DITA NDËRKOMBËTARE E RINISË SHËNOHET EDHE NË ULQIN

Në hapësirat e Këndit për të Rinj në Ulqin, OJQ Horizonti i Ri në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit, organizuan  shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.

Kjo ditë festohet çdo vit më 12 gusht, në bazë të një rezolute të posaçme të Asamblesë së Përgjithshme,  si një mundësi e veçantë për të tërhequr vëmendjen për çështjet rinore, si në komunitetet lokale ashtu edhe në nivel të shteteve ku ata jetojnë dhe veprojnë.

Pikërisht, për të dëgjuar zërin e të rinjve dhe për të sensibilizuar vendimmarrësit lokal për çështjet rinore, në Ulqin u organizua një takim të veçantë midis aktivistëve rinorë dhe drejtuesve të Pushtetit Vendor. Në një atmosferë të relaksuar dhe miqësore, të rinjtë bashkëbiseduan me Kryetarin e Komunës z. Loro Ndrekiq dhe me nënkryetaren e Komunës znj. Hadixhe Gjoni. Ata paraqiten shqetësimet dhe pikëpamjet e tyre për problemet me të cilat ballafaqohen të rinjtë në Ulqin, por edhe dhanë propozime e ide se si mund të përmirësohet pozita e tyre aktuale. Me këtë rast, drejtuesit e Komunës së Ulqinit shprehën vlerësim për përpjekjet e të rinjve për tu edukuar për pjesëmarrje në vendimmarrje dhe shprehën gatishmërinë e tyre që të punojnë në përmirësimin sa më të mirë të pozitës së të rinjve në Ulqin.

Në këtë ceremoni, vijuesit e trajnimit tremujorë për mundësitë e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje, u shpërblyen me diploma.

 

Kur bëhet fjalë për çështjet rinore, duhet të theksohet se Mali i Zi ka miratuar Strategjinë për të Rinj për periudhën 2017-2021! Një ndër prioritetet kryesore të kësaj strategjie është edhe “pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje, në zhvillimin e komunitetit lokal  dhe në hartimin e politikave publike”. Pikërisht këtë synon edhe projekti me titull “Të rinjtë marrin pjesë, të rinjtë marrin vendime!”, të cilin OJQ Horizonti i Ri e realizon me mbështetjen e Ministrisë për Sport të Malit të Zi, në kuadër të të cilit u realizua edhe aktiviteti i sotëm.