VAZHDOJNË PROVOKIMET DHE SHKELJET E TË DREJTAVE TË SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI

Nga Esad Gjonbalaj

Kohëve të fundit jemi dëshmitarë se si policia malaziase arreston shqiptarët për shkak te përdorimit te flamurit kombëtar. Politika malaziase dividi et imperá  (përçaj e sundo) ka arritur kulminacionin e vet sepse sot shqiptarët në Mal të Zi po  ndalohen ne rrugë, ne festen e flamurit  iu dhunohet privatësia  e  dje madje  policia malaziase kishte shkuar edhe ma larg dhe kishte hyr edhe në oborrin e shtëpisë së re të Emin Begoviqit që po e ndërtonte në trojet stërgjyshore në fshatin Milesh te Malësisë,  duke ia hjekur flamurin kombëtar nga kulmi i shtëpisë.

A është ky provokim,  a është kjo diktaturë a është cenim flagrant  i te drejtave elementare qytetare te shqiptarëve autoktonë -gjithsesi se është. E ne heshtim, heshtim e “kqyrim seiri” sepse jemi të përçarë në 11 parti politike, ndërkaq populli i katandisur është në amulli që është pasojë e  krizës ekonomike dhe e papunësisë dhe të mungesës së  perspektivës,  dhe me halle te shumta është plotësisht i dezorientuar. Po ti kishin ndodhur këto provokime çfarëdo grupi tjetër etnik pos shqiptarëve,  do të protestohej fillimisht nga shtetet amë, nga banorët në rrugë e deri në instancat më të larta të Evropës.

Shqiptarët nuk kanë kërkuar me referendum që të hyjnë nën Malin e Zi, por  këto toka shqiptare që aktualisht janë  nën Mal te Zi janë toka të okupuara jo pse Mali i Zi është dhe ishte ndonjëherë  forcë reale ushtarake, por për shkak të faktit se në  kohërat e okupimit Mali i Zi ishte  përkrahur fuqishëm nga Rusia Cariste dhe e kishte bekimin e vendimeve famëkeqe të kongresit te Berlinit.

Sot,  kur janë mbushur 140 vite pas këtij Kongresi famëkeq  (të mbajtur prej 13 qershor deri më 13 korrik 1878),  përsëriten serish të njëjtat tema dhe dilema dhe cenohen e shkelën  të  drejtat elementare njerëzore të popullatës  shqiptare.

Në kohen kur  jetojmë kinse në një shtet evropian qysh  pretendon të jetë Mali I Zi,  hyrja e  policisë malaziase me dhunë nëpër shtëpi të shqiptarëve  dhe heqja e Flamurit është akt kriminal i cili  meriton një përgjigje të ashpër, sepse po na  cenohet dhe preket pragu i shtëpisë, po na  cenohet dinjiteti kombëtar dhe se simboli më i shenjtë kombëtar- flamuri i  vendosur po përulet dhunshëm  e së bashku  me të edhe ne shqiptarët si individë, por edhe si shoqëri.

Kurrë nuk duhet harruar se   flamuri që u largua nga kulmi  nuk është vetëm i asaj familje qe është provokuar. Është i tërë kombit shqiptar dhe si të tillë duhet te jemi unik ta ruajmë, ta mbrojmë dhe mos të lejojmë qe Cërna Gora të na e përul dinjitetin tone, me gjak të fituar, kombëtar.