KKSh, PD LD në MZ dhe LQSHI urojnë për pavarësinë e Kosovës

Kosova-feston-pavaresineKëshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi kanë dërguar urim për përvjetorin e 7-të të pavarësisë së Kosovës.

Urimi i KKSh-së

Urime Ditën e Pavarësisë
E nderuara Presidente Jahjaga,
I nderuar Kryeministër Mustafa,
Në emër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe në emrin tim personal, pranoni urimet ma të sinqerta me rastin e 7 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Kjo datë është e shënuar dhe e veçantë për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, sepse shënoi një fillim të ri për popullin e Kosovës, pas një mundi dhe sakrifice të cilën e dhanë për vendin e vet, por të cilin e mirëpritëm edhe ne si shqiptarë.
Ne shqiptarët në Malin e Zi, vlerësojmë lart angazhimin Tuaj në zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet sot shteti i ri i Kosovës, si dhe kontributin për forcimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, në të mirë edhe të shqiptarëve në Malin e Zi.
Çdo arritje e shtetit të Kosovës, është sukses për të gjithë Shqiptarët kudo që ndodhen, duke përfshi edhe shqiptarët në Malin e Zi.
Urime !
Me respekt,
Genci Nimanbegu
Kryetar i Këshillit Kombëtarë të Shqiptarëve në Mal të Zi

Urimi i PD-së

Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Kadri Veselit

    Data 17 Shkurt e vitit 2008 është ndër datat më të rëndësishme jo vetëm për Kosovën, por për shqiptarët e të gjitha viseve. Pra, kjo datë është e rëndësishme edhe për shqiptarët në Mal të Zi. Kjo datë kurorëzoj me Pavarësi angazhimin dhe sakrificat shekullore të shqiptarëve të Kosovës. Për këto 7 vite, është dëshmuar se Kosova është faktor i stabilitetit në rajon, është dëshmuar se Kosova ka një të ardhme të ndritur, është dëshmuar se Kosova ka potencial politik, njerëzor e kulturor për të zhvilluar vendin dhe për ta integruar atë në familjen e madhe Europiane, është dëshmuar se ka miq në të gjithë globin dhe se di t’i respektojë miqtë. Po, është dëshmuar se Kosova do dhe di të bëjë shtet.
    Në emrin tim dhe në emrin e të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike, ju uroj Juve dhe të gjithë popullit të Kosovës Shtatë vjetorin e pavarësisë.
    
     Partia Demokratike
Kryetari FATMIR GJEKA

 

MEHMET BARDHI URON UDHËHEQËSINË E KOSOVËS

 

Me rastin  e 7-Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Mehmet Bardhi, kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi u dërgoi telegrame urimi udhëheqjes më të lartë të Kosovës: Presidentes, zonjës Atifete Jahjaga, kryetarit të Qeverisë, zotëri dr.Isa Mustafa dhe kryetarit të Kuvendit, zotëri  Kadri Veseli

Në  urim, në mes të tjerave thuhet:

„Kam kënaqësi dhe respekt që në emër të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, të partisë së parë të shqiptarëve, sot në Malin e Zi, t’ju uroj 7-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Është Pavarësia, liria e demokracia për të cilat punoi, u angazhua dhe udhëhoqi me largpamësi e pa asnjë shmangie arhitekti i pavarësisë, kryetari historik dr. Ibrahim Rugova, për çka nuk do të harrohet kurrë.
Ishte komandant Adem Jashari i cili bëri kthesën e madhe të luftës së armatosur  UÇK-së për liri, kundër zaptuesit barbar serbo-sllav, që sakrifikoi jetën e tij dhe  krejt familjen për të mbetë pishtar e legjendë e gjallë deri në pavdekësi.
E nderuara zonja Kryetare e Kosovës / I nderuari zotëri Kryeministër, me këtë rast ju lus që urimet tona, urimet tona të  sinqerta e më të ngrohta, urimet e të gjithë anëtarëve të LD në MZ-së, po edhe të gjithë shqiptarëve që jetojnë në trojet e veta stërgjyshore, sot në Malin e Zi, t’iu përcillni Qeverisë së Kosovës, kuvendarëve, anëtarëve të   familjeve të dëshmorëve të UÇK-së dhe mbarë popullit të Kosovës.
Lufta shekullore për liri, çlirim e  pavarësi  u bë me shumë punë, mund, angazhime, përkushtime e shumë  sakrifica. U deshtën të përballohen shumë vuajtje, persekutime, burgosje e vrasje të atdhetarëve, të lutëtarëve të lirisë. Krahas këtyre, përkrahja e  pakursyer sidomos e SHBA-ve po edhe  e shteteve të EU-së bënë që politika liridashëse të ngadhnjejë. Shiptarët, jo vetëm të Kosovës po nga të gjitha trojet, u angazhuan pa u kursyer po edhe me aq forcë e afsh u gëzuan dhe festuan për çlirim e pavarësi.
Dita e 17- Shkurtit 2008 është e paharrueshme. Lum kush ishte prezentë në Dasmën e Madhe. Lum kush ishte bashkohanik i Saj.
Zonja Kryetare / Zotërinj  kryetarë, sivjet këtë përvjetor po e rëndon shumë ekzodusi i dhjetëra mija shqiptarëve drejt shtetëve perëndimore. Është një formë e re e ikjes, e lënies së atdheut, që nuk e pamë më parë, por pasojat janë apo mund të jenë, po ato të cilat kishin eksoduset në të kaluaren historike, të afërt e pak më të largët, por ndoshta edhe më të rënda. Prandaj klasa politike e Kosovës duhet, të shikojë së pari vehtën e pastaj popullin, ta analizojë këtë disharmoni që të urtin nuk e lë indiferent, përkundrazi ajo është alarm, kërkon që klasa politike të reflektojë, të kthejë besimin e të gjejë zgjidhje.
   
Paçi shëndet dhe suksese.
Urime!
Ulqin,Tivar,Tuz , Plavë e Guci dhe Rozhajë, më   17. 02. 2015

MEHMET BARDHI, prof. Kryetar i LD në MZ

 

LQSHI: Dr. Jakupi uron 7 vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Kryetari i Lëvizjes qendrore shqiptare për integrime (LQSHI) dr Isat Jakupi, ka drejtuar telegram urimi për pavarësinë e Kosovës, tek presidentja Atifete Jahjaga ashtu edhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.

Urimi i plotë:

Kam nderin që në emrin tim personal dhe në emër të Lëvizjes qendrore shqiptare për integrime (LQSHI), t’ua uroj shtatë vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Pavarësia e Kosovës paraqet një ngjarje të rëndësishme historike për mbarë kombin shqiptar dhe njëkohësisht edhe realizimin e ëndrrës shumë shekullore, jo vetëm të kosovarëve por të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Sot, Kosova e lirë dhe e pavarur, rrezaton paqe, siguri dhe stabilitet, jo vetëm brenda vendit, por edhe në rajon e më gjerë.

Uroj që angazhimet e institucioneve të Kosovës të jenë në funksion të rrumbullakimit të aspiratave gjithë popullore për Kosovën si pjesë e strukturave euro-atlantike dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Të nderuar,

Me rastin e festës së shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës, festës së madhe për të gjithë shqipëtarët kudo që ndodhen, duke përfshi edhe shqiptarët në Malin e Zi, pranoni urimet më të përzemërta, ju personalisht dhe i gjithë populli i Kosovës.

Në emrin tim personal dhe në emër të Lëvizjes qendrore shqiptare për integrim ju përgëzoj për këtë festë të madhe të shtetit të Kosovës.

Urime shtatë vjetori i Pavarësisë!

Me respekt,

Dr. Isat Jakupi – Kryetari i Lëvizjes qendrore shqiptare për integrime (LQSHI)