Disa legjenda për fisin e Triepshit

Ilustrim

Fisi i Triepshit  në  vështrimin e Robert Elsit ( 2)

 

Në studimin e Robert Elsit për fisin e Triepshit, të cilin e përbëjnë shqiptarët katolikë,  jepen disa legjenda mbi origjinën ( zanafillën) e këtij fisi. Sipas Elsit ka disa variante legjendash   për paraardhësit e drejtpërdrejtë  të fisit të   Trieshit. Një variant , shkruan Elsi, fisi i Triepshit, sikur Hoti,  e ka origjinën nga sllavët, ndodhta nga një sllav boshnjak i  quajtur Keq Preka, ose Keq Ponti, i cili kishte ikur nga territori i sotshëm i Piperit në Mal të Zi dhe ishte vendosur aty para se ky vend  të binte nën pushtimin Osman, diku rreth vitit 1550. “ Ai pati disa djem, të cilët quheshin : Lazër Keqi, Ban Keqi, Kaster Keqi, Merkota Keqi,  Vas ose Vash Keqi dhe Piper Keqi. Djali i dytë, Ban Keqi konsiderohej paraardhësi i drejtpërdrejtë i fisit të Triepshit, ndërsa vëllai i tij Lazër Keqi stërgjysh i fisit të Hotit, i cili në këtë mënyrë kishte lidhje me Triepshin. Lazër Keqi u vendos në Traboin, kurse Ban Keqi në Muzheçk. Disa anëtarë të fisit kishin prejardhje prej Ivan Cërnojeviqit, kurse familjet e vjetra të Delajve besojnë se  kanë prejardhje nga mërgimtarët që erdhën nga Hercegovina”, shkruan  Elsi  në librin e tij“ Fiset shqiptare, Prishtinë 2017, faqe 102.

Një version tjetër i legjendës mbi zanafillën e fisit të Triepshit është si vijon: “ Keq Ponti ishte nga Arta, që gjendet në Greqi. Kur turqit osmanë filluan të shtrihen në Ballkan, ai u përbetua se nuk do të jetonte kurrë në Ballkan nën sundimin  Osman, prandaj iku me familjen në Nish, e më pas në Dibër. Pas shumë bredhjeve, ata dikur u vendosën në luginën e lumit Cem. Ata, atje, në muzgun e mbrëmjes panë një dritë të ndezur në një shpellë të quajtur Borovçi, ku banonte një banor vendas, i cili quhej Bokshin. Bokshini kishte tre djem. Ai i priti ardhacakët dhe u lejoi që të banonin aty. Ai u tha vizitorëve se dikur kishte pasur një tokë buke me bereqet përgjatë lumit Cem, mirëpo njëfarë Lekashi ia kishte grabitur si pasurinë ashtu edhe bagëtinë.Në shenjë mirënjohjeje për mikpritjen miqësore, i biri i Keq Pontit tha se do t’i vriste  barinjtë e Lekashit dhe do ta kthente bagëtinë që ia kishte vjedhur më parë Lekashi. Dhe ai e mbajti fjalën. Lekashi duke ikur me një kalë, rrugës e humbi njërën sandale.Bijtë e Keq Pontit, Vasi, Krasi, Lazri, Pipi dhe Baku u vendosën në rajonin e quajtur bregu i Lekashit dhe u morën me bagëti” ( Po aty, faqe 103)

Elsi duke folur për rezistencën e trieshjanëve kundër sulmuesve osmanë në rajon , veçanërisht më 1717 kur ata vranë 62 ushtarë turq , ka shënuar: ” Thuhet se forcat turke u tërhoqën pas kësaj katrahure dhe , deri më 1862, e lane rajonin e qetë. Në atë kohë, së paku për arsye taktike. Triepshi pati marrëdhënie të mira jo vetëm me fisin e Kuqit ( Kuçit ( sh.im) por edhe me dinastinë e Petroviq-Njegoshit, me sundimtarët e Malit të Zi, sidomos me princin Peter II ( 1830-1851), Princ Danilon ( 1852-1860) dhe Princ Nikollën ( 1860-1918).

Më 1878 , Mali i Zi e aneksoi Triepshin, në kohën e Kongresit të Berlinit, por kufiri mbeti i pasigurt për ca kohë. Disa pjesëtarë të fisit të Triepshit ikën në Shqipërinë Osmane, ndërsa të tjerët mbetën në Malin e  Zi të sotshëm.Një  figurë e dalluar e Triepshit  në këtë periudhë ishte Marash Marku Gjeloshaj (1825-1902), i cili, nga dianstia e Petroviq-Njegoshit, u emërua kapedan i Triepshit.

Triepshi, pas aneksimit nga  Mali i Zi ,thekson  Elsi,  ishte në gjendje të mjerë. “Në këtë territor ende nuk kishte rrugë. Anëtarët e fisit të Triepshit, e kishin punën pisk, meqë nga tollovia e madhe detyroheshin që dy familje të vendoseshin në një kasollë  me një dhomë. Kurse malësorët e Triepshit, meqë ishin shqiptarë dhe në shumë raste edhe ishin të martuar edhe me familjet e refugjatëve, racionet e tyre të vogla ua jepnin ardhacakëve.  Më vonë , në kohën kur ishte në gjendje të mjerë , më  1911, mori pjesë në kryengritjen e malësorëve dhe pati pasoja të rënda”. ( Po aty, f. 109-110).

Edith Durhami, duke kaluar nëpër Triesh, në tetorin e atij viti, ka shënuar:

“Unë kisha frikë të ngjitem në Malësi sepse, për shkak të sëmundjes që kisha, s’kisha udhëtuar  me kale tre vjet. Mirëpo , më 10 qershor 1911, duke iu përgjigjur një ftese urgjente, vendosa të udhëtoja në Triepsh. I biri i Sokol Bacit mori përsipër të më siguronte një kale. Kështu, unë e pashë kalin për here të pare nën një man të bardhë. Ai ishte një hamshor i madh dhe i përhimët.Kësaj radhe mua më priste kali I Sokolit, një bishë e bukur. Unë mendoja se ai kale ishte i tepërt për mua, që jam një grua në moshë të mesme dhe që s’kam përvojë të udhëtoj me kale. Unë iu afrova me shumë vështirësi sepse kali sillej, vërtitej dhe mezi e shalova në rrugë. Në atë çast arriti një telegram nga Sokoli plak, ku thuhej se ai po kthehej këtu dhe kërkonte që t’ia bënin gati kalin. I biri i tij u skuq, u turpërua dhe kërkoi ndjesë nga unë.Shqiptari e mban fjalën. Unë me gjithë qejf zbrita nga kali dhe isha më e qetë në një kale tjetër të rëndomtë”.

Në  shkrimin e tij për Trieshin   Elsi    rrëfen edhe  legjendën e konfliktit të hershëm midis fiseve të Triepshit dhe të Kastratit (fq.103-108) dhe   për dy figura të shquara të  kombit shqiptar nga kjo trevë, Nikollë Ivanaj dhe Mirash Ivanaj.  ( f.111-113).