Leter e hapur Gjukanoviqit, Markoviqit dhe Vukoviqit

Tuzi

 

Kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare Nikollë Camaj i është drejtuar me një letër të hapur Presidentit të Malit të Zi, z. Millo Gjukanoviq, Kryetarit të Qeverisë, z. Dushko Markoviq dhe Kryebashkiakut të Podgoricës, z. Ivan Vukoviq.

Letren e plotë të hapur të z. Camaj mund ta lexoni më poshtë.

 

Letër e hapur: Presidentit të Malit të Zu, z. Millo Gjukanoviq,

  Kryetarit të Qeverisë, z. Dushko Markoviq dhe

  Kryebashkiakut të Podgoricës, z. Ivan Vukoviq

Të nderuar zotërinj,

Me forcën e ligjit, nëse zbatohet, Tuzi zyrtarisht u bë komunë e plotë, që nga 1 shtatori i këtij viti. Në mënyrë që kjo të bëhet edhe realitet, kërkohet kohë dhe punë, por mbi të gjitha, vullnet i mirë, i cili, fol realisht, te kjo mazhorancë shpesh ka munguar.

 

Thonë se koha nuk e ndreq atë që lind me gungë, kurse hapat e parë të kësaj mazhorance, pas “pavarësisë” kanë simptomat e gungaçit. Duke filluar nga takimi i kryebashkiakut të Podgoricës me prijësit e komunës së sapoformuar, përmes emërimeve të njëanshme dhe punësimit jo-profesional, e deri te formimi i trupave të parë të punës, të cilat po i formon kuvendi jo-legjitim, pasi që ai nuk ka mandate për çështje të tilla. Por, edhe sikur të kishte, komisionet e formuara, pa asnjë përfaqësues të opozitës, nuk mund të marrin vendime legjitime. Nuk besoj të ketë ndonjë trup të vetëm punues, në Malin e Zi, apo edhe në rajon, që nuk ka vend për përfaqësues të opozitës, përveç te ne, dhe ata, për trupin, për ne, më të rëndësishëm, të punës, trupin i cili do të merret me çështjen e kufijve dhe të ndarjes së pronës midis Kryeqytetit dhe komunës së sapo-formuara. Komisioni prej 7 anëtarësh përbëhet vetëm nga përfaqësues të partive në pushtet, në nivel të Shtetit, Kryeqytetit dhe Tuzit. Dhe kjo është gungaçe!

Sa u përket emërimeve dhe punësimeve në komunën e Tuzit, mjafton të shihen emrat e personave që pritën Vukoviqin, ose të atyre të cilët në ndërkohë u emëruan në pozicione të ndryshme, dhe e tëra të bëhet e qartë: Abedin Axhoviç, Fadil Kajoshaj, Haris Ramoviq, Emin Haxhi, Samir Axhoviq, Esmin Beqoviq, Haris Jevriq, Halil Dukoviq…dhe Simon Ivezaj. Nuk është e vështirë të vërehet se ky grumbull përngjet me atë të QKI “Malësia”, e që në asnjë mënyrë nuk pasqyron realitetin e Malësisë. Nuk është e vështirë, madje as për një laik, që të kuptojë se fjala është për një grup të zgjedhur, në mënyrë tejet të njëanshme, pjesërisht i dalë edhe nga zgjedhjet e kaluara. Një trend i këtillë që diskriminon gjysmën e Malësisë, asnjëherë më parë nuk është vërejtur, në këto anë!

U drejtohem zotërinjve të përmendur, përmes kësaj shkrese publike, pasi që krijohet përshtypja sikur ata nuk janë të njoftuar me këtë realitet, që në emër të demokracisë dhe të përparimit, të marrin masa dhe të ndalojnë këtë zullum. Në mënyrë që komuna e re të mos jetë me gungë, kjo dhunë juridike duhet ndaluar, në mënyrë që pas zgjedhjeve të lira e demokratike, pa presione dhe blerje votash, të krijohet shumica dhe klima politike, që do t’i përngjajë realitetit të Malësisë, dhe e cila do të marrë përgjegjësinë për të ardhmen e këtij rajoni. Vetëm shumica e re do të ishte legjitime për të prodhuar edhe trupin punues në fjalë, që do të merrej me demarkacion.

Në të kundërtën rrezikoni që marrëveshjet të jenë shterpe, kurse vendimet e këtyre kvazi-politikanëve joprofesionistë, të paqëndrueshme, dhe të papranueshme, për shumicën e banorëve të Malësisë, e sidomos për popullatën autoktone, e cila është angazhuar për komunën e plotë, derisa kjo shumicë, që tani “vranë e kthjell” ishte kundër. Imagjinoni që me Malin e Zi, të pavarur, pas referendumit, të udhëhiqnin ata që kundërshtuan pavarësinë!

 

Nikollë Camaj,

Kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare