AUTORËT NORDIKË PËR SKËNDERBEUN

Ilustrim

Xhevat Lloshi-John Quanrud, SKËNDERBEU NË VENDET NORDIKE, Botoi:Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Shkup, 2018

Nga Nail  Draga

Në vitin jubilar të 550-vjetorit të vdekjës së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, janë organizuar veprimtari të ndryshme shkencore e kulturore, e po ashtu janë botuar edhe vepra të veçanta, duke dëshmuar përkushtimin serioz ndaj kësaj figure kombëtare në këtë përvjetor. Pikërisht në kuadrin e këtij përvjetori  tërheq vemendjen botimi me autorët Xhevat Lloshi-John Quanrud, SKËNDERBEU NË VENDET NORDIKE, botuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Shkup, 2018. Nga vet titulli del se kemi të bëjmë me një botim intrigues  për një hapësirë të veçantë gjeografike në kontinentin europian, që konceptohet në aspektin më të ngusht territorial si vendet nordike ku për të parën herë i prezantohet  opinionit  dhe lexuesve shqiptar.

Në sajë të pozitës gjeografike por edhe  të rrethanave shoqërore të kohës popujt e vendeve  nordike lundrimin e kanë pasur veprimtari parësore, duke lundruar në detrat e Europës veriore por edhe në vende të tjera. Madje popujt e tyre viseve në literaturë njihen me emrin vikingët, që në shqip do të thot detarët. Dhe në sajë të një veprimtarie të tillë ata arritën të njohin vende dhe popuj të ndryshëm, nga shek.VIII e më pas. Në këtë aspekt edhe pse viset shqiptare janë shumë larg atyre nordike, përmendja e viseve shqiptare të popujt nordikë janë shumë të vjetra, duke filluar nga shek.XI e më pas.

Në këtë botim autori i parathënjës prof.Xh.Lloshi na prezanton botimet e autorëve të ndryshëm për Skënderbeun sipas viteve përkatëse, duke ofruar një informacion me interes  për opinion e gjerë shkencor e kulturor. Dhe s’ka si të jetë ndryshe sepse disa autorë me punimet e tyre për të parën herë i prezantohen opinionit shqiptar, që paraqet pasurim i fondit bibliografik në gjuhën shqipe, kushtuar Skënderbeut.

Ndonëse pesë shtetet që i mbulon emërtimi “vendet nordike” kanë shumë anë të përbashkëta jo vetëm si gjeografi, por edhe në histori, në kulturë dhe në gjuhët e tyre, përseri kanë edhe veçoritë, të cilat kanë kushtëzuar interesimin dhe paraqitjen e figurës së Skënderbeut në literaturën e tyre.

Tetë punimet e botuara në këtë vëllim dëshmojnë për qasjen profesionale te autorëve përkatës(Quanrud,Kodderitzsch/Meissner,Lloshi,Holberg,Craigie, Gudhmundsson,Driscoll)  ndaj figurës historike të Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, duke dëshmuar se bëmat  e heroit tonë kombëtar kishin  marrë përmasa europiane.

Botimin e këtij libri me rastin e vitit jubilar të Skënderbeut e vlerësojmë një kontribut me vlerë  sepse  për të parën herë lexuesit kanë mundësi për ti gjetur në një vend punimet dhe artikujt e autorëve të ndryshëm nordikë kushtuar figurës madhore të kombit tonë. Shpresojmë që hulumtimet në këtë drejtim do të vazhdojnë  dhe do të kemi përmbledhje në vëllime të tjera    nga autorët nordikë që do të jenë të mirë se ardhura për opinionin shkencor e kulturor.