Punëtoret e RTV Ulqini në minus për 15 rroga, Nimanbegu takon kryetaren e Sindikatës së Mediave të Malit të Zi

Takimi me sindikatën mbi gjendjen në Radio Ulqin

Nënkryetari i Kevendit të Malit të Zi, z.Genci Nimanbegu priti në takim pune sot zonjën Marijana Camoviq, kryetare e Sindikatës së Mediave të Malit të Zi dhe z. Radomir Kraçkoviq nënkryetar, me të cilët bisedoi lidhur me problematikën e Radio Ulqinit.


Përfaqësuesit e Sindikatës së Mediave të Malit të Zi e njoftuan z. Nimanbegu me aktivitetet që kanë ndërmarrë dhe takimet e tyre me përgjegjësit e Komunës se Ulqinit. Po ashtu ata do te takojnë edhe deputetët nga Ulqini në parlamentin e Malit të Zi, shkruan Ulqini Online.


‘U dakorduam se situata në këtë medie  është tejet alarmante.  Situata e tillë e përcjell Radiotelevizionin e Ulqinit me vite të tëra.  Të punësuarit janë në minus me për 15 rroga. Shqyrtuam mundësitë eventuale të një veprimi të përbashkët për t’i ndihmuar këtij mediumi lokal, themelues i të cilit është Komuna e Ulqinit që edhe mban një përgjegjësi të mirë, ndonëse jo krejt përgjegjësinë, për gjendjen e tillë”, kështu thuhet në një kumtesë për opinion të z. Nimanbegu.


Gjithashtu fokus i bisedës sonë ishin edhe mundësitë që disa nga media lokale në Mal të Zi (si Radio Berane, Radio Bijello Pole…) i shfrytëzojnë, e që  do të mund të ishin interesante për ringjalljen e punës së RTV Ulqinit, siç është ueb portali dhe forma tjera të veprimit bashkëkohorë. I njoftova lidhur me disa aktivitete të mbajtura kohë më parë me përfaqësuesit e mediave shqipe në Mal të Zi dhe punën rreth informimit në gjuhën shqipe.


”Ne fund falënderova shumë sindikatën e mediave për nismën e tyre duke dëshmuar që përgjegjësia dhe ndikimi për përmirësimin e gjendjes në Radio Ulqin është mbi ne, themeluesit e Radio Ulqinit”, përfundon kumtesen z. Nimanbegu.