AMERIKEN NUK DO TA MBANTE TOKA PO TE MOS PERGJIGJEJ DENJESISHT KUR U SULMUEN QIEJT E SAJ

Nga Ramiz Lushaj

 

1.

Në historinë botërore tashmë ka hyrë një datë e vecantë: 11 shtatori i vitit 2001, që sivjet i përkujtojmë 17-vjetorin, çka na bën të kemi dhimbje e nderim për tragjedinë e viktimave njerëzore të kësaj dite; formon një apel ndërkombëtar për luftën e pambaruar kundër terrorizmit në kohën e hapësirat e shfaqjes së tij; përbën një epope qëndrese të shumanshme amerikane e solidarizim shumplanësh të komunitetit ndërplanetar .

Kjo datë në paralelet dhe meridianet e globit tokësor nuk është start i një Lufte të Tretë Botërore të një lloji tjetër dhe nuk përbën as Luftën e 11-të apo 12-tw të SHBA, por është një Luftë e Pambaruar për Paqe Botërore.

Kjo datë nuk e ka ndrruar Botën e sotme, por tregoi faktin se sa shumë ka ndrruar Bota në këtë Mijëvjecarin e Tretë.

Kjo datë dëshmoi edhe diçka tjetër: Kush është Amerika për Amerikën dhe kush është Amerika për Botën.

 

2.

11 Shtatori tragjik i vitit 2001 është një histori e përseritur e Peal Harbor të 7 dhjetorit 1941 në ishujt Hawai të SHBA, me të vetmin ndryshim se para 17 vitesh Amerika u sulmua nga brenda hapësirës gjeopolitike të saj, ndërsa para 77 vitesh u sulmua nga jashtë territorit të saj.

Po ka edhe diçka tjetër: Në rast se më 1941 kamikazët kishin për adresë një shtet të vetëm ndërluftues, tashmë ishte një armik i pa atdhe, i pa ngjyrë, i pa fe, i pa besë – terrorizmi ndërkombëtar i sofistifikuar pas emra organizatash e individësh, që në gjak kanë bomba e trurin e droguar për gjakderdhje.

Në të dy rastet Amerikën e sulmuan për t’ia humbur krenarinë e sovranitetin e saj dhe në të dy rastet Amerika fitoi në vetëvete e doli përtej vetëvetes për të ruajtur e lartësuar dinjitetin, paqen e lumturinë e Botës.

Sot Amerika është strategjike për Vetëveten dhe për Botën në të dy anët e saj: në Lindjen Atlantike për Europën dhe në Perëndimin Paqësor për Azinë, cka i ngjan një peshoreje graviteti ekonomik e ushtarak për këto dy kontinente, që aktualisht në lidhjet e saj anon nga ana europiane me Bashkimin Europian, Federatën Ruse e shtete te tjera mesdhetare e nordike, por në të nesërmen e afërt e të shpejtë mund të anojnë edhe nga ana aziatike me Kinën e Indinë të shumëpopulluara e të tjera shtete të kësaj hapësire…

Sot Bashkimi Europian, për nga ana e konsolidimit si Union, është 200 vjet pas Amerikës, ndërsa nga ana ushtarake, Amerika është 50 vjet përpara Europës..

Sot Amerika, për nga tregtia shumëplanëshe, mbulon 51 për qind të asaj botërore.

Pra, Amerika është Amerikë.

Ndaj 11 shtatori 2001 nuk e donte të tillë.

 

3.

11 shtatori nuk është ngjarje tragjike e një date, por janë disa ngjarje të këtilla në Amerikë, të drejtuara kundër Amerikës, që çuan te kjo ngjarje tragjike: është vendosja e bombës në World Trade Center në vitin 1993: është goditja terroriste me bombë në një pallat me zyra në qytetin Oklahama më 19 prill l995; është tjetër goditje në një pallat banimi në Khobar Towers; është akti terrorist në ambasadat amerikane në Kenia e Tanzani; është goditja me bombë në USS Cole në vitin 2000.

 

4.

11 shtatori Amerikën nuk e gjeti në gjumë, por Bota kishte rënë disi në qetësi, biles edhe pas goditjes në Kullat Binjake e në Pentagon shumëkush priste rënien e Amerikës dhe kundërgoditje ndaj terrorizmit të rishfaqur në mënyrën më çnjerëzore e me gjakderdhje të mijëra viktimave të pafajshme

Çuditërisht Jelcini në Pallatin e Bardhë në Moskë i fërkoi duart e trumbetoi se tashmë kemi vetëm “Shtetet e Shpërbëra të Amerikës” e nuk apelonte menjëherë për luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Sadam Hyseini ia shkelte brutalisht rezolutat e përseritura OKB-së dhe ia përzente inspektorët, ndërsa Pallati i Qelqtë në Nju York nxirrte rezoluta të reja e priste që djalli të bëhej ‘”engjëll”.

Gjykata e Hagës e linte të lirë kriminelin Millosheviq dhe disa oborrtarë të tij duarpërgjakur në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë e së fundit në Kosovë dhe lëshonte deklarata e fletë-arreste të risigluara duke vënë në shpërblim për kapjen e tij miliona dollarë.

Talebanët në Afganistan i gjuanin me top portretet e Budës të skalitura në male duke i shkatërruar ato e budistët rrinin duke i vajtuar në mënyrë mediatike.

E shembuj të tillë mund të sjellim prapë, por duam të nënvizojmë se kjo qetësi e botës së vitit 2001 ishte kaq e çuditshme, burokratike e individualiste saqë lejoi e çoi në faktin e ditën që në një pjesë të Globit, në Amerikë, në Tempullin e Demokracisë, në selinë e Organizatës Botërore të Tregtisë, terrorizmi të godiste kaq ashpërsisht e pabesisht.

 

5.

Amerika e ka përgjegjësinë e vet që u godit në New York e veçanërisht në Pentagon, por për këtë askush nuk mund ta paragjykojë, ta gjykojë apo pasgjykojë Amerikën, se përse u godit e aq më tepër që Bota të largojë përgjegjësitë e veta në këtë histori, në këtë tragjedi, në këtë datë, prej kësaj dite.

Oktapodi i terrorizmit ndërkombëtar duke sulmuar Amerikën kërkonte të gjunjëzonte Botën.

Po të rrëzohej Amerika në një ditë, në atë 11 shtator 2001, Bota do ta kishte të vështirë, në mos të pamundur, që të ringrihej deri në kapërcyell të shekullit tjetër, sepse botës do t’i mungonte shembulli amerikan, sipërmarrjet ndërkombëtare amerikane, konkurimi ndërplanetar amerikan nga nëntoka e deri tek yjet e galaktikat.

Amerika ka dëshmuar në këta shekujt e fundit se nuk rrëzohet nga lufta e me luftë, por veçse duke e konkuruar me vlera nivele larta, të cilat i ka në stadrritjeje, biles edhe më 11 shtator 2001 i tregoi botës vlera të saj të reja si në përballimin njerëzor e organizativ të kësaj tragjedie dhe në kundërpergjigjen ndaj terrorizmit ndërkombëtar.

 

6.

Amerika gjithënjë e ka paralajmëruar Botën për rrezikun imediat e katastrofal të terrorizmit ndërkombëtar, ndërsa Bota nuk e ndjente sa e siç duhej këtë rrezik real e me kosto tepër të lartë njerëzore, ekonomike e ushtarake.

U desht, ndoshta 11 shtatori 2001, kur terrorizmi ndërkombëtar sulmoi nga Qiejt e Amerikës, që njerëzit e shtetet e planetit të ecnin me këmbë në tokë e me mend në kokë në luftën kundër terrorizmit, qoftë në Afganistan e në Irak apo kudo gjendet ose shfaqet në hartën e Globit.
Amerika, përseri, dhe nga 11 shtatori 2001 e këtej e ka kryer detyrën e lartë përballë kombit të vet, historisë botërore, planetit të sotëm e kohës së nesërme, duke luftuar me të gjitha format e mjetet, në krye të Koalicionit Botëror kundër Terrorizmit Ndërkombëtar.

Amerikën nuk do ta mbante Toka po të mos përgjigjej denjësisht kur iu sulmuan Qiejt e saj.

Tiranë, më 11 shtator 2018