Haxhaj për librin e Dragës: “Një manual për etnogjeografinë shqiptare në Mal të Zi”

(Nail Draga, Etnia dhe hapësira, botoi “Art Club”, Ulqin, 2017)

Nga Ardian Haxhaj

Në të shumtën e rasteve deri më tani, studimet për çështjen e hapësirave etnogjeografike shqiptare, që kanë mbetur jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë dhe të Kosovës, janë bërë përciptazi, shpeshherë me nguti e me eufori në kuptimin e diskursit të të dhënave e argumenteve. Megjithatë, në mesin e atyre librave të paktë që mund të quhen si “Hyrje në…”, apo si “Manual…” për një çështje të caktuar shkencore, pa dyshim se është libri me studime Etnia dhe hapësira i autorit Nail Draga. Njëmbëdhjetë studimet e këtij libri paraqesin një përpjekje serioze shkencore të trajtimit në plotni të kësaj çështjeje në shkencën shqiptare. Interesimet shkencore të Dragës nuk janë vetëm subspecialistike në trajtimin e vetëm një mikro-çështjeje, por i qaset në disa dimensione. Trevat shqiptare që sot janë brenda Malit të Zi e kanë një histori të vetën, për të cilat Draga i shqyrton një mori të dhënash historike nga autorë të huaj e vendës, kronikanë të kohës e dokumente gazetash, që i kanë trajtuar vitet tragjike të atij rajoni shqiptar, sidomos pas Krizës Lindore e këndej, ku në Kongresin e Berlinit në vitin 1878 Fuqitë e Mëdha e dizajnojnë kufirin e shtetit malazias në kurriz të tokave shqiptare. Studiuesi Nail Draga i paraqet dokumentet konkrete të zhvillimeve të atyre viteve tragjike, duke i përmbledhur edhe të dhënat statistikore të lëvizjes së popullsisë shqiptare, respektivisht të migrimit të dhunshëm dhe largimit nga trojet e veta. I pajisur me referenca autentike të kohës, studiuesi Draga i paraqet statistikat demografike të popullsisë së rajoneve shqiptare të Tivarit, Podgoricës, Malësisë e Ulqinit me rrethinë, në të cilat dominon popullsia shqiptare në atë kohë.

Çështjet demografike janë substanciale për gjeopolitikën dhe këtë fakt studiuesi Draga e sforcon në çdo dimension të argumenteve. Ai merret edhe me analizat e oscilimeve në numra të demografisë në shtetin e Malit të Zi, duke i analizuar shkaqet dhe pasojat e këtyre lëvizjeve, sidomos kur ka të bëjë me demografinë shqiptare. Duke e përcjellë kronologjinë e zhvillimeve historike, politike e shoqërore të shqiptarëve të mbetur brenda shtetit të Malit të Zi, studiuesi Draga e paraqet hartën demografike të trevave shqiptare që nga viti 1866 e deri në ditët tona. Metodat e hulumtimit që i zgjedh Nail Draga gjithnjë qëllojnë në shenj kur i argumenton me të dhëna të autorëve të kohës, sidomos të huaj, madje me harta të kohës, po ashtu të hartuara e të botuara nga autorë të huaj. Në librin me studime Etnia dhe hapësira autori nuk komenton si subjekt, por i ballafaqon argumentet.

Përveç tjerash, në të njëmbëdhjetë studimet e përfshira në këtë libër studiuesi Draga angazhohet në hulumtimin shkencor për gjetjen e levave zhvillimorë bashkëkohorë të kësaj treve në ditët e sotme. Ai vlerëson se trevat shqiptare në Mal të Zi kanë potencial të rëndësishëm jo vetëm historik, por kanë potencial të rëndësishëm edhe ekonomik e kulturor. Duke i analizuar me korrektësi shkencore të gjithë përbërësit gjeografikë, historikë e ekonomikë të kësaj treve, Draga potencon se rruga e integrimit të kufijve ndërfqinjësorë, që në këtë rast janë kufij në mes të trevave shqiptare, paraqet një rëndësi jetike si për zhvillimin ekonomik, por edhe për zhvillimet e gjithëmbarshme demokratike në rajon.

Nuk ndodh shpesh që brenda një teksti me studime të gjinden të gjitha informatat e rrumbullakuara për një çështje studimore sa në librin Etnia dhe hapësira të autorit Nail Draga. Libri studimor Etnia dhe hapësira mbetet një prej librave më referencial për shkencat që merren me etnogjeografinë shqiptare në Mal të Zi.