PËRKEQËSOHEN MARRËDHËNIET AMERIKANO-TURKE

A U.S. Air Force F-35A Lightning II aircraft. (U.S. AIR FORCE PHOTO/ALEX R. LOYD)

 Nga Frank Shkreli

Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi këtë javë një projektligj që autorizon shpenzimet ushtarake për Pentagonin, një projektligj i cili njëkohësisht do të blokonte shitjen e aeroplanëve luftarakë amerikan të tipit F-35, Turqisë nëqoftse Ankaraja nuk heq dorë nga blerja e raketave ruse të tipit S-400.   Miratimi i kësaj mase legjislative, i cili është pjesë e Aktit për Mbrojtjen Kombëtare që autorizon shpenzimin e 700-miliardë dollarëve për armët dhe programet ushtarake amerikane, është aprovuar me 85 vota në favor dhe 10 kundër nga Senati amerikan.  Dhoma e Përfaqsuesve e Kongresit amerikan, miratoi versionin e saj të këtij projektligji i cili u kritikua ashpër nga Ankaraja zyrtare.  Kryeministri turk, Z. Yildirim e cilësoi miratimin e legjislacionit nga Kongresi amerikan si, “Një zhvillim fatkeq” dhe shtoi se “Turqia nuk është pa alternativa të tjera”.

Kongresi tani duhet të zgjidhë ndryshimet midis dy versioneve të këtij projektligji për shpenzimet ushtarake duke arritur një kompromis midis tyre dhe t’ia dërgoj Presidentit Trump për nënshkrimin ose veton e tij.

Në të dy Dhomat e Kongresit amerikan dhe në radhët e përfaqsuesve të dy partive kryesore – demokratë dhe republikanë – ekziston një mbështetje e fortë që të bllokohet shitja e aeroplanëve tepër modernë, Turqisë – një vend anëtar i aleancës NATO, por marrëdhëniet e të cilit po acarohen gjithnjë e më shumë me Shtetet e Bashkuara.

 

Një javë para miratimit të projektligjit për të bllokuar shitjen e aeroplanëve luftarakë amerikanë Turqisë, një grup prej 44 anëtarësh të Kongresit amerikan i dërguan një letër Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Z. James Mattis që të bllokonte shitjen dhe dërgimin e këtyre aeroplanëve Ankarasë, për arsye të masave armiqësore ushtarake të saj në Siri, kërcënimit të Turqisë për t’i dhënë Rusisë — një fuqie armiqësore ndaj interesave të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara — sekretet ushtarake të NATO-s, dhe për të blerë nga Moska një sistem raketor rus, si dhe për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe për sulmet e Ankarasë zyrtare kundër institucioneve demokratike të vendit”.

 

“Në kundërshtim me obligimet dhe me pritshmëritë e saj si anëtare e NATO-s, të cilat duhej të zbatoheshin nga një aleat i përgjegjëshëm”, në vend të kësaj,Turqia — theksojnë kongresmenët në letrën e tyre drejtuar shefit të Pentagonit – “Po vepron aktivishit për të minuar interesat e Shteteve të Bashkuara anë e mbanë botës.”   Ligjëvensit amerikanë theksojnë më tej në letrën e tyre, se “Veprimet e vazhdueshme ushtarake të Turqisë kundër interesave amerikane, degradimi i pamëshirë i të drejtave të njeriut dhe demokracisë nën regjimin e Presidentit Erdogan në vend, si dhe qëllimet e qarta të tij për të ndërtuar një partneritet strategjik me Rusinë, kanë dëmtuar rëndë marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë”, theksohet në letrën e kongresmenëve amerikanë. Me gjithë paralajmërimet nga Washingtoni, kongresmenët thonë se Turqia nënshkroi marrëveshjen me Moskën për blerjen e sistemit rus të raketave.   Si rrjedhim, ligjvënsit amerikanë të dy partive politike – demokratë dhe republikanë –përfundojnë letrën e tyre dërguar Sekretarit amerikan të mbrojtjes, Z. James Mattis, se “Ne duhet ta mbajmë Turqinë përgjegjëse për sjelljet që kërcënojnë interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, sjelljet që minojnë interesat e partnerëve dhe aleatëve tanë dhe të cilat janë simbol i sulmeve të gjithanëshme ndaj vlerave themelore demokratike. Për këto arsye”, përfundojnë kongresistët amerikanë letrën e tyre të dates 14 qershor, dërguar shefit të Pentagonit, “Ju bëjmë thirrje që të merrni të gjitha masat e nevojshme për të bllokuar shitjen dhe dërgimin e aeroplanëve amerikanë të tipit F-35, Turqisë.”

 

Letra e plotë e kongresistëve amerikanë në anglisht:

https://sarbanes.house.gov/sites/sarbanes.house.gov/files/Turkey_F35

Duket se sa më të ngushta të bëhen marrëdhëniet midis Presidentëve Vladimir Putin dhe Recep Erdogan, aq më shumë keqësohen marrëdhëniet e Rusisë dhe të Turqisë me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara.  Ankaraja akuzon Bashkimin Evropian se ndër të tjera, mbështet kryengritësit kurdë, ndërsda Shtetet e Bashkuara i akuzon se strehojnë klerikun Fethullah Gulen dhe se përkrahin kurdër sirianë, të cilët Turqia i konsideron si terroristë.   Aykan Erdemir, një ish anëtar i Parlamentit turk dhe tani një eskpert pranë Fondacionit në Mbrojtje të Demokracive është shprehur në një prej medieve të Lindjes së Mesme se bllokimi i shitjes së aeroplanëve amerikanë Turqisë, tregon se sa poshtë kanë rënë marrëdhëniet midis Shteteteve të Bashkuara dhe Turqisë.  Për këtë gjëndje të krujuar në marrëdhëniet dy-palëshe, eksperti turk fajësoi zyrtarët turqë dhe medien pro-qeveritare, se po inkurajonë anti-amerikanizmin me deklaratat e tyre kërcnuese siç është kërcënimi se Turqia do të sulmojë forcat amerikane në Siri”, u shpreh ai.

 

Sidomos gjatë luftës së ftohtë, Shtetet e Bashkuara e konsideronin Turqinë si një prej aleatëve më të ngushtë të Washingtonit – ushtarëve turq u kishte dalë nami për heroizmin e tyre gjatë luftës së Koresë kundër forcave komuniste në fillim të 1950-ave — por gjatë 10-viteve të fundit, kjo aleancë që dikur ishte shumë e fortë midis këtyre dy vendeve, sidomos në fushën ushtarake, ka ardhur duke u keqësuar si rrjedhim i shkeljes së vlerave dhe normave demokratike nga Presidenti turk, Recep Erdogan.   Fatkeqësisht, rezultat i këtij keqësimi në marrëdhëniet midis Washingtonit dhe Ankarasë është edhe bllokimi nga ana e Kongresit amerikan të shitjes së aeroplanëve modernë luftarakë amerikan, Turqisë.

 

 

 

 

Ndërkaq, Rusia dhe Turqia kanë lënë mënjanë rivalitetet e tyre historike si dhe ndryshimet midis tyre që mund të kenë lidhje me çështjet rajonale, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor, ku duket se për qëllime të përbashkëta, kanë gjetur një “modus vivendi” midis tyre, në përpjekje për të minimizuar influencën amerikane dhe të BE-ës në rajonin e vendeve ballkanike në interesin e tyre dhe të aleatës së tyre Serbisë, duke lidhur marrëdhënie të forta ekonomike dhe një partneritet strategjik afat-gjatë midis Putinit dhe Erdoganit, ndërsa të pakën në sipërfaqe, marrëdhëniet midis dy vendeve sa vinë e keqësohen.

 

Besoj se Shtetet e Bashkuara dhe Turqia, heret ose vonë, me Erdoganin si udhëheqës i Turqisë ose me ndonjë tjetër — në interesin e tyre të përbashkët strategjik dhe ushtarak – dy vendet do i rregullojnë marrëdhëniet midis tyre, por shpresoj dhe lutem që në këtë ndërkohë, marrëdhëniet e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara mos të pësojnë ndonjë dëm afatgjatë, si rezultat i deklaratave të vazhdueshme dhe entuziaste të zyrtarëve më të lartë shqiptarë, “admirues” të Presidentit Erdogan dhe mbështetës të politikave të tija të mbrendshme dhe të jashtme, në kundërshtim me qëndrimet e aleatës strategjike, mbështetses historike të interesave të kombit shqiptar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.   Mos të na marrë edhe ne me vete Erdogani në klubin e tij me Putinin!