KADRI VESELI DHE HASHIM THAÇI DUHET TË LEXOJNË DHE MËSOJNË MË SHUMË PËR TREVËN SHQIPTARE QË ATA E QUAJNË “VLADIMIR” !

Shkruan Xheladin Zeneli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë seancës parlamentare , me 27 Shkurt 2018, ku është diskutuar Projektligji për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, është drejtuar liderit të Vetvendosjes, z. Albin Kurti duke u shprehur në mënyrë denegruese ndaj krahinës së prejardhjes së tij, duke i thënë atij që të “shkojnë në Vladimir për të mbrojtur patriotizmin …!”. “Vladimir” është emërtimi sllav i vendbanimit Katërkollë i cili gjindet në krahinën e Anës së Malit në Komunën e Ulqinit,krahinë kjo e cila në përbërjen e vet ka mbi 20 vendbanime (fshatra), duke përfshirë edhe fshatin Sukubinë, vendlindja e babait të z. Kurti.
Rikujtojmë lexuesit se në vitin 2012, në mënyrë të ngjajshme ndaj z. Kurti u shpreh edhe Hashim Thaçi,kryeministër i atëhershëm i Kosovës, duke përdorur në mënyrë nënçmuese emërtimn sllav ndaj një treve shqiptare e cila gjindet nën administrimin e Malit të Zi.
Fillimisht duhet theksuar që asnjë lider i mirëfilltë, aq më tepër një kryeministër apo kryetar i kuvendit, nuk bën dallime krahinore në mes shqiptarëve sepse ne jemi një popull,por që fati historik ndikoi që sot të jemi të ndarë në disa shtete . Dhe është nën nivelin e çdo politikani shqiptar që të përdorin prejardhjen krahinore ndaj kundërshtarëve të vet politik si mjet i sulmeve politike.
Megjithate, pas gjithë kësaj çka u tha më lartë e shoh të arsyeshme se si z. Veseli ashtu edhe z. Thaçi kanë nevojë për një mësim edukues për një krahinë shqiptare, të cilën ata e permendin në konteks përçmues ndaj deputetit kryesor të opozitës, sa herë që nuk përputhen me mendimet e tija.

Pak histori për ngjarjet e rëndësishme kombëtare për trevën shqiptare në përbërjen e së cilës është “Vladimiri” i K. Veselit dhe i H. Thaçit

Ana e Malit, me kryeqendër Katërkollën ( pra, “Vladimiri” sipas Thaçit e Veselit ) ashtu si edhe shumë vendbanime të tjera shqiptare,me vendimet e Kongresit të Berlinit (1878), Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913) si dhe asaj të Parisit (1919) u ndanë padrejtësisht nga trungu i shtetit të tyre amë-Shqipërisë dhe iu bashkangjiten Malit të Zi. Si pasojë e kësaj sot kemi krahinën e Anës së Malit të ndarë në dy pjesë: një Anë të Malit brenda kufijëve të republikës së Shqipërisë dhe një Anë të Malit brenda kufirit administrativ të republikës së Malit të Zi,ndërsa para aneksimit nga Malit i Zi,treva e Anës së Malit ishte një trevë kompakte dhe territor i pandarë shqiptar. Që nga viti 1880 kur ky vendbanim iu bashkangjit Malit të Zi kundër vullnetit dhe dëshirës së popullit të tij,janë bërë përpjekje të shumta si për ndalimin e aneksimit nga ana e Malit të Zi me ndihmën e Fuqive të Mëdha dhe perandorisë osmane.Kurse më vonë ,gjatë luftës së dytë Botërore,janë bërë përpjekje që treva e Anës së Malit ti bashkangjitet shtetit amë,Shqipërisë.Një rol të rëndësishëm historik për mbrotjen e integritetit territorial i trevave shqiptare nga coptimi i mëtejshëm i tyre , ka pasur Lidhja Shqiptare e Prizrenit , ( themeluar me 10 Qershor 1878). e cila përmes forcave të veta të armatosura rezistoi fuqishëm kundër armiqëve të kohës.Pas vendimeve të Fuqive tē Mëdha , për dorëzimin e Ulqinit Malit të Zi,një ndër betejat e përgjakshme për mbrojtjen e kësaj treve shqiptare u zhvillua te Kodra e Kuqe (në fshatin Kllezën), afër Katërkollës ,në Anë të Malit, me 22 Nëntor 1880 e cila ndryshe njihet edhe si Beteja e Shkallmushkës, në mes të forcave shqiptare të udhëhequra nga Isuf Sokoli kundër forcave turke.Kjo betejë,megjithëse zgjati për një kohë të shkurtë, ka hyrë në histori si një ndër betejat e para të shqiptarëve të kytyre anëve që rezistuan në mënyrë të armatusur kundër dorëzimit të Anës së Malit dhe Ulqinit, Malit të Zi.
Kurse gjatë betejave të shumta për pushtimin e Shkodrës, treva e Anës së Malit, duke përfshirë edhe Katërkollën, qendroj si mburojë dhe ishte vija e frontit të parë kundër forcave serbe e malazeze . Një ndër betejat më të përgjakshme të asaj kohe është zhvilluar afër kësaj treve,në malin Tarabosh, në tetor 1912 ,ku forcat serbo -malazeze pësuan humbje të mëdha .

Z. Thaçi dhe z. Veseli , në “Vladimirin” tuaj ,në vitin 1944 u mbajt Kongresi për mbrojtjen e tokave shqiptare !

Me përkrahjen e Italisë së atëhershme,në vitin 1940 u muar vendimi që Ulqini të vetëqeveriset nga Shqipëria dhe të jenë nën prefekturën e Shkodrës.Gjatë kësaj periudhe vlen të përmendet një ngjarje e rëndësishme kombëtare ,pra bëhet fjalë për ngritjen e flamurit shqiptar me 14 Qershor 1941 në Kishën e Shën Zefit në Ulqin,ku ishin prezent me mijëra shqiptar nga Ulqini, Ana e Malit, Shtoji,Zogaj etj. të të gjitha konfesisoneve fetare.
Pasi që komunistët sllav(serbo-malazez) synonin që përmes luftës së ashtuquajtur nacional-çlirimtare,të ripushtojnë trevat shqiptare dhe t’ja bashkangjesin shtetit të atërhershëm të Jugosllavisë, tre vite më vonë,afër përvjetorit të tretë të ngritjes së flamurit shqiptar në Ulqin, me 11 Qershor 1944,në Katërkollë të Anës së Malit, mbahet Kongresi për Mbrojtjen e Kufijve të tokave shqiptare. Në këtë Kongres u zgjodh Komiteti për Mbrojtjen e tokave shqiptare (Shiko librin “Cafo Beg Ulqini” të autorit Fahri Buçinca , faqe 156).

Treva e Anës së Malit,si trevë autoktone ,gjithmonë ka qenë në shenjestër të qarqeve shoveniste serbo-malazeze. Gjatë monizmit pushteti i atëhershëm malazez e konsideronte kete trevë si bazë e “nacionalizmit” dhe “irredentenzmit” shqiptar.Mjafton të përmendët vetëm fillimi i viteve ’80-ta të shekullit të kaluar( periudha e pas demonstratave në Kosovë të vitit 1981) , ku u përndjekën politikisht apo u burgosën një numër i konsiderueshëm i intelektualve dhe i veprimtarëve atdhetarë në Anë të Malit, një pjesë e tyre edhe për shkak se kanë marrë pjesë aktive në demonstratat studentore të vitit 1981 në Kosovë .
Ana e Malit , e mos të flasim për trevat përreth si Ulqini e Kraja kanë nxjerr nga gjiri i vet personalitete të shquara të fushave të ndryshme që kanë arritur suksese jo vetëm në hapësirën mbarëkombëtare por edhe ate ndërkombëtare.
Me fillimin e agresionit luftarak të Serbisë ndaj Kosovës në vitin 1998 dhe më dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve nga Kosova në vitin 1999 , një numër i konsiderueshëm i tyre gjetën strehim edhe tek vëllezërit dhe motrat e tyre në Anë të Malit,duke përfishë edhe “Vladimirin” tuaj , ku u pritën duar hapur nga banorët e kësaj treve. Gjithashtu, mergimtarët e kësaj treve që jetojnë në SHBA , përmes Shoqatës “ Ana e Malit” me seli në Nju Jork, mblodhën me qindra mija dollarë ndihma financiare për Kosovën dhe UÇK-në gjatë viteve të vështira 1998/1999. Në radhët e UÇK-së , përkatësisht si pjesëtarë i Batalionit “Atlantiku” ka pasur edhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar me prejardhje nga Ana e Malit.

Gjatë tërë historisë së vet treva e Anës së Malit ,edhe përkundër tentimeve të vazhdueshme të regjimeve të ndryshme malazeze ( apo jugosllave) për t’a shkombëtarizuar apo asimiluar këtë trevë,megjithate anamalasit kanë arritur që të ruajnë identitetin dhe homogjenitetin e vet kombëtar. Sot është e vetmja trevë shqiptare në Mal të Zi me përbërjen kombëtare 100% shqiptare,megjithëse shpërngulja e popullsisë ka ndikuar deri diku në zvogëlimin e numrit të popullsisë së përgjithëshme të kësaj treve.

Si përfundim,
Ju sygjeroi z. Thaçi, që gjatë takimeve dhe koktejeve me mikun tuaj Millo Gjukanoviq, do të ishte e udhës që si lider i shtetit të Kosovës, të mbroni dhe të përkrahni bashkëkombasit tuaj dhe njëkohësisht të shtroni çështjen e avancimit të të drejtave të shqiptarëve, jo vetëm të “Vladimirit”, por çështjen e të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi në Mal të Zi !.
Gjithashtu Ju sygjeroj, z. Veseli dhe z. Thaçi, që gjatë vizitave të juaja të shpeshta në Podgoricë dhe takimeve dhe flirtimeve që bëni me qeveritarët e Malit të Zi, të gjeni kohë që të vizitoni këtë trevë, me ç’rast do të bindeni vet për respektin, admirimin dhe ndjenjën e ngrohtë vëllazërore që banorët e Anës së Malit gjithënjë ushqejnë për Kosovën dhe për bashkëkombasit e tyre. Kjo ndodh në rend parë për faktin se jemi një komb me një gjak e me një gjuhë të përbashkët, dhe së dyti, anamalasit nuk e harrojnë kurr rolin e madh që ka luajtur Kosova,përkatësisht universitetet e saj në shkollimin dhe arsimimin e lartë të gjeneratave të shumta të banorëve të kësaj treve.

1 Mars 2018