Millo Gjukanoviq, Kandidat për President të Malit të Zi në zgjedhjet e 15 prillit, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka folur për raportet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, pas mosmarrëveshjeve për çështjen e kufirit. Ai ka treguar nëse Podgorica do ta respektojë deklaratën Thaçi-Vujanoviq për korrigjimin e gabimeve që Kryeministri Haradinaj insiston se janë bërë kur është shënuar kufiri. Kreu i DPS’së së Malit të Zi ka folur edhe për vendimin e vitit 2008, kur vendi i tij vendosi ta njohë Kosovën, raportet me Hashim Thaçin, bisedimet Kosovë –Serbi, tentim puçin e vitit 2016 për rrëzimin e tij, të sponsorizuar nga Rusia, paralajmërimet e kundërkandidatëve të tij se do ta anulojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe pritjet se elektorati shqiptar në Mal të Zi do ta votojë masivisht të dielën

Milo Gjukanoviq është njëri nga dinozaurët politikë të Ballkanit. Në politikën e lartë, të Malit të Zi, ka hyrë i ri në moshë, duke u ngjitur shpejt në majën e pushtetit.  Malazezi shtatgjatë, si vetëm 29-vjeçar arrin të bëhet Kryeministër. Ishte edhe shefi më i ri i një qeverie në Evropë, e për kuriozitet thuhet se kjo ishte edhe puna e parë e tij me rrogë. Në ngritjen e tij ka hise edhe vetë Sllobodan Millosheviq, me të cilin më vonë konfrontimi ishte i pashmangshëm. Sloba thuhej se kishte dërguar njerëz në Podgoricë për ta vrarë. Në vitin 1999, Mali i Zi, edhe pse nën një çati me Serbinë, kishte hapur dyert për strehimin e kosovarëve që po iknin nga forcat serbe. Me Gjukanoviqin në krye Mali i Zi, më 2006, konfirmohet si shteti më i ri në Evropë. Për rezultatin e referendumin, ku vota shqiptare ishte vendimtare, presidenti i atëhershëm serb Vojislav Kostunica thuhej se kishte qarë në Beograd. Politikani kontrovers, i njohur ndër të tjera edhe për pasurinë e tij enorme,  më 2008 fitoi edhe një herë simpatinë e shqiptarëve. Ai kishte  marrë vendim për njohjen e pavarësisë së Kosovës – gjë që u kundërshtua edhe në Serbi dhe nga serbët e Malit të Zi. U tregua konstruktiv edhe kur Kosova dhe Mali i Zi dukej se po kalonin nëpër një periudhë të vështirë për shkak të kufirit. Këtë kurs premton se do ta mbajë edhe për korrigjimin e gabimeve eventuale gjatë matjeve për shënimin e vijës kufitare. “Do të respektojmë gjithçka që parashihet me marrëveshje, edhe nevojën që të përmirësojmë gabimet eventuale nëse konfirmohet se ka të tilla” thotë ai.

Gazeta Express: Ta fillojmë këtë intervistë me demarkacionin e Kosovës dhe Malit të Zi. Ishim dëshmitarë të një bllokade, veçmas në Kosovë, për faktin që partitë opozitare e pengonin ratifikimin me pretekstin se Kosova ka humbur territor me marrëveshjen e nënshkruar në Vjenë në vitin 2015. Përfundimisht muajin e kaluar Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen. A jeni Ju i kënaqur me deklaratën e presidentëve Thaçi dhe Vujanoviq dhe mënyrën se si u zgjidh ky kontest?

M. Gjukanoviq: Me rëndësi është që ratifikimi ndodhi dhe që me këtë u mënjanua një problem që panevojshëm i ka hedhur hije kualitetit të marrëdhënieve tona. Është humbur një kohë e çmuar, por të mos kthehemi prapa. Ajo që ka ndodhur, ka ndodhur. Duhet të fokusohemi në të ardhmen dhe në efektet pozitive të këtij akti për dy vendet tona dhe rajonin. Më vjen shumë mirë që deklarata e Presidentit Vujanoviq dhe Presidentit Thaçi ka kontribuar që Kuvendi i Kosovës përfundimisht ta ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Gazeta Express: A keni qenë në ndonjë mënyrë i involvuar në këtë proces, a i keni kontribuuar zgjidhjes? Nuk është fshehtësi që keni pasur raporte të mira me autoritetet në Kosovë…

M. Gjukanoviq: Po, natyrisht që nga fillimi kam qenë i inkuadruar në këtë proces. Kush ka pasur më shumë merita për zgjidhjen përfundimtare tash është pak e rëndësishme. Jam i sigurt se kjo është në të mirën e Malit të Zi, Kosovës dhe të gjithë qytetarëve tanë.

Gazeta Express: A do t’i përmbahet Mali i Zi marrëveshjes, a do të marrë pjesë në grupet punuese të cilat parashihen me deklaratën e Podgoricës që të bëhen korrigjime, për të cilat insiston Kryeministri Ramush Haradinaj?

M.Gjukanoviq: Mali i Zi është shtet serioz që respekton të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. Nuk ekziston asnjë arsye që në rastin e kësaj marrëveshjeje të jetë ndryshe. Ndër të tjera, politika e fqinjësisë së mirë është një nga prioritetet kyçe të strategjisë tonë shtetërore. Do të respektojmë gjithçka që parashihet me marrëveshje, edhe nevojën që të përmirësojmë gabimet eventuale nëse konfirmohet se ka të tilla.

Gazeta Express: Si e keni parë ju situatën në Kosovë në 3 vitet e fundit ku Mali i Zi është përmendur pothuaj çdo ditë. A kanë ndikuar në raportet e dy vendeve krejt ato çfarë kanë ndodhur?

M.Gjukanoviq: Mendoj se raportet e Malit të Zi dhe Kosovës që i kemi ndërtuar viteve të fundit janë shembull në rajon dhe me gjerë. Duke pasur për bazë këtë, nuk kemi lejuar dhe nuk lejojmë që çfarëdo teme ta vë në pikëpyetje këtë që e kemi krijuar së bashku. Çështja e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje ishte çështje e brendshme e Kosovës. Ne nga ana jonë jemi kujdesur që në asnjë mënyrë të mos ua rëndojmë situatën miqve tanë të Kosovës.

Gazeta Express: A keni qenë në kontakt me autoritetet e Kosovës gjatë kësaj periudhe?

M.Gjukanoviq: Po, kemi kontakte të vazhdueshme.

Gazeta Express: A mund të na i përshkruani raportet tuaja me z. Thaçi

M.Gjukaonoviq: Presidenti Thaçi dhe unë për një kohë të gjatë kemi ndërtuar raporte mjaft të hapura të mirëbesimit dhe respektit reciprok. Mund të them se kemi raporte miqësore.

Gazeta Express: Vitin e kaluar Mali i Zi u bë anëtar i NATO-s. Ndërkaq, para kësaj pati tentime të përzierjes nga, siç e thatë Ju në një intervistë, “faktorë të jashtëm”, me qëllim që ta pengojnë këtë rrugëtim. E dimë se Rusia është aktive në Ballkan, por a e ka zgjidhur Mali i Zi përfundimisht me anëtarësimin në NATO çështjen e përzierjes së Moskës në punët e brendshme të shtetit tuaj?

M.Gjukanoviq: Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO nuk është drejtuar kundër askujt, porse kjo është në interesin më të mirë të vendit tonë dhe të rajonit në përgjithësi. Domethënë as kundër Rusisë. Ato që kanë ndodhur ndërmjet Podgoricës dhe Moskës vitet e fundit, e që arritën kulmin në 2016-ën, më së paku kanë mbështetje në marrëdhëniet tona bilaterale. Esenca është se erdhi deri te një çrregullim në planin global dhe Mali i Zi, pa fajin e vet, thjesht u gjend në vijën e zjarrit ndërmjet fuqive të mëdha, siç do ta thoshte këtë në një mënyrë figurative ish-sekretari amerikan i Shtetit John Kerry. Interesi ynë është që të jemi anëtar i Aleancës, kurse Moska e kundërshton zgjerimin e saj. Ne e respektojmë traditën shekullore të afërsisë dhe miqësisë me Rusinë, por para së gjithash duhet të mbajmë llogari për interesat tona personale. Besoj se edhe në Moskë në mënyrë të drejtë gjithnjë e më mirë do të kuptohet pozicioni i tillë i yni parimor.

Gazeta Express: Të kthehemi në vjeshtën e vitit 2008, kur Mali i Zi e njohu Kosovën. Si e kujtoni tani atë akt, i cili ndodhi, nëse më kujtohet mirë, në koordinim me Maqedoninë? A patët atëbotë presione që të mos e bëni këtë dhe, nëse keni pasur, nga cilat adresa?

M.Gjukanoviq: Sigurisht që ai vendim nuk ishte i lehtë. Por, ne vlerësuam se kjo është në interes më të mirë të përbashkët, jo vetëm për Malin e Zi dhe Kosovën, porse për rajonin në tërësi, përfshirë natyrisht edhe Serbinë. Pavarësisht se e kuptojmë dimensionin historik dhe emocionin e veçantë të Beogradit ndaj çështjes së Kosovës. Pati, natyrisht, presione tepër të ashpra, sidomos nga opozita pro-serbe në Mal të Zi, si dhe nga qarqet kishtare, dhe të gjitha këto të përcjella me një fushatë të egër nga mediat, që s’është ndalur as sot e kësaj dite.

Gazeta Express: Njëri nga kandidatët në fushatën presidenciale këto ditë tha se, nëse ai fiton, do ta anulojë vendimin për njohjen e Kosovës. Ç’mund të na thoni lidhur me këtë?

M.Gjukanoviq: Ai s’do të fitojë.

Gazeta Express:  Aktualisht janë duke u zhvilluar përgatitjet për negociata lidhur me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E dimë se rruga e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian është e lidhur dhe e kushtëzuar me këto negociata. A po shihni ndonjë vendosmëri te Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që më në fund të gjejnë ndonjë zgjidhje e cila do të ishte e pranueshme për të gjitha palët?

Milo Gjukanoviq: Është shumë me rëndësi fakti se të gjitha vendet tona lidhen me objektivat e njëjta evropiane. Rrugës drejt anëtarësimit në BE të gjithë duhet t’i plotësojmë disa standarde, për të cilat shkalla ngrihet gjithnjë e më lart. Çështja e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës është një çështje shumë delikate dhe e ndjeshme, ndaj së cilës të dy palët duhet të kenë një qasje me sensibilitet të hollë. Unë dua të besoj se partnerët ndërkombëtarë janë të fokusuar në gjetjen e zgjidhjes më të mirë, por çelësi për këtë është para së gjithash në duart e Beogradit dhe të Prishtinës.

Gazeta Express: Ju e nisët këtë fushatë me një “selfie” dhe me moton “Përkrahje Milo Gjukanoviqit”. A e keni ndjenjën se e keni përkrahjen e qytetarëve që sërish të jeni në krye të shtetit tuaj?

Milo Gjukanoviq: Unë besoj se edhe këtë herë qytetarët tanë do ta bëjnë zgjedhjen për të cilën tashmë kanë vendosur. E, kjo është rruga evropiane e Malit të Zi.

Gazeta Express: A besoni se e keni përkrahjen e shqiptarëve në Mal të Zi? Cilat janë premtimet e Juaja për ta?

Milo Gjukanoviq: Po, gjithsesi llogaris me përkrahjen e shqiptarëve, të cilët në të gjitha fazat vendimtare të historisë më të re të Malit të Zi kanë pasur një rol tejet pozitiv. E dini, unë s’kam ndjenja të veçanta për asnjë popull në Mal të Zi, sepse Mali i Zi është shtet i përbashkët edhe i malazezëve edhe i serbëve, edhe i shqiptarëve dhe boshnjakëve, edhe i myslimanëve dhe kroatëve, i të gjithë qytetarëve të tij. Premtimi im për të gjithë është përmbajtur në sloganin e fushatës – për stabilitet dhe përparim të Malit të Zi. Si dhe në thirrjen: Le të sillemi ndaj Malit të Zi si ndaj shtëpisë së përbashkët në të cilën të gjithë jemi qytetarë të rendit të njëjtë.

Gazeta Express: Si ju pritën në Ulqin?

M. Gjukanoviq: Me mirëseardhje burrnore dhe me dinjitet, njëjtë në Ulqin, si dhe në Cetinje dhe Berane.

 

By admini