”NJË GRUSHT DHÈ NË XHEP, NJË GUR NË VALIXHE”

Ali Gjecbritaj

GURËT E TRUALLIT TIM

Sa i fortë guri në truallin tim
Sa e madhe puna e tij
Ngritëm fortesë e bëmë shtëpi
Sa të fortë unë dhe të parët e mi.
Guri nuk ka dëshmi vitesh
Si rrathët e trungut të ullirit
Guri ka vlerë me peshë floriri
E rrënjë në tokë sa shekujt.
Keni ardhur nga stepet e qoftëlargut
Thoni se gurët janë tuajt
E keni gabim barbarë katila
Toka ime nuk është e pistë.
Ju nuk keni këtu rrathë
mijëvjeçarë trungjesh
Nga ana juaj nuk ka ullinj
Ka vrer nga çorba e prishur
Hajdutëri dhe njerëz të qitur.
Unë, guri dhe trungu me mijëra unaza
U bëmë ballë hordhive barbare
Shekujt i mbështollëm me gjethe dafine
Thurëm kurorë për nusen e re.
Asnjëherë nuk heshtëm
Ju plasni nga hidhërimi
Na marrshi të keqen
Qafën e këputshi.
Unë në shpirtin e kalasë
Fle me pulëbardha
Kuçedra vjell flakë,
gurin s’e shkrin dot
Brenda shpirtit tim ka ëmbëlësi fiku
E mbys heshtjen me fluturim në yje.
Muret e kullave heshtin
janë veshur me tatuazh
Ngjyra e bishtanit ua ka lidhë krahët
Në heshtje presin zogun shtegtar
T’ua kthejë zjarrin në votër e hirin e ndezur.
Sa shumë shi ka rënë sot, veç këto gurë e dinë
U mbytën në ujë
vëtëm lëkurë e gurit e di
Liqeni nivelin e ngriti në pakufi
Sot dita do të jetë e amshuar
Heshtjen do ta mbysim me ullinj
Unë dhe gurët e truallit tim.

NJË GRUSHT DHÈ NË XHEP,
NJË GUR NË VALIXHE

Kam marrë një grusht dhè nga toka ime
E kam ruajtur në xhepin e majtë të xhaketës
Sot e nxora nga zemra në dasmën e djalit
Po e shtie në vallen tonë që të flasë nga larg
Që të mbysë heshtjen atje në truallin që s’bën zë
Atje akrepat e orës kanë ndaluar si koha në vetmi.
Kam marrë një guralec nga shtëpitë e braktisura
E kam ruajtur me vite në valixhen e ikjes
Mes lotëve të nënës e rrudhave të ballit të babait
E kam ruajtur në rrjedhën e moteve.
Sot po e nxjerri nga valixhja e vjetër
Ai do flasë, do e mbytë heshtjen atje larg
Sa të fortë jemi, sa shumë durojmë
Guri nuk është më i fortë se ne assesi
Por ai sot më ndihmon të mbys heshtjen.
Mbyteni edhe ju si unë frikën
Vendosni nga një gur në murin e zërit
Muri thonë ka veshë e fusha sy
Hapim sytë e veshët që të vrasim
Heshtjen që flet.

MBRETËRIA IME

Tridhjetë e gjashtë shkronja është mbretëria ime
Tridhjetë e gjashtë tinguj është pasuria ime
Heshtja nuk është pushteti im
Zbrazi energjinë time nga zinxhiri i alfabetit
Mbretëria ime nuk është heshtja.

(Nga përmbledhja me poezi
në dorëshkrim “Heshtja që flet”)