Tri dekada betejë për Komunën e Tuzit

Janë dashur gati tri dekada përpjekje që shqiptarët e Malësisë së Madhe ta bëjnë Tuzin Komunë me kompetenca të plota.

Ky qytet ka humbur statusin e Komunës më 1956, kur për shkak të centralizimit të pushtetit ai u fut nën menaxhimin e Qarkut të Podgoricës, shkruan sot “Koha Ditore”. Çështja e statusit të saj është riaktualizuar tek në vitet ‘90, porse procesi ka ecur shumë ngadalë.

Vetëm në vitin 2005, Tuzi ka mundur të ndiejë një nivel të avancimit vetëqeverisës, por sërish si Komunë nën administrimin e Podgoricës.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në vitin 2015 kanë kundërshtuar që Tuzi ta marrë statusin e ashtuquajtur “Komunë e kryeqytetit”.

Asokohe dy deputetë të partive politike shqiptare, Nik Gjeloshaj e Genci Nimanbegu, kishin votuar kundër, duke ua bërë të qartë përfaqësuesve të Parlamentit malazez se duan Komunë me të drejta të plota.

“Pas nja 6 a 7 muajsh, në korrik të vitit 2016 e futëm në rend të ditës çështjen që Tuzi të jetë Komunë e plotë. Asokohe i kemi njoftuar edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Mendojmë se kjo ishte vendimtare për këtë çështje. Procesi kalimtar deri më sot është bërë me marrëveshje të partive politike shqiptare dhe pushtetit”, thotë Gjeloshaj, në zyrën e tij prej ndërmarrësi. Ajo gjendet afër qendrës së qytetit, që në lindje rrethohet nga kodrat e hirta shkëmbore… (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)