KRONISTI BESNIK I QYTETIT TË ULQINIT

Ismet Karamanaga, ULQINI FLORINI-portrete, in memoriame”, Ulqin, 2018

Nga Dr.Nail  Draga

Nga rënia e sistemit monist  autor të profileve të ndryshme profesionale i kanë ofruar  opinionit të gjerë studime dhe botime të veçanta  ku si temë qendrore është Ulqini dhe rrethina e tij. Jo së ka munguar një interesim i tillë edhe më herët, por ishin rrethanat e kohës, që pamundësuan botime të ndryshme sepse pasojat ishin evidente.

Në gamën e autorëve të cilët janë paraqitur me botime të tilla bën pjesë edhe Ismet Karamanaga, i cili  pas librave “Kalaja, legjendë dhe art”(2006), “Ulqini-monumente, portrete, ngjarje”(2015), opinionit  i paraqitet  me librin më të ri “Ulqini florini-portrete, in memoriame”(2018), duke  dëshmuar vazhdimësinë e prezantimet të çështjeve të qytetit të tij të lindjes Ulqinit, me plot pasion dhe qasje shumëdimensionale. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse I.Karamanaga ka rreth njëzet vite që është prezent në mediat tona, e në vitet e fundit  edhe në portalet e ndryshme, duke prezantuar preokupimin e tij për çështje të ndryshme që ka të bëj me Ulqinin, personat dhe ngjarje të ndryshme, për këtë qytet me histori prej njëzet e pesë shekujsh, nga ilirët e deri në ditët tona.

Nga vet titulli i këtij libri del se Ulqini prezantohet përmes florinit, që është metafora e resurseve natyrore, njërëzore dhe monumenteve të këtij qyteti. Dhe s’ka si të jetë ndryshe sepse Ulqini, përkatësisht qyteti i vjetër- Kalaja është qyteti i vetëm i banuar në vazhdimësi kohore në bregdetin e Adriatikut nga koha antike e deri në ditët tona. Si i tillë ky qytet me vlerat e veta historike, arkitektonike  dhe të trashëgëmisë kulturore meriton që të jetë në mbrojtje të UNESCO-s. Andaj, angazhimi në ketë aspekt mbetet obligim i institucioneve përkatëse në nivel lokal e shetëror.

Autori na prezanton personalitete të ndryshme nga spektri profesional, arsimor dhe ai social si detarë, hotelier, peshkatarë, mjekë, instrumentist, valltarë, mësues, studiues, gazetarë, intelektual etj., duke dhënë informacione në lidhje me aktivitetin  e tyre shoqëror dhe profesional. Ndërsa në pjesën e dytë në in memoriame, shkruan për persona të cilët nuk janë më ne mesin tonë, por kanë mbetur në kujtesën e popullsisë vendase. Ai shkruan pa komplekse dhe me qasje objektive për të shkaurën dhe të tashmen, pa ndikime dhe ngjyrime politike. Vlerëson indvidët duke iu kushtuar nga një tekst, duke i vendosur në regjistrin bibliografik të Ulqinit.

Një veprim të tillë të autorit e vlerësojmë të qelluar, por me keqardhje konstatojmë se deri më tash në këtë aspekt nuk ka shkruar askush, që është një dobësi për të gjithë ne. Sepse edhe në të kaluarën në Ulqin kanë jetuar personalitete me peshë në jetën dhe veprimtarinë e këtij qyteti, por nuk kemi të dhëna për ta. Andaj, në këtë aspekt mbetet obligim  për  autor të ndryshëm që  të përpiqen të  hulumtojnë  në këtë drejtim, duke i shënuar emrat  dhe veprimtarinë e tyre për kohën përkatëse.

Kështu ka vepruar më kohë bota e qytetëruar, ndërsa ne edhe pse jemi të vonuar, duhet të përpiqemi  të ofrojmë të dhënat elementare për ata individë qe kanë lënë emër në veprimtarinë e tyre profesionale e shoqërore.

Dhe në fund e them pa hezitim se I.Karamanaga  mbetet një kronist besnik i qytetit të Ulqinit duke u bërë model edhe për të tjerët, duke dëshmuar në praktikë dashurinë për Ulqinin-vendlindjen e tij nga kohërat ma të hershme e deri në ditët tona.