Kryetari i KKSH-së në Mal të Zi ngushëllon familjaret dhe mbarë Kosovën për ndarjen nga jeta të Adem Demaçit

Me rastin e ndarjes nga jeta të z. Adem Demaçit, kryetari i Këshilli Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, u është drejtuar me shkresë Ambasadës së Kosovës në Mal të Zi dhe Presidencës së Republikës së Kosovës, ku ka përcjellur ngushëllimet drejtë familjarëve dhe mbarë Kosovës e shqiptarëve, për këtë humbje të madhe.

Në vazhdim mund të lexoni përmbajtjen e mesazhit të ngushëllimit drejtuar Ambasadës së Kosovës në Mal të Zi, ambasadorit SH.T.Z. Durmishit.

 

AMBASADËS SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË MAL TË ZI

SH.T. Z. Skender Durmishit

Podgoricë, më 27.07.2018

Lënda: Mesazh ngushëllimi

I nderuar z. Durmishi,

Ndajmë dhimbjen me ju, me rastin e ndarjes nga jeta të simbolit të rezistencës dhe udhërrëfyesit të mbarë Kosovës dhe popullit shqiptar në përgjithësi, z. Adem Demaçit.

Në emër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe në emrin tim personal, Ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e kësaj figure të shquar, të dashur e të respektuar.

28 vite burgim janë pothuaj një jetë e tërë. Ai me qëndresën e pamposhtur, guximin e madh dhe dashurinë për njeriun, ka lënë gjurmë të pashmangshme dhe do të kujtohet gjatë në mesin tonë.

Ju lusim që ngushëllimet tona t’ua përcillni familjarëve të z. Demaçit dhe çdo qytetari tjetër të Kosovës.

Me respektin më të sinqertë,

Kryetari i KKSH-së

Faik Nika