OT e Ulqinit falenderon komisionin dhe njofton opinionin rreth skulpturës për Servantesin dhe Dulcinean

Projekti ideor fitues nga Bujar Vani

Organizata turistike e Ulqinit ka dalur me një kumtesë rreth konkursit për skultpuren e Servantesit dhe Dulcineas.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë kumtesen e nënshkruar nga drejtori i OT të Ulqinit, Mr. Fuad Haxhibeti.

 

Kumtesë për opinion

Shfrytezojmë rastin të falëndërojmë të gjithë qytetarët posaçerisht Shoqatat joqeveritare në lidhje me projektin ideor për skulpturën Servantes dhe Dulcinea që me anë të angazhimit të tyre japin një përkrahje integrimeve europiane të Komunës së Ulqinit. Gjithashtu, falëndërojmë Komisionin i cili ka patur një punë shumë të vështirë për zgjedhjen e projektit ideor në konkursin i cili është shpallur me 17 nëntor 2017.

Organizata Turistike e Ulqinit lajmëron qytetaret dhe Shoqatat joqeveritare që:

  1. Ky ka qenë konkurs ideor për pamjen e skulpturës që mund të shifet edhe në detyrën projektuese të konkursit internacional,

 

  1. Lokacioni dhe lloji i materijalit nuk kanë qenë të parashikuara me këtë konkurs, normat ligjore parashohin që kur është në pyetje realizimi i këtij lloj aktiviteti duhet të mbahet shqyrtimi publik i cili ka për qëllim kyçjen e qytetarëve, artisteve dhe profesionistëve të sferave të ndryshme ,

 

 

  1. Opinioni publik është më i rëndësishmi dhe jemi të sigurt që qëllimet e Shoqatave joqeveritare janë të mira, por kjo është thjeshtë zgjedhje ideore (Konkurs të cilin mund ta hapin dhe shoqatat joqeveritare) , dhe nëse arrihet deri tek realizimi i projekt – dokumentacionit, atëherë normat ligjore kerkojnë vendimet e Ekzekutivit dhe legjislativit si dhe Ministrisë përkatëse.

 

PS  Një thënje e mençur e Miguel de Servantes thotë:

“Nuk ka libër në të cilën nuk mund të gjehet diçka e mire”.

 

Drejtor i OT Ulqin

Mr Fuad Haxhibeti

 

 

Poashtu me poshte mund ta lexoni te plote shkrimin e autorit fitues Bujar Vani bashkanngjitur projektit ideor.

PROJEKT- MONUMENT“SERVANTESI DHE DYLQINJA”

 

për

KONKURSIN  E  SHPALLUR  NGA ORGANIZATA E TURIZMIT – ULQIN

 

Në kuadër të konkursit të shpallur nga Organizata e Turizmit – Ulqin, për realizimin e një objekti skulpturor monumental që të përjetësojë një nga legjendat e njohura të këtij qyteti, pra shkrimtarin e madh spanjoll Miguel Servantes të burgosur në këtë qytet, dhe muzën e krijimtarisë së tij që personifikon Ulqinin përmes figurës femërore të Dylqinjës, – paraqesim projekt-monumentin tonë “Servantesi dhe Dylqinja”.

Në aspektin ideor dhe konceptual, projekti jonë është ngjizur në përfytyrimin e një simbioze Servantes-Dylqinjë, simbiozë që i jep kuptim vetë legjendës dhe qenësisë së këtij objekti skulpturor në këtë qytet. Konceptualisht shkrimtarin spanjoll e lidh me qytetin e Ulqinit pikërisht figura emblematike e Dylqinjës që është dhe lejtmotivi i krijimtarisë së tij, muza që përshkohet si një ëndërr fluide por e pandashme, dhe që i jep jetë dhe kuptueshmëri veprës së tij klasike “Don Kishoti”.

Duke u nisur nga ky konceptim, është mbërritur në aspektin kompozicional të krijimit monumental, ku paraqitet një dyshe figurash të trupëzuara në një objekt të vetëm kompozicional, dhe secila mbart karakterin vetjak brenda së tërës. Pra, shkrimtari Servantes si figurë reale historike, dhe Dylqinja imagjinare si muzë e krijimtarisë së tij, që i rri pranë, por e paprekshme si një ëndërr që nuk konkretizohet fizikisht, siç ndodh dhe në veprën e tij. Pra kompozicioni shpreh përmes gjuhës figurative aventurën ëndërrore të shkrimtarit që, e shndërruar në fantazi krijuese, prodhon atë vepër të madhe të tij dhe ndër veprat më të rëndësishme të letërsisë botërore.

Portretet në këtë kompozicion figurash të trupëzuar në një, vijnë me gjendje dhe natyra të ndryshme, ku Servantesi shfaqet i qetë meditativ në një realitet të prekshëm, me kokën e anuar pak majtas nga libri, ndërkohë që gjithçka rreth tij valëzohet e valëvitet në harmoni dhe ritëm dinamik siluetash; ndërsa Dylqinja shfaqet si ëndërrore, me bukuri femërore të idealizuar, që e mbështjell shkrimtarin si pelerinë ajrore në shëmbëllim të velave të anijeve, në cilësinë e muzës imazh të dashurisë fantaziste të shkrimtarit.

Të të njëjtit karakter vijnë edhe elementët e tjerë plotësues dhe loja mes dy botëve, asaj konkrete në portretin e Servantesit dhe asaj të idealizuar në mendjen e tij që feks në imazhin e Dylqinjës, krijon atë kompozicion që shpreh qenësinë dhe arsyen e pranisë së tij në këtë qytet.

Një rrethojë e shlirët me simbolizimin e vargonjve që mbajnë një të burgosur, qoftë fizikisht qoftë dhe fantazisht, i mbërthyer si rob i kundërshtarëve, dhe si rob i imagjinatës së tij dylqinjake.

Një natyrë e qetë me pranga të mbështetura mbi një gur pranë monumentit është një element plotësues i kompozicionit, mbi  të cilin  mund të shënohet dhe një ekstrakt i legjendës dhe fjalë të Servantesit mbi Dylqinjën, ku shprehet aventura servanteske në  Ulqin.  Prania e pendës që mban në dorën e djathtë konkretizon plastikisht edhe emrin e fantazisë së tij.

 

* * *

Përsa i përket aspektit estetik dhe funksional, atë të harmonizimit me mjedisin ku do të vendoset ky monument, janë marrë në vlerësim elementët mjedisorë me të cilët do të “bashkëjetojë” ky monument në hapësirën publike të qytetit, hapësirë që gjendet buzë detit ku ankorohen barkat, rrëzë kalasë historike të këtij qyteti, shetitores etj. Duke vlerësuar këta elementë, është synuar në krijimin e harmonisë së objektit skulpturor me elementët natyrorë dhe pozicionin urbanistik të veprës. Kompozicioni është përshtatur me fushëpamjen e objektit monumental në 360°, me këndet e shikimit si nga deti ashtu dhe nga shetitorja e cila qarkon në gjysëmharku këtë objekt. Janë projektuar pasuri plastike të veprës në pamjet e saj me kënd-zbritje nga sipër te muret e kalasë; më tej silueta të forta plastike që të jetë i shikueshëm edhe nga këndpamje që shohin nga qyteti.

Në harmonizim estetik me mjedisin ku do të vendoset, figura e Servantesit është projektuar e ulur, pasi kjo krijon mundësinë e volumetrisë më të madhe proporcionale që i shkon përshtat hapësirës përkatëse dhe është menduar që, duke u nisur nga gjykimi estetik, monumenti duhet të ketë një lartësi jo më të vogël se 2.5 metra, duke pasur parasysh se figura është e ulur dhe volumetria është më masive dhe e orientuar në lëvizje.

Si kompozicion, monumenti qëndron mbi një bazament guri të qytetit dhe tenton të shkrihet me mjedisin përqark i cili ka formën e një nike natyrore, ashtu siç është ndërtuar në formë harku edhe shetitorja buzë detit dhe përqark skulpturës, prandaj dhe monumenti skulpturor është formësuar me silueta harkore te ritmuara dhe kundër-ritmuara bashkë me volumet e lugëta e të mysta qe lodrojnë vrullshëm duke u sinkronizuar me valëzimet dhe erërat që kryqëzohen buzë detit, me kalanë në sfond dhe me të gjithë hapësirën përqark, e cila është mjaft e pasur me këndet e shikimit që ofron dhe dikton nevojën që monumenti të ketë pasuri vizuale të harlisur nga çdo kënd vështrimi urbanistik.

 

 

Autori i projektit:

BUJAR VANI