”Njeriu i fjalës i cili vulosi Besëlidhjen e Malësisë”

Busti i Nua Vuksanit tek varrezat familjare në Bozhaj, ndërtuar nga familja në vitin 2015.

Nua  Vuksan Junçaj ( 1914-2002) – Njeriu i fjalës i cili vulosi Besëlidhjen e Malësisë

 

Nga Gjekë Gjonaj

Një ndër personalitet e tilla, i cili  gjithherë ka   vepruar në shërbim të familjes dhe të kombit, deri në frymën e fundit, është  edhe burri i nderuar i Hotit (  Malësisë së Mbishkodrës), Nua Vuksan Junçaj, i njohur në popull si Nua Vuksani.  Atë e kam njohur qysh herët, sepse emri dhe figura e tij ishin të çmuara  dhe të respektuara në Malësi dhe më gjerë. Shumë kohë më parë , para se ta njihja Noun, emrin e tij e kisha dëgjuar prej shumë njerëzve, e në veçanti e kam  dëgjuar prej babait tim,  Gjon Markut. Ishin  kohët kur njerëzit  veçoheshin  për nga   virtytet morale, vlerat e burrërisë,   fisnikërisë,  urtisë, kakrakteri i  fortë e i guximshëm , prej vlerave të  urtisë, besnikëria e   fjalës dhe veprimit.

 

Tragjedia familjare,  0se  vdekja brenda javës e 7 anëtarëve të familjes 

 

Kjo figurë  nderi e krenarie për familjen e tij Junçaj, për vendlindjen e tij Bozhaj,   Hotin dhe më gjerë, lindi në vitin 1914 në një familje të ndershme e fisnike. Ishte djali i vetëm dhe fëmiu më i vogël i Vuksan Lekës  dhe  Tole Gojçaj nga Skorraqi. U rrit në një familje  shumë anëtarëshe, në kushte  jashtëzakonisht të vështira, sikurse shumica e moshatarëve të tij të varfër të Hotit. Pra,  këtij vogëlushi (vëlla i dy motrave Dilës dhe Marisë) , i ra  të rritet në kushte të mjerimit  që të përkujtojnë legjendën e Migjenit, atë të misrit, mungesën e shumë gjërave të nevoshme për jetesë. Ai, që në moshën tri vjeçare, mbeti jetimë  me dy motrat e tij, njëra 5 vjeç, kurse tjetra  6,5  vjeç. Brenda vetëm një jave i vdesin  7 anëtarë të familjes nga sëmundja e kolerës, babai, nëna, dy axhët, gruaja e axhës dhe dy fëmijët e tyre. Mbetet gjallë vetëm gjyshja e Nout , e cila u përkujdes me gjithë zemër  për mëkëmbjen e tij dhe dy motrave të tij të vogëla. Ishto kjo  vërtet6ë një  tragjedi e pabesueshme e cila vështirë  të besohet e jo më  të përjetohet.

 

Jeta në shkollën e jetimëve në Shkodër

 

Për shkak të problemeve ekonomike dhe historisë  tragjike e   prekëse të  familjes së tij,   Noun  7 vjeçar e çojnë në shkollën fetare të jetimëve  në Shkodër, ku qëndroi dcri sa i mbushi 14 vjet.    Atje, përveç mësimeve biblike  për moralin dhe për  Perëndinë, të cilat  e çliruan  nga bestytnitë skllavëruese, nga bindjet e rreme fetare dhe nga sjellja e keqe,  mësoi  edhe shkrim lexim, duke  u brumosur me shumë njohuri të reja,  të cilat  e ndihmuan në emancipimin e tij dhe  të bashkëfshatarëve të tjerë të interesuar  për t’a mësuar   alfabetin e gjuhës shqipe, meqë asokohe askush tjetër  në Bozhaj nuk dinte shkrim-lexim përveç tij.

 

Kthimi në shtëpi në Bozhaj

 

Nua Vuksani pas shtatë vitesh qëndrimi  në shollën e  jetimëve në Shkodër kthehet në shtëpinë e vet në Bozhaj. Aty përveç dy motrave dhe  gjyshes, gjenë edhe axhën e tij  Kolën, i cili u kthye shëndosh e mirë në familje nga Austria, ku kishte qëndruar dy vjet  pa vullnetin  e tij në ushtrinë   austro-hungareze. Kola, i frikësuar se  kjo familje po mbetet pa trashëgimtarë, e ç’rergjistron   Noun nga shkolla në Shkodër dhe e bie në familjen e  tij. Pas kthimit  të Nout në shtëpi,  Kolës i lindin 3 djem dhe dy vajza. Ishte ky një gëzim i madh  për këtë familje, e cila përsëri filloi të rritet në numër, mbas dhimbjes dhe  humbjes së mëparshme tragjike  të shtatë më të dashurve të  vet.

 

Martesa  e Nout me Mrinë 

 

Martesa, siç dihet, është një nga ngjarjet më të rëndësishme  në jetën e njeriut. Ky akt në atë kohë  bëhej në mënyrë tradiconale,  nëpërmjet marrëveshjes së bërë  në mes të dy familjeve, pa pyetur ata që martoheshin. Kështu edhe Noun e marton axha Kolë   sipas këtyre kritereve ( me shkuses) , në moshën 22 vjeçare, me Mri Kolen Gjonaj prej Vatnikajve, vajzë e mirë, prej një  familjeje  të ndershme e të respketuar në Drume të Hotit. Atyre  u buzëqeshi fati , duke sjell në jetë 11  fëmijë ( 5 djem e 6 vajza), të cilët kanë zgjidhur rrugët e jetës.

Jeta e tyre nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse u rritën me vështirësi ekonomike, në një fshat   ku  lehtësisht shihej se “dora e pushtetit” nuk kishte  investuar  asnjëherë, ku nuk kishte ujë të pijshëm, rrymë elektrike e rrugë të asfaltuar,  deri në vitin  1972, kur  filloi përmirësimi i infrastrukturës së fshatit.

 

 

Vuajtjet  trivjeçare në  burgun famëkeq  të Goli Otok-ut

 

Në kohën kur Nua Vuksani ishte kryetar i Komunës së Tuzit në vitin 1948 arrestohet dhe burgoset pa gjyq  nga  policia jugosllave  në burgun famëkeq Goli Otok, ku qëndroi tri vjet.  Burgosja e tij  e papritur, për arsye që ai vdiq dhe nuk e diti,  e kishte prekur thellë në shpirt atë dhe familjen e tij e cila, siç theksuam,  kishte përjetuar  dhimbje dhe tragjedi pothuaj të paparë.  Gjatë vuajtjes së dënimit, bashkë me shokët e tjerë  të  burgut për të cilët thuhej se  mbështesnin Stalinin e jo Titon,  përjetuan vuajtje e tortura të shumta. Nua Vuksani disa herë u kishte rrëfyer shokëve për  vuajtjet e torturat ç’njerëzore që u bënin  policia jugosllave  të burgosurve në Goli Otok, nga të cilat veçojmë: “ Momentet më të vështira  dhe më të tmerrshme që i kam përjetuar në burg kanë qenë ato kur na detyronin të pijmë nga një litër ujë përmes hundës, pastaj kur afro 1.000 veta të rreshtuar të godisnin me gjithë fuqinë që kishin me grushta e shuplakë gjatë parakalimit në mes tyre,  kur nxirrnim rërë me goruzhdë nga fundi i detit në anije dhe kur në mal  thenin gurin me gurë dhe i bashkonim ( grumbullonim) në një vend si dëshmi se sa kemi qenë të “ suksesshëm”.

Mirëpo, shokët që e njihnin mirë dhe kishin pasur rastin  të vepronin  me  Nua Vuksanin , thonë se ndjeheshin krenar me qëndresën e tij në burg, të cilin fatlumërisht  e mbijetoi,  sikurse edhe  shumica e shqiptarëve  të tjerë nga Mali i Zi.

 

 

Ndihmesa e tij e madhe  në Besëlidhjen e Malësisë 1970 

 

Gjatë punës në realizimin e Besëlidhjes së  Malësisë 1970,  që ndaloi njëherë e përgjithmonë gjakmarrjen  ndër shqiptarët ( malësorët)  e besimit katolik dhe mysliman Nua Vuksani dha një  ndihmesë  jashtëzakinisht të madhe. Madje ai e vulosi  Besëlidhjen e Malësisë,  në ditën   kur të gjitha komunitetet që jetojnë në Tuz-Malësi lidhën besën se  në këto troje  nuk do të ketë hakmarrje të gjakut ndaj njerëzve të pafajshëm përveç gjaksorit ( dorasit) , vritet djali i axhës së tij Lekë Kolë Junçaj.  Të nesërmen, në ceremonin  e tij mortore,  burri  Malësisë  e i fjalës së dhënë iu drejtua  popullit ( masës) të shumtë në numër me këto fjalë:  “Të nderuar si vëllezër, burra të shquar  nga  treva të ndryshme shqiptare! Jam këtu para jush   që në  emër të familjes dhe të vëllazërisë Junçaj t’u them  se ne  u mbetemi besnik  vendimeve të djeshme të burrave të Malësisë së Madhe dhe jemi të vendosur që ta respektojmë. Edhe pse djali i  axhës tim  Leka  është vrarë pa ndonjë  faj nga dora e njeriut të keq dhe të pa besë, besa jonë tradicionale është  shumë më e madhe se  djali,  vëllai e kushëriri ynë”. Kjo porosi ndoshta historike  e gdhendur me shumë kujdes, që i buronte nga shpirti i tij paqësor , pati jehonë të madhe edhe jashtë Malësisë, në ecurinë e mëtejshme të  rrugëtimit  në mbylljen e   hasmërive në mesin e shqiptarëve.

 

Vetitë njerëzore

 

Të gjithë ata që e kanë njohur Nua Vuksanin janë të mendimi se ai ka qenë shumë njerëzor në kuptimin e plotë të  kësaj fjale.  Ishte mbi të gjiitha  njeri i mirë, I fjalës dhe i besës, i cili  nuk u pajtua kurrë me të keqen, të padrejtën dhe të shtrembëtën. Në shtëpi e jashtë saj ishte shumë mikpritës. Figurë popullore. I dashur nga të gjithë. Fjalëmbël. Veprimtar fisnik. Një pëersonalitet me veprimtari  të pasur angazhimi në  disa fusha, vlera këto që e bëjnë të dalluar mes shumë njerëzve që kanë vepruar dhe veprojnë për familjet e tyre dhe për të mirën e shoqërisë.  Ai me përpjekjet e tij të pareshtura për të mirën e njerëzve, u teregua si veprimtar  i  dalluar dhe si njeri me vlerë  për shoqërinë  dhe popullin shqiptar.