30 nga 33 këshilltarë pritet të jenë pjesë e shumicës së re në Parlamentin e Ulqinit!?

Nga perberjet e kaluara ta Kuvendit te Ulqinit

Rivotimi i së dieles nuk ka ndryshuar shumë në raportin në mes forcave politike në Parlamentin e ardhshëm lokal të këtij qyteti. Humbja e një këshilltari nga DPS dhe marrja e të njëjtit nga SDP e Ranko Krivokapiqit nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh në formimin e shumicës së re parlamentare në këtë qytet, shkruan Ulqini Online.

Formimi i qeverisjes vendore pritet të marrë kohë dhe të gjitha gjasat janë që nuk do të formohet para zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi që do të mbahen me 15 prill. Këto zgjedhje janë mjaft të rëndësishme për DPS-in dhe mund të ndodh që votat e shqiptarëve mund të jenë vendimtare.

Formimi i qeverisjes së re në Ulqin duket se nuk do të paraqes problem për DPS-in për të qene timonier duke parë luftën e subjekteve politike shqiptare në rend të parë, që të jenë pjesë e qeverisjes me çdo kusht.

Pas rivotimit të së dieles numri i këshilltarëve në Parlamentin e Ulqinit është si mi vijon: Forca dhe DPS do të kenë nga 8 këshilltarë, koalicioni ”Zgjohu Ulqin” do të ketë 7, UDSh dhe SD nga 3, URA 2, kurse SDP dhe Partia Boshnjake nga 1 këshiltarë. Nga këto shifra dhe përkatësisë partiake mundësia me e madhe është që shumica e re në Parlamentin e Ulqinit të ketë plotë 30 këshilltarë dhe se marrëveshja për shumicën e re mund të nëshkruhet nga koalicioni i madh DPS, Forca, koalicioni ”Zgjohu Ulqin”, UDSH, SD dhe Partia Boshnjake.

E sigurtë që në këtë kompozim të shumicës së re vetëm Lëvizja qytetare URA e Dritan Abazoviqit me 2 këshilltare dhe me gjasë edhe SDP e Ranko Krivokapiqit me një këshilltar do të mbesin në opozitë. Një opozitë prej vetëm 3 këshilltarëve do ta ketë të pamundur që të kontrollojë në mënyrë kualitative një shumice të tillë.