Rruga Shëngjin-Velipojë shkurton kohën e udhëtimit për në Ulqin

foto: atsh

Rruga Shëngjin-Velipojë shkurton kohën e udhëtimit me Malin e Zi

Tiranë, 30 gusht – Qeveria shqiptare është shumë afër finalizimit të projektit për ndërtimin e rrugës së Torovicës në Lezhë si dhe një sërë veprash të tjera infrastrukturore, ku një nga më të rëndësishmet është përfundimi i rrugës Shëngjin-Velipojë, që pritet të bëjë lidhjen me Malin e Zi, duke reduktuar kohën fizike të udhëtimit.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama gjatë një aktiviteti në Lezhë për turizmin, ku u takua me disa investitorë. Kreu i qeverisë u ndal te ndërtimi i aksit rrugor Shëngjin-Velipojë dhe lidhjen me Malin e Zi, që pritet të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit deri në gjysmë ore.

“Ambicia jonë është rruga Shëngjin – Velipojë dhe të bëjmë lidhjen me Malin e Zi në një kohë më të shkurtër se gjysmë ore, që të përfitojmë nga fluksi turistik nga Mali i Zi, sepse ka shumë kërkesë nga ana tjetër për të dalë këtej dhe për të eksploruar këtë pjesë të bregdetit gjatë sezonit. Jemi shumë pranë finalizimit të një projekti që është rruga e Torovicës, që është një gangrenë e madhe. E kemi futur në proces dhe do ta realizojmë, ndërkohë që do të fillojë një lot në Balldren. Do të ketë disa zhvillime të tjera në pjesën Shkodër-Muriqan nga pikëpamja e infrastrukturës, kemi gjithashtu Thumanë-Kasharin. Ju po e shikoni që nyja e Milotit po transformohet rrënjësisht dhe faktikisht na është dashur që ta bëjmë projektin nga e para dhe është një nyje që nuk bëhet fjalë për autostradën, por bëhet fjalë për 12 km rrugë dytësore, në mënyrë që të jetë autostradë, se ndryshe ç’kuptim ka të bësh autostradë dhe çdokush që ka shtëpinë në të dyja anët e autostradës të futet në autostradë nga oborri i shtëpisë, ajo nuk është më autostradë. Ajo është një korridor që kërcënon jetën e gjithkujt dhe na është dashur që të bëjmë goxha punë me projektet dhe nyja është bërë nga e para, komplet nga e para. Ndërkohë që në ato librat e propagandës figuron si punë e kryer në atë kohë”, – theksoi Kryeministri./atsh/