Fatos Beqiraj është lutur që Kosova të mos bien në një grup me Malin e Zi

Beqiraj s’është i lumtur që në vendin e tij vjen si kundërshtar

Fatos Beqiraj është lutur që Kosova, vendi ku është lindur, rritur e zhvilluar si futbollist, dhe Mali i Zi, të cilin e përfaqëson prej vitit 2009, të mos bien në një grup.

Por dëshira e tij nuk u plotësua të dielën. Shorti i hedhur në Dublin të Irlandës i vuri Malin e Zi dhe Kosovën në Grupin A të eliminatoreve për kampionatin evropian të vitit 2020.

Beqiraj, 30-vjeçar, në një intervistë dhënë gazetës të hënën, u shpreh se ka qenë tifoz i flaktë i Kosovës në Ligën e Kombeve, ku bëri histori duke u kualifikuar në plejofin e Ligës D pa pësuar asnjëherë. Por tash shpreson që me Malin e Zi ta mposhtë Kosovën.

Ndeshja e parë ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës do të zhvillohet më 7 qershor të vitit të ardhshëm në Podgoricë, kurse ajo kthyese më 14 tetor në Prishtinë.

“Shortin e kam përcjellë direkt dhe dëshira ime ishte që të mos takohem me Kosovën, por shorti e caktoi që Mali i Zi të takohet pikërisht me Kosovën. Jemi një grup i fortë, joatraktiv, përveç Anglisë si favorite, por një grup që mund t’i prishim plane njëri-tjetrit. Përparësi më të madhe se tri ekipet e Ballkanit ka edhe Çekia, sepse ka eksperiencë më të madhe, por gara për vendin e dytë do të zhvillohet deri në fund”, ka thënë Beqiraj.

Grupin A e përbëjnë Anglia, Çekia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Kosova. Pos me Kosovën, me tri ekipet tjera Beqiraj është përballur si reprezentues i Malit të Zi gjatë cikleve eliminatore të evropianit dhe botërorit. Por për sulmuesin nga Peja, përballja kundër Kosovës do të jetë më e veçanta. /KohaNet/