Takimi i partive shqiptare, ja çka u vendos

Në kuvendin e Malit të Zi u zhvillua takimi i parë i kryetarëve të partive shqiptare në Mal të Zi që kishte temë bisede reformat në legjislativin zgjedhor, temë kjo që po e preokupon tërë opinionin në Mal të Zi.

Në mbledhje morën pjesë Amir Hollaj – kryetar i Lëvizjes Qytetare Perspektiva, Saubih Mehmeti (në emër të kryetarit Mehmet Bardhi) – përfaqësues i LDMZ, Mehmet Zenka – kryetar i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Nik Gjeloshaj – kryetar i Alternativës shqiptare, Nazif Cungu – kryetar i Forcës së Re Demokratike si dhe Faik Nika, kryetar i Këshillit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi, kështu mësohet nga një deklaratë për shtyp lidhur me takimin e parë të partive shqiptare lidhur me reformën zgjedhore në MZ, transmeton Ulqini Online.

.

Deputeti Nimanbegu i njoftoi të pranishmit me Vendimin mbi themelimin e Grupit punues pranë Parlamentit, që do të merret me përmirësimin e ambientin zgjedhor në Mal të Zi.
U vlerësua qe ligji aktual zgjedhor është diskriminues ndaj përfaqësimit autentik të shqiptarëve, që prej katër deputetëve sa kishim në vitin 2011 pas dy cikleve zgjedhore e zvogëloi numrin në një deputet të vetëm.

Të pranishmit njëzëri përshëndetën nismën për takime dhe i dhanë përkrahje iniciatives e cila do te rezultojë me përmirësimin e marrëdhënieve në mes të partive politike shqiptare si kusht për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Mal te Zi. Gjithashtu u dha mbështetje përfaqësuesit ne Grupin e ardhshëm punues për reforma zgjedhore për prezantimin e kërkesave të shqiptarëve.
U vendos që medoemos të vazhdohet me takimet e subjekteve politike shqiptare dhe ngritjen e një forumi, i cili do të nisë hapat e përafrimit të politikës dhe qëndrimeve e të gjitha subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi.

Takimi u mbajt me ftesën e nënkryetarit të Kuvendit të MZ, Genci Nimanbegut.