Loja me Skënderbeun – Rreth nismës për vendosjen e shtatores së heroit tonë në Ulqin

Përpjekja për të hequr Skënderbeun nga emri i heroit tonë kombëtar, qoftë nga ata që e kanë inicuar, Komuna e Ulqinit apo Ministria e Kulturës, është një lojë për të shtrembëruar historinë. Skënderbeu nuk iu kishte borxh këtë lojë!

Shkruan Ismet Kallaba

550-vjetori i vdekjes së Skënderbeut dhe shpallja e vitit 2018 si Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut shërbeu si nxitje për nisma të ndryshme në të gjithë botën shqiptare dhe në vendet tjera ku ata jetojnë, me qëllim të shënimit sa më madhështor të këtij jubileu të rëndësishëm për popullin shqiptar.

Edhe në Ulqin, Viti i Skënderbeut është shënuar me disa aktivitete kulturore dhe shkencore. Kështu, me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” shfaqi koreodramën “Kumt”, në kuadër të manifestimit të organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi. Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” organizoi përurimin e disa librave të botuara për periudhën e Skënderbeut nga Akademia e Studimeve Albanologjike, është hapur një ekspozitë figurative e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme të Ulqinit me temë “Skënderbeu në sytë e të rinjve” etj.  

Megjithatë, gjatë vitit 2018 është premtuar dhe shpresuar se edhe Ulqini, ky qytet me histori të lashtë, një bulevard i të cilit mban emrin e heroit tonë kombëtar, ashtu si dhe një shesh në Katërkollë, do t’u bashkëngjitet qyteteve që kanë shtatoren e Skënderbeut. Kërkesa për marrjen e pëlqimit për ngritjen e shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i është dërguar Ministrisë së Kulturës më 11 maj 2018, nga kryetari i asaj kohe i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu. Kjo ministri, me vendimin e datës 23 korrik 2018, të firmosur nga ministri Aleksandar Bogdanoviq, ka dhënë pëlqimin për Propozimin e programit për ngritjen e përmendores kushtuar heroit dhe udhëheqësit të madh legjendar Gjergj Kastrioti. Por siç shihet edhe nga vendimi, në të mungon emërtimi “Skënderbeu”. Në vendimin e saj, Ministria e Kulturës arsyeton se ka kërkuar nga Komuna e Ulqinit që kërkesa e parë dërguar nga Komuna e Ulqinit të harmonizohet me sugjerimet dhe rekomandimet e Ministrisë së Kulturës, gjë që sipas saj është bërë nga Komuna e Ulqinit, në Propozimin e programit të rinovuar për ngritjen e përmendoreve, që mban datën 18 korrik 2018, kohë në të cilën në krye të Komunës së Ulqinit ka ardhur kryetari i tanishëm Loro Nrekiq.

Në bazë të vendimit të Ministrisë së Kulturës, Kuvendi i Komunës së Ulqinit mund të miratojë Programin për ngritjen e përmendores së heroit dhe udhëheqësit legjendar Gjergj Kastriotit, “vetëm në kuadër të pëlqimit të dhënë”, është i detyruar që Ministrisë së Kulturës t’i dërgojë Propozimin e programit dhe për pëlqim Propozimin e vendimit për ngritjen e monumentit të heroit dhe udhëheqësit legjendar Gjergj Kastrioti.

Kuvendi i Komunës së Ulqinit, në mbledhjen e mbajtur më 30 tetor 2018, ka miratuar Programin e ngritjes së përmendores kushtuar heroit dhe udhëheqësit të madh legjendar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Në program ndër të tjera thuhet edhe se monumentin kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut do ta ndërtojë diaspora shqiptaro-malazeze, e bashkuar në Fondacionin “Simon Filipaj” nga SHBA, me organizimin e OJQ “Don Gjon Buzuku” dhe se do të vendoset në rrethrrotullimin e ri, përpara Komunës së Ulqinit. Po ashtu se mjetet financiare për ndërtmin e shtatores do t’i sigurojë Fondacioni “Simon Filipaj”, kurse bartës i aktivitetit për realizimin e këtij programi është Komuna e Ulqinit, në bashkëpunim me OJQ “Don Gjon Buzuku”. Afati për ndërtimin e monumentit është dhjetori 2018 (31 marsi 2019).

Por Drejtoria për Punët e Inspeksionit, gjegjësisht Dega e Inspeksionit për Mbrojtjen e të Mirave Kulturore dhe Trashëgimisë Kulturore me vendimin e datës 27 dhjetor 2018, ka urdhëruar Kuvendin e Komunës së Ulqinit, që në një afat prej 30 ditësh të nxjerrë Programin e ngritjes së përmendoreve për territorin e Komunës së Ulqinit, në përputhje me Vendimin – pëlqimin e Ministrisë së Kulturës.

Në arsyetimin e vendimit, i cili është nënshkruar nga inspektori I për trashëgiminë kulturore, mr. Veselin Krstiçeviq, theksohet se Kuvendi i Komunës së Ulqinit nuk e ka miratuar Programin për ngritjen e përmendoreve sipas vendimit – pëlqimit të Ministrisë së Kulturës duke qenë se në faqen e parë dhe të dytë të Progrramit, ka shtuar emërtimin “Skënderbeu”, dhe në këtë mënyrë e ka ndryshuar Propozimin e Programit për ngritjen e përmendoreve, për të cilin ka marrë pëlqim nga Ministria e Kulturës.

Siç shihet nga komunikimi nëpërmjet shkresave, ngritja e shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Ulqin është shndërruar tashmë në një betejë ligjore administrative ndërmjet inicuesit, propozuesit – Komunës së Ulqin, Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Ministrisë së Kulturës dhe Drejtorisë për Punët e Inspeksionit, gjegjësisht Degës së Inspeksionit për Mbrojtjen e të Mirave Kulturore dhe Trashëgimisë Kulturore

Pëlqimi i dhënë nga Ministria e Kulturës, për emrin Gjergj Kastrioti, në të cilin mungon Skënderbeu, në fakt është absurd sepse në asnjë vend nuk ekziston pa Skënderbeun, ndonëse Ministria e Kulturës i referohet kërkesës së Komunës së Ulqinit. Për më tepër, ka disa rrugë në qytete të ndryshme të cilat mbajnë vetëm emrin Skënderbeu, pa Gjergj Kastrioti. Në favor të kësaj është edhe fakti se bulevardi kryesore i qytetit në Ulqin quhet “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.

Përpjekja për të hequr Skënderbeun nga emri i heroit tonë kombëtar, qoftë nga ata që e kanë inicuar, Komuna e Ulqinit apo Ministria e Kulturës, është një lojë për të shtrembëruar historinë. Skënderbeu nuk iu kishte borxh këtë lojë!

/Koha Javore/