nën  komandën e  ulqinakëve Mehmet Becit e Mehmet Gjylit, si dhe Isuf Sokolit nga Shkodra, zunë pozitat kryesore në rrethinat e Ulqinit në fshatin Kllezën, ku edhe u zhvillua lufta (më 23 nëntor 1880) në afërsi të urës së vjetër. Megjithatë, forcat turke të cilat ishin shumë më të mëdha, pasi i thyen forcat ulqinake-shkodrane, nuk patën pengesa të tjera për të hyrë në Ulqin. Të gjitha pikat strategjike, duke përfshirë edhe lartësinë e Mozhurit, qenë të okupuara nga Dervish Pasha, i cili i informoi banorët e qytetit që Ulqini do t’i dorëzohet Malit të Zi. Dervish-Pasha, pra, hyri në qytet më 23 nëntor 1880, kur ulqinakëve të tubuar u është drejtuar me fjalët se dorëzimi është definitiv dhe se duhet t’i nënshtrohen këtij vendimi.

Kështu, Ura e Vjetër e Klleznës është simboli i luftës dhe i rezistencës së popullit shqiptar, simbol i bashkimit për mbrojtjen e Ulqinit. Edhe në kohë të sotme, kur ne shqiptarët nuk na karakterizon ndonjë bashkëpunim i madh, duhet të përkujtojmë këto momente historike kur shqiptarët luftuan të bashkuar. Gjithashtu, ky monument meriton që të kujdesemi shumë më tepër se deri tani për monumentet e harruara.

Propozoj që në afërsi të urës të ndërtohet përmendorja e tre luftëtarëve për mbrojtjen e Ulqinit: Mehmet Becit, Mehmet Gylit dhe Isuf Sokolit./kohajavore/