Dimensioni atdhetar e njerëzor i Kolë Prëkë Gojçaj

Kolë Prëkë Gojçaj

 

 

Nga Gjekë Gjonaj

 

Në kërkim të  njerëzve të shquar  nga Malësia që kanë bërë emër   dhe janë gdhendur në kujtesën e komunitetit  si veprimtarë  të shquar të çështjes kombëtare  më 12 qershor  2018 u njoha për herë të parë me mërgimtarin shumëvjeçar në  Shtete të Bashkuara të Amerikës ( Detroit)  Kolë Prëkë Gojçaj , në shtëpinë e tij të lindjes në Helmicë të Hotit. Për këtë burrë të Malësisë dhe atdhetar të denjë më tregoi një mik yni i përbashkët  po ashtu nga Amerika. Falë nismës së  tij m’u dha rasti  e mundësia  të bashkëbisedoj shkurt me Kolën   për rrugëtimin e tij   të jetës  dhe për aktivitetet e tij të shumta larg vendlindjes në shërbim të çështjes kombëtare, veçmas në përpjekjet   serioze  të tij dhe të mërgimtarëve të tjerë shqiptarë në  diasporë  për lirinë,  shtetësinë e mëvetësinë e Kosovës.

Ai, u lind e u rrit në një familje me tradita të ngjizura patriotike, e me ndjenja të theksuara kombëtare.  Pas gjysmë dekade jetë në  mërgim (Itali e Amerikë),  para pesë vitesh vullnetarisht  është kthyer në shtëpinë e të parëve, e cila siç thotë ai, pesë herë është djegur  e bërë shkrum  e hi   me topa gjatë sundimit  turk bashkë me shtëpinë e heroit tonë kombëtar Dedë Gjo’Lulit. Kola, para 22 vitesh, kur ndodhej për vizitë prindërve të tij, ndër të tjera,  u kishte thënë vëllezërve: “ Deri sa të des  vetë  jekto dy dyer nuk myllen. Por, edhe i tjetër dua me jua tha. Derisa te jetë vëllau ma i vogli Luca,  haram u kjoftë rrita e babës dhe gjini  i nanës ni kjoftë se dryhet jekjo derë. Sepse, ajo  ka histori. Asht e lame disa herë me gjak.”

Dashuria që ka treguar Kolë Gojçaj për vendlindjen më përngjanë në  dashurinë që ka pasur Odiseu  ndaj Itakës të cilën asnjëherë nuk e harroi.   Kola pasi i vdiqën prindërit  dhe shtëpia mbeti pa banorë  nuk e harroi fjalën e dhënë.” Unë kam vendosë  me u kthye përgjithmonë  në Malësi” – i tha  familjes.  Burri  i Malësisë foli prerë si dikur. E mbajti fjalën. Tregoi karakterin e fortë. Nuk pranoi të gënjejë.  Vullnetarisht u nda nga familja. U rikthye  aty prej nga ishte larguar. Por tashmë në moshë të thyer. Erdhi me  dëshirën e madhe   për të vazhduar  traditën e ngjizur të të parëve, ku     javën e kaluar kremtoi  82 vjetorin e lindjes. As vetmia, as mosha  nuk ia  kanë zbehur kënaqësinë e tij. Përkundrazi ndjehet shumë i kënaqur e i përmbushur   në vendlindje. për vendimin e pazakontë e të rrallë që ka ndërmarrë, ndonëse natyrshëm  ndjen mungesën e  familjarëve të shumtë në Amerike.

Ky malësor i  ndershëm  e fisnik  i familjes  së afërt   të  Kolë Marash  Vatës, i cili u vra në Kryengritjen e Malësisë në vitin 1911 dhe i Tomë Nikës , i cili , siç e e vlerësuan  britmëtarët (vajtorët) në ditën e vdekjes kishte qenë  krahu i djathtë i Dedç Gjo’ Lulit,   i kujton me nostalgji të gjithë njerëzit me të cilët është rritur.   Të  gjitha ngjarjet që i ka dëgjuar nga burrat e urtë të Hotit e të Malësisë. Të  gjitha vështirësitë,. Të gjitha vuajtjet  që i ka përjetuar populli i tij gjatë kohës së shkuar.   I mbrujtur nga prindërit me ndjenja të thella atdhetare  gjithmonë vuante dhe vuan shpirtërisht copëtimin e Shqipërisë. Fliste dhe flet vazhdimisht  për padrejtësitë që i kishin bërë shtetit tonë amë  fuqitë e mëdha në vitin 1913.  Ka dënuar me gjithë forcën e tij regjimin  komunist në ish- Jugosllavi dhe atë të   Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. U bë pjesë e të gjitha aktiviteteve të diasporës shqiptare në Amerikë  për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, për lirinë dhe pavarësinë e saj. E ndihmoi haptas  në mënyra të ndryshme, qofshin ato financiare apo luftarake, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila më vonë e nderoi atë  me  titullin   veteran i saj.  Për  kontributin e tij të madh për Kosovën gëzon   respektin, mirënjohjen dhe autoritetin e  përfaqësuesve më të lartë të  shtetit të dytë shqiptar në Ballkanin Perëndimor.

Po aq   i  madh sa  veprimtaria patriotike  është edhe dimensioni njerëzor i Kolë Gojçaj. Qysh në paraqitje të parë  rrezatonte mençuri, mirësi e dashuri njerëzore. Madhështia e trupit shoqërohej me madhështinë e shpirtit. I thjeshtë. Komunikues. I papërtuar për çdo kërkesë të  afërmeve, të shokëve, të miqve. I gjendur pranë nevojave dhe halleve të shqiptarëve. Kudo që e përplasën  valët e jetës, nuk u ankua. Nuk u përkul.  E as u ligështua. Edhe kur përjetoi vdekjen tragjike të vëllait dhe djalit. Edhe kur për veprimtari kombëtare për 16 vjet nuk iu lejua të vizitojë prindërit. Edhe kur e mbijetoi burgun në Mal të Zi. Thënë me pak fjalë. Ishte dhe mbeti   një njeri  në kuptimin e plotë të fjalës  me virtyte të larta njerëzore,  të cilat  duhet të jenë  shembull për brezat e ardhshëm shqiptarë.