Prëtash Zeka – nderi i Malësisë së Madhe

Pretash-zeke-ulajGjekë Gjonaj

Thuhet se vendet e vogla nuk nxjerrin njerëz të mëdhenj dhe se  njerëzit e vendeve  të  vogla, sado të mëdha t’i kenë meritat rrallëherë vendosen në  krye të historisë. Por historia e popullit shqiptar krijoi dhe prodhoi  figura e personazhe   të atillë që i kapërcejnë  natyrshëm  dimensionet e vendeve të tyre. Ndër  personalitetet me peshë që prodhoi historia e Malësisë Prëtash Zeka Ulaj është një emër plotësisht i dallueshëm  midis të tjerëve.

Trim i edukuar në votrën shqiptare
Prëtash Zeka lindi në Kojë ( 1882-1962) në familje të ndershme  atdhetare tipike malësore, shqiptare. Ai  përshkruhet nga ata që e njohën si njeri  gjakftohtë dhe i matur edhe pse nuk i mungonte zemra dhe trimëria. U rrit pa kalëm, pa letër, pa banka shkollore  në votrën shqiptare të Zekë Nikut.  Mësues të parë pati prindërit Zekën  e Borën e pastaj burrat e vjetër të Kojës. Në vend të librit shfletoi enciklopedinë e gjallë popullore të fisit dhe u pajis me urtinë popullore të  pleqëve të Kanunit. Për nga formimi arsimor ishte analfabet, por këndimtar i shkatht i librit të jetës dhe i psikologjisë së kulluar të popullit të vet. Posedonte virtytet më fisnike të sojit shqiptar: burrërinë, besën, nderin, mikëpritjen,trimërinë, vetëmohimin, vetëdijen dhe forcën. Ai e dinte mentalitetin zakonor, sikurse dinte edhe me matë e me pre, siç e kërkonte nevoja e situata. Por çdo herë i drejtë dhe i mprehtë  në gjykime e vendime, në takime, në logje,në panagjyre   e në kuvende. Për dallim nga kojasit e tjerë ai trashëgonte titullin  fisnik-Bajraktar ( Flamurtar),të cilin e respektonin jo vetëm vendasit, por edhe  malësorët dhe të tjerët. Në familjen Ulaj kanë gjetur strehë, mikëpritje dhe bujari fisnike shqiptare shumë njerëz të shquar të Maslësisë, dhe jo vetëm.

Atdhetar i kulluar për liri e flamur
Prëtash Zeka ishte një nga ata atdhetar që punoi  për interesa të popullit shqiptar dhe të Malësisë. Ai me jetën e tij u bë shembull se si duhet të veprohet dhe të luftohet për të çliruar vendin nga Perandoria Osmane. Merrë pjesë me pushkë në dorë në Kryengritjen e Malësisë së Madhe në atë sfidë trojane, ku mbetën të vrarë shtatë shokët e  çetës së tij nga Koja : Dokë Prëçi,Gjeto Gjeka, Gjeto Toma, Kolë Doka, Tomë Uci, Kolë Uci dhe  Mark Luca pasi  hoqën  flamurin turk nga Deçiqi.  Ai bashkë me luftëtarët e tjerë të lirisë të Malësisë, të udhëhequr nga  heroi i popullit Dedë Gjon Luli i Traboinit  të Hotit, arritën të thyejnë rezistencën osmane dhe të ngrisin Flamurin Shqiptar në Bratilë të Deçiqit, më 6 prill 1911, pas  më shumë se katër shekujsh  okupim. Kjo ishte herë e parë që shqiptarët të ngrisin flamurin e tyre  nga rënia e Kalasë së Shkodërs më 1469, ndërsa një vit e gjysmë më vonë, me ndihmën e Perandorisë Austro-Hungareze, flamuri shqiptar u ngrit zyrtarisht në qytetin jugor të  Shqipërisë në Vlorë. Falë luftëtarëve  malësorë, përfshirë këtu edhe kojasit me prijësin e tyre Prëtash Zekën,   Kryengritja e Malësisë u shndërrua në një ngjarje të madhe, ku u mbollën rrënjët e lirisë.Pikërisht aty në Malësinë e Madhe filloi  zanafilla e kushtrimit kundër robërisë , që një vit më vonë çoi në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare nga plaku u urtë Ismail  Qemali.  Krijuesi popullor meritën e kojasve  në  Luftën e Deçiqit dhe momentin e sjelljes së flamurit  e përjetësoi në vargje:

Dal –kadal more Shkodër,
Jasma njofsh Kojn’ e Vogël.
Koja e Vogël ni pakic’.
Muor bajrakun ën Deçiq.
Kush a djal’ çi lyp’ belanë ?
Ky  Dok Prëçi then kalan,
Baj juriç e kcen pas gurit,
Qysh po lufton burri burrit!
Ën val’ t’ timit e ën flak’ t’barotit,
Ka pet ën turr si trimat motit.
Kush po lufton në ato gropa?
Marash Luca e Kol Doka,
Kuku briti zan’ e malit!
Petka Gjeto Toma, pika e djalit.
 Kush po lufton ën ato qeta?
Ky Tom Uci e Gjeto Gjeka.
Ku mas fortit u derll gjaku?
Petka trimi Ucit-Caku,
Tye u vra me turq ën Deçiq,
Shtatë sokola u ban viq.
Jari tjetrin ën turr e buor,
At’er Deçiqin Koja e muor.
Veprën patriotike të këtij luftëtari të patrembur e guximtar të Kojës  e ka fiksuar në vargje edhe Gjovalin Lumaj:

 
Përveç betejës së Deçiqit Prëtash Zeka  muar pjesë edhe në beteja  tjera së bashku me trimat e Kojës dhe Malësisë.Ishte njëri ndër komandantët e forcave vullnetare në kufi me Shqipërinë  gjatë viteve 1941-1944, në kohën kur komandant i kësaj lëvizje ka qenë bajraktari i Hotit Mul Delia dhe zëvendëskomandanti i Grudës Nikollë Zefi.
Në varr me petka kombëtare të malësorëve

Pretash-Zeka-Ulaj-Pretash-Uci-Lucaj

Pretash Zeka Ulaj dhe Pretash Uci Lucaj

Portretin e    Prëtash Zekës  e karakterizon   edhe vesha kombëtare e malësorëve. Sipas dëshmisë  së  kojasve të vjetër dhe të tjerëve   që e kanë njohur,  ai vazhdimisht vishej me  çakçirë të bardhë të thurur anash me spik të zi, këmishë të bardhë, xhamadan dhe  plis të bardhë në kokë. Në krahërorin e tij  të majtë mbante  sahatin  (orën) e xhepit dhe kutinë e badëmit.
Me veshën  kombëtare të malësorëve u varros  në moshën 80 vjeçare në varrezat familjare në  vendin e të parëve. Në ceremoninë mortore folën Malotë Gjeka Marashaj dhe Gjekë Soka Nucullaj, ndërsa e vajtuan 32 vajtorë.   Vajtori i parë ishte  Kolë Bardhi Kërcaj, kurse i fundit djali i tij Prëlë Kola Kërcaj. Përveç  tyre   vajtuan edhe  Tomë Bishi Ivezaj, Prëtash Uci Lucaj, Rrok Pjetri Camaj,  Nikë Gjeti Arapaj, Gjon Toma Gjonaj, Dodë Prëka Ivanaj,Mark Prëla Kolçaj, Mark Gjeti Gjokaj, Nikollë Prëka Dushaj e të tjerë.

Më 22 gusht 2004, dhjetë vjet  më parë,  në  Kojë të Malësisë së Madhe, familja Ulaj, shumica e të cilëve jetojnë në  Shtete të Bashkuara të Amerikës  përuruan  monumentin e Pretash Zekës. Kjo është një vepër e rëndësishme e skulpturës monumentale shqiptare  e punuar nga dora mjeshtërore e  skulptorit Pierin Kolnikaj nga Tirana,  nën kujdesin e piktorit akademik Gjelosh Gjokaj,  nga Gruda e Malësisë.  Monumenti i është kushtuar luftëtarit trim nga Koja , i cili u rreshtua në radhën e burrave   të Malësisë së Madhe për çlirimin e tokave shqiptare nga pushtuesi  turk, në Kryengritjen e Malësisë në vitin 1911.
Prëtash Zeka qëndron kokëlart, me duar në brez, ndërsa shikimin e tretë larg në paraftyrimin e historisë që do të rrjedhë më pas mbi kombin shqiptar. Familjarët me këtë përmendore nderuan veprën e Pretash Zekës.Ajo së pari  është dëshmia më e mirë se ky burrë fisnik kishte djem që nuk e kishin harruar, së dyti forcon  vetëdijen tonë  dhe së treti  ngrit vlerën e   një lufte të drejtë dhe çlirimtare.
Qindra pjesëmarrës  nga  krahina  të ndryshme shqiptare dhe diaspora u përulën atë ditë me nderim  të thellë para lapidarit të këtij kalorësi të vlerave njerëzore,i cili  bashkë me luftëtarët e tjerë malësorë u vërsul si luan mbi ushtrinë otomane dhe e thyen atë me sakrificën e tyre. Unë, derisa qëndroja para shtatores  së tij e cila atë ditë të bukur gushti  me vapë shkëlqente si rrezet e diellit në qiellin e kaltër,mendoja se  pa guximin  e  tij  dhe luftëtarëve të  tjerë  malësorë e shqiptarë ndoshta  do të kishte qenë ndryshe  ecuria dhe zhvillimet e Malësisë. Sespe  ata përfaqësojnë  guximin  dhe trimërinë e një kombi të shtypur deri në palcë.

Ideali i tij frymëzim për brezat e  rinj
Prëtash Zeka kishte dashuri të madhe për  njerëzit, kombin dhe flamurin kuq e zi. Familja e tij, Ulajt në shtëpinë e tyre në  Kojë shumë vite e kanë  ruajtur me shumnë dashuri e përkushtim të madh flamurin tonë kombëtar,të cilin tashnë ia kanë dhuruar Muzeut  privat etnografik  të Malësisë.   Ky bajraktar i fisit Ulaj e luftëtar  nuk kishte ideal rehatinë  as lavdinë personale,  por lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptar.  Familjarët dhe malësorët janë krenar dhe mburren me përcaktimin fisnik dhe veprimin njerëzor e kombëtar të birit të tyre, i cili s’ishte nënshtruar turkut dhe i cili ishte  i gatshëm  deri në vetëflijim të mbronte lirinë e fituar me gjak. Si i tillë me mënyrën shqiptare ishte dhe mbeti frymëzim për të gjithë brezat, të cilët përherë do ta kujtojnë dhe kurrë s’do ta harrojnë.