Një të shtunë në fshatin Delaj 

Foto: A. Pllumaj, fb

Reportazh nga mali i Trieshit

Nga Gjekë Gjonaj

 

Mëngjesin e të shtunës, më 2 qershor 2018 , i shoqëruar nga djali im Rajmondi , u nisëm nga Ulqini për në vizitë vendlindjes sime. Pas  dy orë vozitjeje  mbërijtëm  në Qafë të  Rozdecit. Aty u ndalëm për pak çaste për të përjetuar  një pamje krejtësisht ndryshe.  Para vetes kemi një vendbanim të lashtë shqiptar të rrethuar  nga bukuritë e natyrës , i cili ka një emër, mali i Trieshit.  Një krahinë 20 kilometra larg Podgoricës, ku  historia flet shqip,  ku e kaluara e bujshme historike ka lënë gjurmë.  Edhe sot kjo trevë banohet qind për qind nga popullsi shqiptare të besimit katolik duke ruajtur dhe trashëguar kulturën dhe traditën e bukur shqipe.  E pavarësisht sulmeve të ndryshme  trieshjanët kanë treguar gjithmonë rezistencë. Kanë treguar që së bashku  mund t’ia dalin mbanë, vetëm të bashkuar! Ajo që sulmuesit nuk arritën  asnjëherë të merrnin ishte identiteti i shqiptarëve trieshjanë.

 

Teksa vazhdojmë  udhëtimin rrugës së re  gjarpërore të asfasltuar vitin e kaluar në gjatësi prerj 12 kilometrash  nga donacionet  në shumë prej afro 700.000 dollarësh të trieshjanëve në Amerikë të bashkuar në Fondin Humanitar “ Trieshi,   nëpër Rudinë, Nikmarash, Budzë, e Stjepoh,  për tek  Delajt , joshim  edhe bukuritë që natyra i ka falur këtyre fshatrave.  Sigurisht se secili fshat ( katund)  përreth ka historinë e tyre. Të gjitha mbartin vlera të rëndësishme, por ajo që ofron kjo trevë    nuk është thjesht një peizazh natyror. Trieshi në përgjithëse e Delajt në veçanti  janë  vende ku relaksi dhe qetësia kanë ngritur tendën. Vendi ku ajri i pastër këndon rapsodi dhe ku vetë natyra e çiltër e jo narciste të fton në zemër të saj. Ajo ç’ka të bën përshtypje në momentin e parë që futesh në këtë  krahinë  është fakti që ke ndijesinë  se je aty ku duhet të jesh.

Në momentin kur mbërrijtëm në qendër të Delajve gjetëm Nikollë, Kolë, Gjokë, Martin e Kristian Lucaj duke punuar trotuarin e gjatë 150 dhe të gjerë 2 metra. Secili prej  tyre është i kënaqur për punën dhe kontributin  që jep. Derrisa i  vërej   ata duke punuar  kam  bindjen se këta punëtorë veç e veç   po bëjnë një punë të vogël e bashkërisht  diçka të madhe për të mirën e përgjithsshme.

Sapo u ndava  nga këta banorë të fshatit  takuam kolegun tim gazetar   Pjetër Zefin  Lucaj, i cili atë ditë bashkë me bashkëshorten  e tij Dijellën kishte dalë nga Tuzi për të vizituar vendlindjen dhe për t’iu bashkangjitur bashkëvendasve të vet  në këtë aktivitet punues.   I pyetur se cilat janë investimet kryesore në këtë fshat ai me krenari përgjigjet:

“Mërgimtarët e këtij fshati  Marash Lucaj ( Nju-Jork) , Rrok Zefi Lucaj e Mark Nikollë Lucaj ( Detroit-Michigen)  në themelet e shtëpive të familjarëve të tyre kanë rindërtuar shtëpitë e tyre, të cilat me  të drejtë mbajnë epitetin bukuroshet e fshatit. Me  donacionet e mërgimtarëve trieshjanë në qendër të  Delajve  është ndërtuar Kryqi  në gjatësi mbi 16 metra, ndërsa trolli  është dhuratë e Mark Pjetrit Lucaj.  Rrethimi dhe punimet tjera janë investim  i mërgimtarëve të Delajve. Aty qëndron edhe Truporja e Jezu Krishtit , të cilën mërgimtarti  Rrok Zefi Lucaj e ka blerë në Itali”,  thotë  Lucaj

Se vërtetë për banorët e këtij  fshati  vendlindja është përkrenarja që kudo shkojnë e mbajnë të kyçur krenarisht në dhomëzat e kujtimeve të tyre  dëshmojnë pikërisht  investimet e viteve të fundit  në përmirësimin e infrastrukutrës. 

Me punë, thonë ata, arrihet çdo gjë.  E banorët e Delajve   dallohen si punëtorë të mëdhenj. Edhe sot njihen si muratorët më të mirë në Triesh. Kur vëren atë mund dhe estetikë të bërë me gurë nga dora mjeshtërore e banorëve të këtushëm , kupton se këtu jetuan njerëzit punëshumë.

Një pjesë e baorëve të Delajve  kanë emigruar në vende të ndryshme të botës, pjesa më e madhe në SHBA, por vendlindjen kurrë nuk e kanë harruar. Ata kthehen gjithmonë për ta vizituar dhe për t’i shtuar edhe më shumë buzëqeshjen. Njëri nga ata është edhe aktivisti  i njohur dhe intelektuali Marash Lucaj,   një banor i fshatit Delaj  i cili aktualisht jeton prej vitesh në Nju York dhe e drejton mke sukses fondacionin e përmendur më lartë.  Ai pasi na ftoi  dhe na mirëpriti në shtëpinë e tij  të rregulluar për bukuri  shprehet:  “Edhe pse larg vendlindjes prej vitesh askush nga ne nuk e ka harruar atë. Çdokush prej nesh vendlindjen e kemi në zemër. E ndihmojmë atë për t’ia rikthyer buzëqeshjen e dikurshme, kur  fshati  gjallëronte, për dallim  prej sot kur ndodhet më i vetmuar  në mungesë të banorëve.” 

Kjo vizitë dyorëshe  në këtë vend na e bëri guidën tonë të paharrueshme për nga vlerat  e saj natyrore që disponon me anë të monumenteve të shumta që natyra ia ka falur. Investimet e kohëve të fundit në këtë fshat, por edhe në  fshatrat e  tjera të Trieshit, , janë një  hap dhe lajm   i mirë se në Triesh  dalëngadalë  po kthehet jeta.