Viti 1982: Ja si u shikua kampionati botëror në këtë fshat shqiptar në Mal të Zi

Ilustrim

Tridhejtë e gjashtë vite më parë

Televizori i parë në Triesh të Poshtëm ishte në shtëpinë tonë

Nga Gjekë Gjonaj

Kampionati Botëror  në futboll   është ngjarja më e madhe  sportive në gjithë globin.   Atë e ndjekin  miliona tifozë nga të gjitha kontinentet.  Botërori i vitit 1982 për rininë e Trieshit të Poshtëm, dhe jo vetëm,  do të mbetet i paharruar përgjithmonë.  Sepse pikërisht atë vit autori i këtyre rreshtave, i cili asokohe drejtonte rininë e Trieshit, vendosi  që në shtëpinë e tij të lindjes në Rudinë të blejë televizorin e parë në këtë fshat. Këtë vendim e mori në prag të Botërorit 1982 , duke parë  edhe interesimin e madh të të rinjve të kësaj trevë   për këtë spektakël.  Meqë   atëherë   Trieshi i  Poshtëm (  fshatrat Rudinë, Nikmarash dhe Muzheçk),   ende ishte i paelektrifikuar ( pa drita) duhej blerë televizorin në bateri. Disa ditë para  Botërorit 1982  në Podgoricë, në të cilin për herë të parë morën pjesë  jo 16 , por 24 skuadra, të ndara në 6 grupe,  blemë një televizor të vogël bardhë e zi në bateri,  në  shitoren “EI” –  Nish, në Podgoricë. Ky njëherë ishte edhe televizori i parë në Triesh të Poshtëm.  E gjithë rinia,  të cilëve nuk po ua përmend emrin nga droja se mund të  harroj ndonjërin nga ata,  u gëzua, mbase  për herë të parë  na u ofrua mundësia të  kemi  edhe ne një televizor në shtëpinë tonë. Domethënë televizori i parë në këtë trevë arriti  vonë, gati një gjysmë shekulli pas transmetimit të parë televiziv. Megjithatë ardhja për herë e kësaj  kutie magjike në Rudinë do mbetet një ngjarje e shënuar  në historinë e të këtij vendi ( fshati),larg  vetëm 18 kilometra nga  kryeqyteti i Malit të Zi.

Si sot e kujtoj  hapjen e Botërorit 1982 në stadiumin Nou Kamp në Barcelonë  të Spanjës,   ku erdhën 95.ooo ( nëntëdhjetë e pesë mijë)  tifozë,  me dëshirën  që të njihen me cilësitë e mrekullueshme të  futbollistit të ri ,  por shumë të famshëm  të Argjentinës dhe të klubit katalonas “ Gauçoshi”  Diego Armando Maradonës.  Në këtë mbrëmje të  bukur e të freskët qershori, në oborrin e shtëpisë sime, nën qiellin e hapur, pasi shtëpia ishte e vogël për të na pranuar  të gjithëve brenda,  ishin tubuar krejt rinia e Trieshit të Poshtëm. Të lumtur e të buzëqeshur ishim  ulur pranë njëri-tjetrit,  para  këtij aparati të vogël televiziv, për të ndjekur emocionet që  na i solli ndeshja midis kombëtares së Argjentinës dhe Belgjikës, e cila përfundoi me fitoren minimale të Belgjikës 1:0. Të gjithë ne u ngashëryem atë mbrëmje duke parë në  shtëpinë tonë mrekullinë më të re të zbuluar në botë televizorin. Të gjithëve na lindi ndjenja e  fascinimit për këtë dritare magjike, njërën nga shpikjet më interesante të njerëzimit, të cilën në atë kohë e shikonim si një pajisje të jashtëzakonshme.   Me padurim e prisnim ndeshjen e radhës. Por për ta shikuar atë duhej patjetër të mbushnin baterinë e automjetit e cila zgjaste 3-4 orë.  Më pas duhej mbushur përsëri  baterinë, duke e vendosur atë në automjet  dhe duke kaluar dhjetëra kilometra.  Në këtë mënyrë,  me ato pak vetura që  kishin prindërit tanë, mbushnim   bateritë gjatë gjithë kohëzgjatjes së  kampionatit.  Edhe përkundër kësaj vështirësie ne nuk lamë asnjë ndeshje pa parë.

Rikujtoj se në natën e madhe spektakolare  finale u ballafaquan Italia dhe Brazili. “Kombëtarja e “axurrës”    fitoi 3:2. Zemrat e të gjithë brazilianëve i “ theu” Paolo Rosi, i cili shënoi  tri gola. Nga radhët e kombëtares së “ sambas” shënuan  Sokrates dhe Seleçao. Aspektet që e bëjnë këtë ndeshje të mbahet mend gjatë janë sulmi brazilian ( Falkao, Ziko, Eder, Sokrates etj.) dhe mbrojtja italiane ( Bergomi, Cabrini, Collovatio, Gentile etj), të cilat i përkisnin një niveli të lartë.

Specialistët e futbollit  e konsideruan  jo vetëm si takimin më të bukur në historinë e kampionateve botërorë, por e cilësuan si ndeshjen më emocionuese që është luajtur ndonjëherë. Nga ana tjetër rina e Trieshit të Poshtëm e konsideruam këtë kampionat dhe këtë takim si ndeshjen më të bukur të jetës tonë.