OJQ “Unë veproj!”: Konferencë “Multikulturalizmi dhe praktikat e artit bashkëkohor”

 

Nën drejtimin e fondacionit gjerman Konrad Adenauer (KAS) dhe në bashkëpunim me OJQ “Unë veproj!”, në datat 4 – 6 dhjetor, në Ulqin do të organizohet konferenca „Fuqia e kulturës – Multikulturalizmi dhe praktikat e artit bashkëkohor, etnicizim apo interaksion?”.

 

Kjo konferencë në qendër të vëmendjes vendos politikat e multikulturalizmit dhe manifestimin e tyre në fushën e artit bashkëkohor, duke nenvizuar dilemën nëse ato shërbejnë thjesht si një platformë deklarative apo krijojnë hapësira reale për shkëmbim ndërkulturor në vendet e Ballkanin Perëndimor.

 

Diskutimi i politikave multikulturore është një temë e momentit, në kontekst më të gjërë europian, pasi jemi dëshmitarë të rishikimit të tyre të vazhdueshëm, një fenomen ky i cili në mënyrë të veçantë po ndikohet nga kriza e emigracionit në Europë. Ndërkohë që, në kontekstin ekzistues të Ballkanit apo edhe të përvojave post-jugosllave, procesi i aplikimit të tyre po problematizohet edhe më shumë. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në hapësirën e tranzicionit dhe turbulencave të vazhdueshme politike, të përballur me dilemën që shoqëritë tona ende e kanë, që t’i rikthehen fantazmave të së shkuarës apo të orientohen drejt perspektivës europiane, pikërisht nëpërmjet trajtimit të kësaj teme përshfaqet dobësia kryesore, në lidhje me mungesën e aftësisë për t’a pranuar të ndryshmen, me anë të shprehjes së ksenofobisë, mitomanisë, izolimit, si edhe të pamundësisë për t’i tejkaluar kufijtë politik dhe ato estetik.

 

Korniza tematike e konferencës i referohet modeleve të njohura europiane të bashkëpunimeve kulturore (rrjete, bashkëprodhime, partneritete, lëvizje apo shkëmbime të artistëve), të cilat në këtë mënyre realizojnë politikat e multikulturalizmit dhe dialogun ndërkulturor, e që nuk reduktohen vetëm në lidhje me kategoritë etnike, dhe pse në praktikë këto lloj rastesh janë më dominuese.

Pjesëmarrësit e konferencës janë përfaqësues që vijnë nga adresa ndryshme, të politikave apo praktikave kulturore, në nivel ndërkombëtar, kombëtar dhe lokal.

Hapja zyrtare e konferencës do të bëhet nga z. Mehmet Zenka, Ministër për të drejtat e njeriut dhe të pakicave në Mal të Zi, për të vijuar me fjalët nga Sandra Gjurbuzoviq, Sekretare pranë Ministrisë së kulturës, z. Loro Nrekiq, kryetar i Komunës Ulqin, Norbert Beckmann-Dierkes, drejtor i fondacionit Konrad-Adenauer dhe Musa Hoxhiq, drejtor i Qendrës Kulturore në Ulqin.

Prezantimet hyrëse të konferencës do të mbahen nga prof. mr Janko Ljumović, nga Fakulteti i arteve dramatike në Cetinë dhe Drita Llolla, drejtore e OJQ “Unë veproj” (iACT) ga Ulqini. Punimet dhe referimet, në kuadër të panelit të parë “Politikat publike dhe multikulturalizmi”, do të prezantohen nga të ftuarit, si vijon: Milica Nikoliq, përfaqësuese e Komisionit kombëtar për UNESCO pranë Ministrisë se Kulturës në Mal të Zi, znj. Hadixhe Gjoni, nënkryetare e Komunës Ulqin, Ana Zhuvela, Qendra për zhvillim dhe marrdhënie ndërkombëtare Zagreb dhe Suljo Mustafiq, profesor i letërsisë dhe përfaqësues i Partisë boshnjake në Mal të Zi.

Në panelin e parë dhe të dytë të titulluar “Praktikat e artit bashkëkohor dhe multikulturalizmi”, të ftuarit që do të referojnë janë, si vijon: shkrimtarët dhe autorët e mirënjohur, Laslo Vegel nga Serbia dhe Andrej Nikolaidis nga Mali Zi, Hazim Begagiq, në cilësinë e drejtorit të Teatrit kombëtar boshnjak nga Zenica, Jellena Misheliq, bashkëpunëtore në mësimdhënie pranë Fakultetit të Arteve Dramatike në Cetinë, Luçjan Bedeni, drejtor i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër, Tea Çuni, përgjegjëse e sektorit të komunikit dhe promovimit pranë Muzeut “Marubi”, si edhe dr Vuk Vukoviq, docent në Fakultetin e Arteve Dramatike në Cetinë.

Në kuadër të programit hyrës të konferencës, me datë 4 dhjetor, do të organizohet një mbrëmje letrare me shkrimtarin e njohur Laslo Vegel, nën moderimin e Andrej Nikolaidis.

Redaktor i programit të konferencës është prof. mr Janko Ljumoviq nga Fakulteti i arteve dramatike, Universiteti i Malit të Zi.