Botime të reja: Osmani vjen para lexuesit me librin e tij të më të ri

 

 

 Pas librit të tij të parë “Demokracia dhe partitë politike shqiptare në Mal të Zi”, botuar në vitin 2016, Qani Osmani vjen para lexuesit me librin e tij të ri “Vizione”, botuar ditët e fundit.

Libri është përmbledhje e artikujve, vështrimeve dhe opinioneve të autorit, që trajtojnë një gamë të gjerë çështjesh, nga dimensioni shoqëror, politik dhe fetar, të cilat janë preokupuese për autorin. Një numër i tyre janë botuar në gazetën “Koha javore” dhe në portalet në gjuhën shqipe në Malin e Zi, si dhe në mediat shqipe në hapësirën mbarëshqiptare.

“Edhe në këtë libër jam përpjekur për qasje analitike dhe kritike ndaj çështjeve që janë preokupuese për shqiptarët në këto treva. Çështjet e tilla nuk janë vetëm të dimensionit lokal, por edhe atij më të gjerë. Duke qenë gjithnjë i mendimit se hulumtuesi duhet detyrimisht të zhvishet nga të gjitha ndjenjat, në mënyrë të paanshme, se vetëm ashtu do të qëndrojë në dimensionin e teorisë dhe shkencës”, thekson autori në parathënien e librit.

Redaktor i librit është Ali Salaj, rencensent dr. Nail Draga, lektor Ismet Kallaba, korrektore Valdete Osmani, kurse redaktor teknik Gazmend Çitaku.

Libri është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë, ndërsa botimi i tij është mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Malin e Zi.

Qani Osmani u lind në vitin 1960, në Gostivar të Maqedonisë. Shkollën fillore dhe gjimnazin e përgjithshëm i mbaroi në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik – dega Filozofi-Sociologji, i kreu në vitin 1983 Universitetin e Prishtinës.

Që nga viti 1986 jeton në Ulqin, ku edhe themeloi ndërmarrjen private “Qani Comerc”, të cilën e drejtoi deri në fund të vitit 2013. Që prej vitit 2013 është anëtar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.