Ora News: Në zonën Sukubinë – Shtegvashë pritet të ngrihet gardh me gjemba për të ndaluar kalimin e kufirit (video)

Televizioni shqiptar Ora News ka realizuar një kroinikë televizive në Muriqan të Anës së Malit nga e cila mësohet për mundësinë e ngritjes së një gardhi me gjemba në këtë zonë kufitare nga ana e shtetit të Malit të Zi që në këtë anë i takon fshatrave kufitare Sukubinë dhe Shtegvashë.

Nuk dihet nëse një gjë e tillë mund të jetë përgjatë tërë kufiirit Mali i Zi – Shqipëri apo vetëm në zonën e potencuar nga kronika e këtij televizioni. Kjo masë mund të merret për të  ndaluar trafikimin e emigrantëve drejt BE.

Më poshtë mund të lexoni të plotë artikullin dhe video reportazhin.

550 klandestinë janë ndaluar nga autoritetet shqiptare në tentativë për të kaluar ilegalisht drejt Malit të Zi si pjesë e rrugës së re ballkanike të trafikimit të emigrantëve drejt BE. Por ata që kanë depërtuar përtej duket se kanë shqetësuar Podgoricën, ku zyrtarët e kufirit kanë hedhur idenë e një gardhi si masë parandaluese. Ora News ishte sot në kufirin me Malin e Zi dhe sjell rrugët e klandestinëve në rrugën drejt BE.

Nga pikat e përbashkëta të kalimit kufitar dhe patrullimet e dy policive në dy anët e kufirit për sezonin turistik, Shqipëria dhe Mali i Zi rrezikojnë të ndahen me një gardh me tela, me synim ndalimin e emigrantëve klandestinë.

Vojisllav Dragovic, shef i Departamentit për mbikëqyrje të kufirit shtetëror në Malin të Zi, e dha sinjalin e parë për një masë të tillë drastike dhe madje ndihmë për këtë hap është e gatshme t’ia ofrojë edhe Hungaria, e cila plot 25 kilometer gardh mund t’ia dhurojë këtij shteti.

Arsyet janë të forta për autoritetet malazeze, ndërsa zyrtarisht mësohet nga policia e kufirit se janë 550 raste të frenuara brenda këtij viti, e shumë të tjerë që kanë arritur të kalojnë pa u pikasur nga pala shqiptare.

Kufiri i gjelbërt është zgjidhja dhe dy janë shtigjet kryesore, të cilat kalojnë përmes një fshati të vetëm, Muriqanit në njësinë Ana e Malit.

(Në foto: Në të majtën e gazetarit Bepin Kolvataj ndodhet rruga e fshatit Shtuf, rrugë kjo që shfrytëzohet nga klandestinët për të kaluar kufirin me Malin e Zi)

Rruga e fshatit Shtuf, që më së shumti shfrytëzohet gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, nuk është e vetmja rrugë. Varianti i dytë është Gorica, edhe ky fshat kufitar, pjesë e brezit të gjelbërt.

Pagesat që një klandestin bën për të ardhur nga qendra akomodimit në Babrru të Tiranës për në Shkoder shkon deri në 300 euro, ndërsa kur ato merren nga kufiri jugor me Greqinë edhe mbi 1 mijë euro.

Pas 2015, kur në Europë u futën rreth 1 milion emigrantë, flukset e lëvizjes së klandestinëve konsiderohen të qeta por rastet kanë qenë të vazhdueshme.

Trafikantët kryesisht po përdorin rrugën Shqipëri-Mal i Zi, Bosnje Hercegovicë e më pas në Kroaci.

Por në këtë zinxhir, zyrtarët malazezë thonë se janë përballur me refuzim nga Shqipëria për të pranuar emigrantët e paligjshëm mbi bazë të bilaterale.

Autoritetet shqiptare ende nuk kanë reaguar për këtë situatë të re që mund të krijohet në kufi.

/Ora News.tv/