Mësuesi që punoi me zemër dhe shpirt

Shefki-karamanagaSkruan Ismet Karamanaga

Shpesh e takoj në Ranë. Bisedojmë për arsimin, posaçërisht për arsimin e dikurshëm, ku Shefki Karamanaga ka dhënë një kontribut të madh si mësuas i dalluar.

Si ta përshkruash këtë personazh të sinqertë, të butë, siç thotë populli ynë, e mos të gabosh?

Shumë gjenerata nga politika, shkenca dhe fushat tjera, nuk e kanë harruar mësuesin e parë, Shefkiun. Me kënaqësi shpirtërore dhe me një buzëqeshje nga zemra, ashtu siç e ka regjistruar kamera ime e vogël, flet për të gjithë ata që i takon në rrugë dhe të cilët e përshëndesin mësuesin, i cili iu ka dhënë diturinë e parë nga të gjitha lëndët.
Ai shprehet se ka filluar të punojë si mësues i ri në Reç, në rrethinën e Ulqinit, ndërsa punën e tij në arsim e ka përfunduar në Shkollën fillore “Boshko Strugar” në Ulqin, vetëm pak metra larg shtëpisë së tij të lindjes. “Ka qenë një rrugë e gjatë, shpesh herë e vështirë, një udhëtim mbi 40 vite, me gjenerata të ndryshme. Por, jam krenar për punën time, pavarësisht nga rrethanat e vështira, posaçërisht në kohën e komunizmit”,thotë ai.
Shefkiu mendon se është modest kur thotë se ka dhënë një kontribut të madh në arsimin e popullit tonë, natyrisht, aq sa ia ka lejuar kapaciteti i tij intelektual, por me zemër dhe shpirt. “Arsimin dhe punën në arsim e kam dashur me zemër. Gjithmonë jam munduar në kushte të vështira dhe nganjëherë edhe me sakrifica të mëdha, në edukimin e gjeneratave të reja, duke i respektuar rregullat e arsimit. Shumë herë, në mungesën e mjeteve materiale, edhe dukeimprovizar mësimin në kushte të vështira, por gjithmonë me qëllim që mos t‘u mungojë nxënësve arsimi themelor. Jam i bindur se këtu kam pasur sukses“, thekson ai. Ashtu si edhe shumë mësues të tjerë, në fillim të arsimit në gjuhën shqipe te ne, Shefkiu ka punuar me pasion dhe me një dashuri të madhe për arsimin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë në Malin e Zi.
Me një pietet të veçantë dua t‘i përmendi disa mësues nga plejada e madhe e mësuesve që kanë dhënë kontribut të madh në edukimin e popullit tonë. Minja Nikollaidisi, Antonija Markoviq, Qouthere Llunji, Pjetër Mirdita, Muhamed Zejnelaga, Veli Hoxha etj., kanë pa dyshim merita të veçanta në arsimimin e popullit tonë.
Edhe Shefkiu i takon këtij grupi, sepse edhe ai është njëri ndër pishtarët e dritës dhe të përparimit në përgjithësi, pavarësisht nga kushtet e vështira ekonomike, politike etj. „Duke shëtitur në Ranë, shpesh herë takoj nxënësit, sot njerëz të profileve të ndryshme, të cilët me një respekt të madh më tregojnë se dituria e parë, të cilën e kanë marrë nga unë, iu ka mbetur në kujtesë. Më duket se nuk ka satisfaksion më të madh për mua. Jam i kënaqur me rrugën time 40 vjeçare, të jetës sime dhe punës në arsim“, shprehet ai.
Shefkiu thotë se nëse do të kthehej në rininë e tij, nuk ka dilemë se përsëri do të kishte zgjedhur të njëjtin profesion dhe të njëjtën rrugë.

Ai thotë se shpesh herë duke shëtitur në Ranë deri te Kalaja, çon shikimin në bedenet e saj, ku kanë lindur të parët e tij, dhe mendon me krenari se edhe ata do të ishin të kënaqur me punën dhe veprën e tij modeste. Tashmë si pensionist, ai shëtit pranë detit në Ranë, ku e kalon kohën. Por edhe në këtë moshë, ai përpiqet të jetë aktiv.

„Përpiqem që edhe si pensionist të inkuadrohem në shoqërinë e moshatarëve të mi. Lexoj pasi që pa libër nuk mundem, shkoj në xhami, falem edhe lexoj Kur’anin. Mendoj se njeriu gjithmonë duhet të jetë aktiv, pavarësisht nga mosha”, përfundon ai. /Koha Javore/