Të dielen: EDICIONI I 7-të I MARATONËS SË PAVARËSISË ULQIN-SHKODËR 2018

 

 

Për të shtatin vit me radhë, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit dhe Bashkinë e Shkodrës, do të organizojnë Maratonën e Pavarësisë Ulqin–Shkodër, të dielën, më 25 nëntor 2018.

Këtë vit maratona zhvillohet në relacionin Ulqin-Shkodër, ku nisja e maratonistëve do të bëhet në orën 9:00, përballë godinës së Komunës së Ulqinit, ndërsa caku përfundimtar do të jetë Shkodra, përballë godinës së Bashkisë së këtij qyteti, mësohet nga Zyra për marrëdhënie me publikun e KKSH-së.

Siç është bërë tashmë traditë, kremtimi i 28 Nëntorit do të fillojë duke grupuar sportistë pa dallim kombësie, feje apo gjuhe, duke bashkuar shqiptarët e çdo treve dhe popujt e vendeve të ndryshme. Organizatorët e këtij manifestimi ju ftojnë që edhe ju të bëheni pjesë e kësaj gare, ku pak rëndësi ka kush del fitues e shumë rëndësi ka fakti që vrapojmë bashkë.

Pjesë e këtij manifestimi sportiv do të jenë edhe fëmijët dhe nxënësit e shkollave dhe klubeve sportive të Ulqinit, të cilët do t’u bashkëngjiten maratonistëve.

Përveç pjesëmarrjes në vrapim, mund të bashkoheni te pika e nisjes përballë Komunës së Ulqinit, për t’i përkrahur maratonistët.

Të drejtë pjesëmarrjeje ka çdo individ. Regjistrimi mund të bëhet online përmes webfaqes http://marathon-ulsh.org/ .

Të interesuarit mund të paraqiten edhe nëpërmjet adresave të e-maileve: knsh@t-com.me dhe kksh.mn@gmail.com .

Edhe këtë herë, si zakonisht, do të ndahen çmime për tri vendet e para në kategorinë e femrave dhe tri vendet e para në kategorinë e meshkujve.

Maratona Ulqin-Shkodër ka filluar në vitin 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, dhe është unike pasi që simbolizon bashkimin e dy qyteteve dhe dy vendeve.