Çapuni: Ngjarja e së dieles në Shas do të shqyrtohen në seancën e kuvendit në ditët në vijim

Komunikatë për media

Lidhur me ngjarjen e sotme në Shas, Kuvendi i Komunës së Ulqinit sqaron si më poshtë.

  1. Sot, në ora 9, në lokalitetin arkeologjik Shas, parcelën kadastrale 522/1 të Komunës Katastrale Shas,  Kisha Ortodokse Serbe, pa pëlqimin e pronares –Komunës së Ulqinit, ka tentuar të mbajë liturgji fetare brenda objektit te porta veriore e kështjellës ku janë duke u bërë punë të restaurimit të objektit.
  2. Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka kërkuar nga Policia e Komunës prezencën sigurimin e perimetrit të objektit në fjalë dhe Policia Komunale ka dalë në terren në ora 8:30 të datës 08 korrik 2018.
  3. Nga Kuvendi i Komunës, Policisë së Shtetit,  iu është kumtuar aspekti pronësor i çështjes dhe mospëlqimi i komunitetit vendas të kumtuar nga Bashkësia Lokale Katërkollë dhe nga Kumtesa e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi. Në ora 20:00 të datës 07 korrik 2018, eprori i Policisë së Shtetit në Ulqin z. Gjozgiq kumton revokimin e lejes për mbajtjen e liturgjisë dhe  kumtohen pasojat ligjore për mosrespektimin e revokimit të lejes.
  4. Në mëngjesin e datës 8 korrik, forcat e Policisë së Shtetit kanë marrë mbrojtjen e objektit duke spostuar mbajtjen e liturgjisë jashtë saj. Njëherit, nga Kryetari i Komunës është kërkuar tërheqja e Policisë Lokale nga vendgjarja. Në ndërkohë, Policia e Shtetit nuk ka lejuar vendasit që të kalojnë dhe t’i afrohen vendngjarjes. I u është lejuar kalimi kryetarit të Kuvendit të Komunës, shefit të Policisë Komunale z. Saubih Mehmeti,  policëve komunalë dhe disa gazetarëve të akredituar.
  5. Gjatë liturgjisë, së bashku me Policinë Komunale dhe eprorët e Policisë së Shtetit, Kryetari i Kuvendit disa herë ka vërtetuar që liturgjia po mbahet jashtë objektit. Gjatë kësaj kohe, ka pasur 2 tentime për hyrje të dhunshme brenda objektit dhe Policia e Shtetit i ka ndaluar me sukses.
  6. Pas përfundimit të liturgjisë, Polica Komunale, në prani të drejtorit të Muzeut të Ulqinit z. Gazmend Kovaçit, kryetarit të Bashkësisë Lokale Katërkollë Safet Taipit dhe në prani të kryetarit të Kuvendit të Komunës, kanë inspektuar përsëri edhe objektin edhe rrethinën dhe kanë konstatuar që nuk ka pasur ndërhyrje brenda objektit ose dëme të tjera materiale, përveç atyre punimeve përgatitore për liturgjinë dhe që janë bërë ditë më parë dhe që janë konstatuar më datën 6 korrik.

Në mbyllje, duhet të ceket që me 4 maj të vitit 2018, gjashtë bashkësitë lokale të Anës së Malit, i u janë drejtuar Kuvendit të Komunës me kërkesën që Kuvendi, duke vepruar sipas udhëzimeve të Planit Hapsinor dhe rekomandimeve profesionale, të përcaktojë dedikimin muzeal të tërë lokalitetit. Në mbledhjen me përfaqësuesit të Bashkësisë Lokale Katërkollë, Shoqatës “Ora”, Këshillit Kombëtar Shqiptar,  disa këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Ulqinit dhe kryetarit të Kuvendit të Komunës, të përshpejtohet nxjerrja e këtij vendimi ashtuqë të promovohet ky lokalitet muzeor për vlerat që ka dhe ndalet devastimi i lokalitetit së bashku me aktet e njëanshme si kjo e ditë së sotme.  Gjithashtu u ra dakort që rethanat dhe pasojat e ngjarjes së sotme të shqyrtohen në seancën e Kuvendit në ditët në vijim.

Kryetari,

Dr. Ilir ÇAPUNI