Shkruan Xheladin Zeneli

Ndalimi i një qytetari të përkatësisë shqiptare në Ulqin nga ana policisë, me 28 Nëntor 2018 (pra në ditën e Festës Kombëtare të Shqiptarëve),për shkak se ai kishte stolisur automobilin e tij me dy flamuj shqiptar, nuk ishte një rast i izoluar, por ishte në vazhden e disa incidenteve të tjera të kësaj natyre që kanë ndodhur kohëve të fundit ndaj shqiptarëve në Mal të Zi.

Fillimisht duhet cekur se është e paparë dhe e padëgjuar ndonjëherë në botën civilizuese dhe në vendet që e konsiderojnë vehten demokratike, dikush të ndalohet dhe të ndjeket penalisht nga organet e sigurimit, për shkak se ka stolisur automobilin e vet me simbolin kombëtar !?.

Rasti që ndodhi në Ulqin me 28 Nëntor 2018, vjen një vit pas miratimit i të ashtuquajtur Ligji i ri për përdorimin e simboleve kombëtare.Në nëntor të vitit të kaluar (2017) Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Popujve Pakicë në Mal të Zi hartoi variantin e ri të projekt-Ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare. Sipas deklaratave të atëhershme të zyrtarëve të kësaj ministrie , është thënë se “ Ligji i ri për përdorimin e simboleve kombëtare është një “avancim në krahasim me Ligjin e mëparshëm dhe mënjanon disa mangësi,keqkuptime apo keqinterpretime të variantit të mëparshëm …”. Me këtë rast, gjithashtu është pohuar se Ligji i ri “lejon dhe nuk pengon përdorimin privat të simboleve kombëtare…” ?!.

Si duket pra nga rasti i lartëpërmendur që ndodhi në Ulqin, edhe varianti i ri i këtij Ligji, len gjithënjë hapësirë për keqkuptime, përndryshe shqiptarët nuk do të ballafaqoheshin përsëri me incidente të tilla të ngjajshme.
Mangësit e vazhdueshme të Ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare po shfrytëzohen nga organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes një ligji tjetër: Ligjit për rendin dhe qetësinë.Pra, si duket organeve të sigurimit malazez iu është lën një dorë e lirë që të veprojë në pengimin e përdorimit të flamurit shqiptar, përmes Ligjit për rendin dhe qetësinë dhe askush nga subjektet politike shqiptare apo përfaqësuesit e tyre në kualicionin qeveritar të Malit të Zi, nuk e ka sfiduar sa duhet dhe me vendosmëri kushtetutshmërinë e këtij Ligji,përkatësisht nenit 23 të tij.

Kushtetuta e Malit të Zi, dispozita ku bën fjalë për të Drejtat e Veçanta të Pakicave, respektivisht , për mbrojtjen e identitetit të tyre, (neni 79 ,alineja e dytë ,thotë: “Pjesëtarëve të popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera të pakicave nacionale u garantohen të drejtat dhe liritë,të cilat mund të përdorën individualisht dhe në bashkësi me të tjerët: në zgjedhjen, përdorimin dhe të shfaqurit publikisht të simboleve kombëtare dhe kremtimin e festave kombëtare”. Pra, nëse kushtetuta lejon përdorimin “individual dhe në bashkësi me të tjerët e të shfaqurit publik të simboleve kombëtare…”, atëherë përse Ligji për rendin dhe qetësinë, e pengon ate dhe si i tillë duhet medeomos të konsideeohet si antikushtetues ?!

Gjithashtu, pse nuk bëhet harmonizimi i dhe përputhshmëria e Ligjit për rendin dhe qetësinë me Ligjin për përdorimin e simboleve kombëtare?. Është absurditet nëse në njërën anë Ligji për përdorimin e simboleve kombëtare lejon dhe aprovon përdorimin e flamurit shqiptar, kurse në anën tjetër një ligj tjetër, pra Ligji për rendin dhe qetësinë e dënon përdorimin e tij !?.

Një ndër hipokrizitë e paprecedent e ligjeve në Mal të Zi është fakti se flamuri shqiptar i cili valon në ndërtesat e organeve të qeverisjes lokale në vendbanimet (komunat) me shumicë shqiptare me rastin e festave të tyre kombëtare, konsiderohet nga shteti malazez si “simbol i popullit pakicë”,
në shtetin ku ata jetojnë, kurse përdorimi i të njëjtit flamur nga një qytetar privat shqiptar në një vend publik( qofshin ato me qëllim festimi apo përdorime individuale),konsiderohet si flamur i një “shteti tjetër” (!?).)
S’ka dyshim se incidentet e tilla intimiduese dhe provokuese e pse jo edhe ngjallje frige nga ana e organeve të MPB -it, te shumë shqiptarë evokon të kaluarën e hidhur e kohës së monizmit dhe ministrisë së atëhershme famëkeqe që quhej “SUP”.

Nëse edhe më tutje do të vazhdohet me maltretimin,intimidimin si dhe ndjekjen e procedurave penale dhe dënimin e shqiptarëve për shkak të përdorimit apo shpalosjes së simbolit (flamurit) të tyre kombëtar si dhe do të vazhdohet me mosgatishmërinë e qeverisë dhe pushtetit të Malit të Zi për lejimin e përdorimit të plotë ,të lirë dhe pa pengesa (publik e privat, institucional dhe individual) e simboleve të tyre kombëtare shqiptare dhe në harmoni dhe përputhëshmëri të plotë me normat,standardet dhe konventat përkatëse ndërkombëtare për të drejtat e popujve pakicë, Mali i Zi gjithënjë do të mbetet një shtet i cili mohon ,kërcnon dhe rrezikon një ndër vlerat e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi.
5 dhjetor 2018

P.S.
Vitin e kaluar, me rastin e shqyrtimit publik të Ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare,në adresë të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Popujve Pakicë të MZ, me 2 gusht të vitit 2017, kam dërguar vërejtet e mia me shkrim kësaj Ministrie lidhur me këtë Ligj, ku ne mes tjerash kam sygjeruar të drejtën e pakufizuar dhe të pakushtëzuar të simboleve kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi, duke përfshirë edhe të drejtën e përdorimit privat të tyre. Tekstin e plotë të vërejteve të mia dërguar Ministrisë, mund ta lexoni në link-un:https://xheladinzeneli.wordpress.com/2017/08/03/simbolet-kombetare-e-drejte-e-garantuar-dhe-jo-e-drejte-e-kushtezuar/

By admini