AKTIVISTËT RINORË NGA ULQINI VIZITOJNË PARLAMENTIN E MALIT TË ZI

 

Njëzet e pesë aktivistë rinorë nga Ulqini, sot vizituan Kuvendin e Malit të Zi si dhe Qendrën Rinore në Podgoricë. Pjesëmarrësit e kësaj vizite u njohën me ambientet në të cilat zhvillohen seancat parlamentare, duke mësuar më shumë për mënyrën e funksionimit të Parlamentit Shtetëror. Të rinjtë patën mundësi të ulen në karriget deputetëve dhe të përjetojnë ndjesinë e tyre.

Pjesa më e rëndësishme e kësaj vizite ishte diskutimi i drejtpërdrejtë me deputetët. Në një sesion të veçantë, të rinjtë nga Ulqini i priti nënkryetari i Parlamentit Genci Nimanbegu, deputeti Luigj Shkreli dhe deputeti Boris Mugosha. Të rinjtë patën mundësi të bëjnë pyetje, të shprehin shqetësimet dhe pikëpamjet e tyre për gjendjen aktuale të të rinjve në Mal të Zi, por edhe të   japin propozime konkrete për avancimin e pozitës së tyre.

 

Më pas, pjesëmarrësit e këtij aktiviteti vizituan Qendrën Rinore në Podgoricë, ku u pritën nga drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë për Rini, Nenad Koprivica dhe nga koordinatorja e kësaj Qendre, Andrea Miqanoviq. Tema kryesore e këtij takimi ishte rritja e aktivizmit rinor dhe e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje, si në nivelin lokal ashtu edhe atë qendror.

 

Vizita e sotme u realizua në kuadër të projektit “Të rinjtë marrin pjesë, të rinjtë marrin vendime!” të cilin OJQ Horizonti i Ri e realizon në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit në Ulqin, mbështetur nga Drejtoria për Rini në Ministrinë për Sport të Malit të Zi.