Gladiola Jorbus; Ulqin në këngë

Duke shfletuar librin ” Malli për Ulqinin në këngë” të profesor Zyhni Beqiraj, më erdhën në mendje vargjet e Baladës së Ago Ymerit…

– Ah, Ulqin, Ulqin tërë jetën të kam pasur në zemër!

 

Nëntë vjet të kam parë natë përnatë në ëndërr.

 

Nëntë vjet kam dashur që të puth dheun.

 

Valët thyhen njëra pas tjetrës në breg.

 

Era fryn e fortë.

 

Përsipër fluturojnë pulëbardhat…

 

 

 

Këto vargje të ftojnë të gjurmosh fisnikërinë dhe vlerat tradicionale të nderit, burrërisë, atdhedashurisë e familjes ulqinake.

 

Ah, Ulqin! Emri yt kumbon si një amane e largët, përtej kufijve, përtej horizontit. Me krenarinë për ty u edukuan shumë breza, e me mallin për ty u shuan të tjerë. Personazhet reale që hasim përgjatë leximit të këtij libri nuk janë as hyjni e as mbretër, por njerëz të thjeshtë, me pasione e vlera, që kanë lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën qytetare; heronj e heroina anonime që autori i përjetësoi duke e shndërruar jetën e tyre, këngën ulqinake, mallin për Ulqinin në një udhërrëfyes të përbashkët për të gjithë pasardhësit e ulqinakëve në Durrës e më gjerë. “Kapidani nga Ulqinin”, “Ah k’ta djemt, djemt’ e Ulqinit”, “Për ty Nanemadhe ulqinake” janë vibracione të vlerave te papërsëritshme morale, nostalgji për vende, njerëz e kohë të munguara. E kush mund t’i sjellë ndjesitë për Ulqinin, më mirë se një ulqinak?! Ulqinak jo vetëm në gjak, por në shpirt, në ndjenjë e në qytetari.

 

Prof. Beqiraj, siç dëshmon dhe vetë në librin e tij”…jam i lumtur se do të jem dasmori i përhershëm i të gjitha dasmave në Ulqin”, -shpreh përmes këtij deduksioni se ai vërtet është pjesë e pandashme e Ulqinit. Tashmë marrëdhënia simbiotike mes tyre është bërë më reale se kurrë.

 

Prof. Zyhniu i ka bërë një dhuratë të paçmuar të gjithë ulqinakëve. Kështu, ata mund të kenë  në bibliotekën e tyre një libër, një trashëgimi kulturore, një aset më vete, ku mund të mësojnë mbi antikitetin, traditat, gjeografinë, historinë, kulturën e Ulqinit. Profesori i mirënjohur i fizikës shfaqet njëkohësisht si shkrimtar dhe si kompozitor.

 

Ai është nëherazi dhe kryetari i mirënjohur i shoqatës “Ulqini”, i cili nuk ngurron në asnjë moment të njohë çdo pasardhës ulqinak, t’i thotë një fjalë të ngrohtë e t’i japë suportin e tij. Këtë përcjell dhe manifeston ky libër; mesazhin e madh se midis Ulqinit dhe ulqinakëve, idili i dashurisë nuk shuhet kurrë. Autori na shtjellon se si Ulqini i bukur ruan me stoicizëm vijimësinë e jetës autoktone si: kultivimin e ullishteve, detarinë, peshkimin, tregtinë, mikpritjen, familjen e madhe, besnikërinë, kalanë e bukur dhe turizmin bregdetar.

 

Gjithashtu, ky libër mbetet dëshmi e mbijetesës shekullore dhe këto këngë janë rravgime të pareshtura për të ruajtur bashkimin shpirtëror me të. Falë këngëve të dasmave që manifestojnë traditat ceremoniale, Ulqini nga qyteti i kujtimeve mitike shndërrohet në një prezencë konkrete, sepse tekstet plot lirizëm janë të ndërlidhura me folklorin e gurrën popullore.

 

Ulqini i stolisur me arkitekturë romake, gotike, orientale mbart aromën e një lashtësie të bujshme, dhe të një së tashmeje të paqtë.

 

Qëndrestar mbi shkrepa, si një anije që po sfidon dallgët e detit, pret e përcjell melodi, përqafime, mall e lot.

 

Me të drejtë thonë: “Kush vjen një herë në Ulqin, përsëri i kthehet atij”.